Aktualitet

Lirimi i Haradinajt, tërbohet Vuçiç. Ja si përgjigjet MPJ shqiptare

Lirimi i Ramush Haradinajt ka shkaktuar jo pak reagim. Aktualisht në Serbi Presidenti Aleksandar Vuçiç ka kërkuar një mbledhje urgjente, fabulën e së cilës do ta mësojmë ndoshta nga mediat serbe në orët në vijim.

Në kushtet e lajmit për lirimin e Haradinajt por dhe të tensionimit politik në Serbi, Ministria e Punëve të Jashtme e shqipërisë nuk zgjedh të heshtë. Në një e-mail të shpërndarë mediave, MPJ i çon një mesazh Serbisë, duke përsëritur qëndrimin e palës shqiptare, se Serbia duhet të heqë dorë nga përdorimi i urdhër-arresteve si formë presioni ndaj Kosovës.

"MPJ beson se avancimi i rajonit në proceset euroatlantike ka në themel forcimin e bashkëpunimit dhe politikën e fqinjësisë së mire, për çka Shqipëria ka qënë dhe mbetet tërësisht e angazhuar.

Kosova shtet është një realitet i patjetërsueshëm. Marrëdhëniet vllazërore midis Shqipërisë dhe Kosovës, janë stabilizuese për rajonin dhe orientuese për të ardhmen tonë të përbashkët Europiane.", thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.

Më herët ministri Ditmir Bushati ka përshëndetur edhe vendimin e Gjykatës Franceze për lirimin e Ramush Haradinajt, përmes një statusi në facebook. “Drejtësia vonon, por nuk harron! Mirë se të vish në atdhe Ramush Haradinaj!”./ Copyright Tiranapost.al