Aktualitet

Linda Rama për gratë e pushtetit atje lart që duhet të dinë diçka...  

Sot një grua që po jeton nga afër historinë, na ka rrëfyer historinë e saj dhe sidomos se çfarë ndodh kur je atje lart. Si ndihesh për gjurmët që duhet të lësh pas. Linda Rama të krijon përshtypjen se veçanërisht ecën me këmbë në tokë.

Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit ka thyer heshtjen në një fjalim dedikuar grave në Samitin Global të Gruas që u mbajt sot në Tiranë. Zonja Rama ka mbajtur vazhdimisht një profil të kujdesshëm larg medias dhe jetës publike. Numërohen me gishtat e njërës dorë daljet e zonjës së kryeministrit. Sot ka mbajtur një fjalim ku flet për gratë e pushtetit, të tezgjahut, të dhunuara, me fat, të pafat, të bukura dhe mise, të pasura dhe të trishtuara. Sot një grua që po jeton nga afër historinë, na ka rrëfyer historinë e saj dhe sidomos se çfarë ndodh kur je atje lart. Si ndihesh për gjurmët që duhet të lësh pas. Linda Rama të krijon përshtypjen se veçanërisht ecën me këmbë në tokë.

Fjala e mbajtur nga zonja Linda Rama, në Samitin Global të Gruas që u mbajt sot në Tiranë.

Miqve që vizitojnë për herë të parë Shqipërinë, dëshiroj t’iu them se gjendeni në një vend, ku siç thote im shoq, nuk duhet ardhur asnjëherë po ku nëse vjen, asnjëherë nuk ndodh të mos duash të kthehesh.

Kujt prej jush, nuk i ndodhi që ta gjente këtë vend krejt të ndryshëm nga çfarë e priste? I tillë është stereotipi i krijuar në vite për Shqipërinë; vend i errët, i varfër, i pasigurtë. Po në fakt mësojeni se ky është një vend aq i sigurtë, sa megjithëse mund të lëvizni vetëm natën, edhe në periferitë më të largëta të qytetit, i vetmi moment ku mund t’iu ndodhë diçka e papëlqyeshme, mund të jetë kur do të merrni faturën e telefonatave nga dhoma e hotelit, përpara se sa të beni check out.

Shqipëria e mbyllur për gjysmë shekulli në bunkerin e diktaturës me izolacioniste të Perandorisë Komuniste kaloi periudha të vështira, dramatike, pas daljes në detin e hapur të lirisë. Një regjim mund të ndryshojë në një javë, ndërsa zakonet e të jetuarit me përgjigje të gatshme, nuk zhbëhen dot as në një gjeneratë.

Gjyshi im që nuk e jetoi dot demokracinë, u largua pa e parë dot as në ëndrrën e tij më të guximshme, që një ditë unë, mbesa e tij, do të gjendesha një ditë këtu me kaq shumë miq nga vende që deri vetëm 27 vite më parë, shqiptarëve të kohës së tij u thuhej se ishin të marra peng prej imperializmit amerikan e social-imperializmit sovietik.

Ai jetoi kohën e bunkerit dhe të shtëpisë me gjethe, dy muzeume te sapohapura që ju sugjeroj t’i vizitoni; gjenden vetëm pak metra më larg, si hapësira kujtese të viteve të një kohe që e treguar sot me fjalë, mbetet tejet e ekzagjeruar në përmasën shtrenguese te saj, sa edhe për ne që e jetuam ngjan e pamundur të ketë qenë realiteti i përditshëm e i përnatshëm, një orë larg Romës, dy larg Berlinit, për 45 vjet me radhë. Nuk do të mund ta imagjinonte kurrë im gjysh, që fare ngjitur me ato dy hapësira të barkut të papenetrueshëm të territ të frikës së ngritur në sistem, do të ngrihej godina ku jemi mbledhur; një perlë e arkitekturës bashkëkohore europiane e vlerësuar ndërkombëtarisht nga Muzeu i Artit Modern të Nju Jorkut, si një ndër 10 godinat më mbresëlënëse që janë ndërtuar në 10 vitet e fundit në botën e madhe, ku tanimë jeton edhe Shqiperia, si një pikë uji e rrjedhshme në oqeanin e madh të lirisë.

Krejt ndryshe nga im gjysh, unë dhe i gjithë brezi im patëm fatin të jetojmë ndërrimin mes dy botëve, qe ndanë historinë e Shqipërisë në dy pjesë krejt të ndryshme, çerekshekulli totalitarizëm komunist dhe një çerekshekulli tjetër demokracie në formim. Jeta jonë u spostua sa hap e mbyll sytë nga vetëm brenda rrugicave të lagjes e rrugëve të qytetit, ku bulevardi na ngjante si shtylla vertebrore e globit, në hapësirën e paanë të zgjedhjes së lirë përballë mundësive e tundimeve të gjithëfarllojshme përgjatë një rrotullimi marramendës të botës. Nga barazia, në varfërinë kolektive, tek frenezia drejt vetëpërmbushjes individuale; protagonistë, viktima, dëshmimtarë të një transformimi epokal, për mirë dhe keq, me hir e me pahir, ku individualizmi ekstrem në mungesë të institucioneve të bashkëjetesës demokratike, e bëri jetën tonë një kaos dhe kacafytje për të dalë mbi ujë e për të mbijetuar.

Natyrisht, kjo vorbull e patregueshme, rëndoi posaçërisht mbi gruan e vajzën. Ato dolën në detin e hapur, me përgjegjësinë natyrale të të qenit pjesa me vulnerabël që duhet të bëjë rolin më të vështirë. Drita verbuese e botës së lirë nxorri në dritë hiret e tyre, përmes një epidemie konkursesh, Miss nga Albania, si revansh i kohës së emancipimit komunist, kur gruaja njësoj si burri, humbi të drejtën të shfaqej e ndryshme në hiret e saj. Padyshim, liria çliroi energji të panjohura tek gra e vajza ambicioze që në rrugët e politikës, biznesit, po sidomos shoqërise civile sprovuan veten dhe provuan se barazia gjinore nuk ishte një utopi, po një rrugë e gjatë që mund të ndërtohej metër për metër, përmes forcës së shembujve. Por, ajo dritë verbuese, pati efektin e saj drithërues, mbi zonat gri që u kthyen në të zeza, duke u bërë territore të rikthimit të kohëve të errëta përpara revolucionit komunist, ku gruaja e vajza u gjenden në rrëpirën marramendëse të udhës drejt të shkuarës. Prej aty, prej andej, lindën fenomenet e izolimit, dhunimit, trafikimit të grave.

Dhe ende sot, pas pak më shumë së çerekshekulli qysh prej ballafaqimit me dritën e lirisë, nuk e di nëse më shumë duhet të gëzohem për arritjet mbresëlënëse të gjinisë sonë, apo duhet të trishtohem për regresin rrënqethës që i’u imponua simotrave tona në territore ku ora punoi mbrapsht për shumë vite me radhë(?)

Gra gjysma e kabinetit qeveritar, një e katërta e Parlamentit shqiptar?! Gra njësoj sa burra në këshillat bashkiakë?! Gra në më shumë se 40% të linjës së parë të menaxhimit në kompanitë private?! Gra në më shumë se 50% të niveleve të larta të administratës publike?! E kush nuk do të çuditej si përpara një përralle shumë të bukur për të qenë e vërtetë, nëse do të dëgjonte qoftë edhe 10 vjet më parë se Shqipëria do të ishte kështu, si sot, një ditë?!

Por, kjo është vetëm pjesa e ndriçuar e medaljes. Ka ende shumë gra e vajza që nuk ia kanë dalë të ngrihen mbi dallgët e vështirësive, duke mbetur në kthetrat e diskriminimit e të dhunës së përditshme, të paragjykimit ekstrem të botës që i rrethon! E cila nënshtrimin e gruas e ka kthyer në normë dhe sjelljen e vrazhdë si prelud i dhunës, në një mënyrë jetese. Shumë gra dhe vajza gjenden ende sot, nën peshën e punëve të renda, në këmbim të të ardhurave më pak se modeste, për të vijuar me punët e shtëpisë dhe kujdesin për fëmijët, nen presionin e mendesise qe i sheh ato si kurrizulurat e shtëpisë. Kjo pjesë e errët e botës, sëbashku me historitë e trishta gjendet e strukur dhe e mënanjuar dhe thuajse asgjë nuk penetron brenda saj. Nuk penetron syri i medias dhe as ekspozita e madhe e botës së klikimeve dhe pëlqimeve që përthith fuqishëm vëmendjen tonë, nuk penetron fuqia e institucioneve dhe as shoqëria civile që e ka zbehur dukshëm rolin e saj të drejtpërdrejtë në komunitete duke rrezikuar kështu që jo vetëm të gjitha këto gra e vajza të mos i gëzohen bukurive të jetës, po dhe të projektojnë tek fëmijët e tyre të njëjtin fat.

Ka një shqetësim dhe debat të vijueshëm sot për krizat e të gjitha llojeve që rrezikojnë mirëqënien e familjeve shqiptare. Ky nuk është një shqetësim vetëm shqiptar, por thuajse i të gjitha vendeve të kontinentit tonë dhe përtej tij. Kaq e vërtetë është kjo sa duket sikur sheh lajmet dhe debatet e trazuara të të njëjtit vend, kur kalon me pultin e televizionit nga një shtet fqinj në tjetrin apo nga një vend i BE në tjetrin. Në brendinë e këtij shqetësimi duket sikur vlon një e vërtetë e pathënë dot deri në fund, por që lidhet me vlerat, në një moment të historisë sonë kur duket sikur e gjithë bota po bëhet e afërt sa një ekran telefoni, ndërkohë që gjithçka po lëviz vrullshëm në një drejtim të pasigurte, minimumi që mund të thuhet, për individin, për prindin dhe posaçërisht nënat tek shohin pushtimin e hapësirave të tyre familjare nga miq virtualë. Të cilët diktojnë nga ekrani i vogël shijet dhe stilin e jetesës, duke konkuruar dukshëm kodet familjare të trashëguara brez pas brezi.

Në një botë ku makina po i merr gjithnjë dhe më shumë terren njeriut, ku materialja po përparon në një konkurencë përditë e më cinike me shpirtëroren, ku e sipërfaqshmja në dëm të thelbësores, pëlqyeshmëria imediate në dëm të thellësisë së pëlqimit si grua dhe si nënë, besoj që lipset të gjejmë motivet e vështira për të reaguar; të përpiqemi në nxitjen e mendimit dhe debatit mbi kërkimin e mënyrave dhe formave të reja për të mos hequr dorë nga rëndësia e komunikimit tradicional, nga rëndësia e shëmbullit të mirë dhe respektit për të, nga rëndësia e pakonkurueshme e dashurisë, dritës dhe magjisë së prehrit të nënës dhe gjyshes, qysh në fëmijëri, mbi çdo magji tjetër, nga edukimi i fëmijve për t’iu gëzuar gjërave të thjeshta të jetës dhe për të kultivuar tek ta dëshirën për të ndihmuar dhe për t’iu gjendur gjithkujt që ka nevojë.

Duke patur nderin të jem e para që flas para jush, kam edhe merakun se mos kjo përparësi nuk lexohet për atë që është! Një shenjë nderimi ndaj jush në radhë të parë, një shprehje tradicionale mirëseardhjeje, pa pretenduar asgjë më shumë se sa të kontribuoj që ju të ndjeheni mirë dhe të doni të riktheheni në Shqipëri! Nuk më shkon aspak mendja të jap më shumë se sa çfarë unë mund të bëj që ju të ndjeheni sa më mirë; në këtë samit që ka mundësinë të mbledhë njerëz të ditur e me pasion, të cilët suksesin e tyre nuk e quajnë të përmbushur pa kontributin në çështje të qënësishme që shqetësojnë të sotmen tonë dhe me shumë pikëpyetje për të nesërmen.

Këto të miat, ju lutem merrini si një kontribut i kërkuar, të cilin e jap më dëshirën me të madhe, për t’iu bashkuar ketij eventi fantastik me kërkesën e organizatorëve, që donin fjalën time hyrëse…

Faleminderit për këtë nder dhe lejomeni të pyes:

Si ndihemi esencialisht ne, në botën e pushtetit, financës, spektaklit, mësimdhënies, vendimmarrjes?

Si ndihemi ne, gra të pushtetit e të biznesit, gra të anonimatit të sforcuar apo famës shpesh herë të padëshiruar, gra të spektaklit dhe aktore vendimtare prapa kuintave?

Tek përparojmë në çka presim nga sforcot tona të përditshme, gjenerojmë ankth në vetvete dhe rreth nesh, apo bëhemi përçuese të një mirëqënie të shëndetshme vetjake, sociabiliteti dhe respekti?

A ka ekuilibër të mirëfilltë në çka ndërmarrim në përditshmëri dhe në momente specifike kyçe ku luhet jo vetëm fati ynë, por ai i kolegëve, miqve dhe të afërmve, me raste edhe i vetë familjes?

Sjellim qartësi apo tymnajë, siguri apo luhatje, shpresë apo dëshpërim, orientim apo përhumbje, vetkënaqësi apo çlirim të vërtetë?

Tematikat e hapura të këtij samiti rreken të formulojnë këto pikëpyetje, me të cilat, përballemi në çdo moment.

Përballem, në distancë, me brengat dhe dilemat e një bashkëshorti, pionier i emancipimit të gruas në shoqëri, i cili ndoshta ende nuk i sheh frutet e këtij procesi të kenë impaktin pozitiv thellë në shoqërinë shqiptare.

Përballem, shumë shpesh e vetme, në mënyrë të drejtpërdrejtë, me pikëpyetjet dërrmuese të një fëmije që veç rishtazi ka filluar të belbëzojë dhe që gjendet që i vogël në një univers të dominuar nga supremacia e internetit.

Zaho i vogël, im bir, nesër, do të këpusë nyjet ushqyese të familjes që edhe për ca kohë do t’i sigurojnë një strehë të barazpeshuar sigurie dhe përgjegjësie. Nesër ai do të gjendet përballë sfidave më angazhuese se ç’kemi njohur ne dhe brezi ynë. Atëherë, nënës së tij, e cila deri sa ai të ketë fluturuar me krahët e tij, do të jetë munduar t’i jetë pasqyrë e feminitetit të arrirë dhe shtyllë e një shoqërie të larmishme, ai do t’i kërkojë llogari dhe me të drejtë, ndoshta duke perifrazuar shprehjen biblike: « Çfarë kërkon prej meje, grua? » « Përse u fute zhurmshëm në histori dhe dole prej saj në hapësirën e një brezi, pa bërë zë? »

Si duhet të ndihemi ne gratë, për botën që po brumosim me pamje të rafinuar, por me gjymtyrë prej burri, si biznesmene, politikane, të fuqishme mes të fuqishmëve, apo që po promovojmë dashje pa dashje, me një indiferencë të sofistikuar që mezi fsheh ankthin ekzistencial dhe pakënaqësinë e thellë ndaj vorbullës anti-femërore të kësaj epoke?

Demografi në rënie, shpërthim emigrimi i pakontrolluar sepse i pakuptuar dhe i pakuruar, ekstremizma fetare, përcjellës dhune fizike apo shtrëngesash morale dhe intelektuale të kobshme, relativizëm i theksuar etik që na bën të pandjeshëm në esencë ndaj çdo klithme individuale në zhurmnajën e përbotshme, jehonë luftrash pa krisur ende e para armë.

Këtë apel përgjegjshmërie, desha ta artikuloj sot këtu, jo për një diagnozë të gjërave që nuk shkojnë mirë. E bëra për të thënë se Shqipëria ku u mblodhët sot, është një vend ku ja vlen të rikapitullosh dhe të debatosh sfidat e përbashkëta, me taktin, humorin dhe seriozitetin e duhur.

Më kujtohet leximi i dy librave të Torës hebraike, libri i Esterit dhe ai i Rutit, në të cilët gjeniu i gruas, si kokrra e rërës ingranazhin shkërrmoqës, bllokoi mekanizmin vrastar të përplasjes pushtetare mes burrave apo të fataliteteve të jetës.

Dhe në respektin tuaj, dua ta lë këtë fjalë pa një mbyllje, si një hapje të një rruge ku jam e bindur, ju i keni të gjitha motivet e forcat për të shtruar tapetin e të ardhmes…