• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 19 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Botë Të gjitha

    Ligjvënësja Ilhan Omar thotë se ndihet e kërcënuar pas postimeve të Trump


    Ligjvënësja amerikane Ilhan Omar thotë se ka përjetuar kërcënime të vazhdueshme me vdekje në ditët pasi Presidenti Donald Trump postoi një video kritike ndaj komenteve të saj lidhur me sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001. Në një fjalim emocional muajin e kaluar në Këshillin për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, Omar foli kundër diskriminimit dhe dyshimeve ndaj myslimanëve.

    Në një deklaratë të dielën vonë, ligjvënësja Omar tha se shumë nga ata që e kërcënonin i referoheshin postimit të presidentit Trump. Ajo gjithashtu përmendi një rritje të dhunës dhe akteve të urrejtjes nga ekstremistët e krahut të djathtë në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera të botës, duke thënë se “nuk mund t’i injorojmë më pasi ata po inkurajohen” nga presidenti Trump.

    Dje, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders mohoi se presidenti Trump po nxit dhunën dhe islamofobinë.

    “Sigurisht që presidenti nuk ka synime të këqija dhe sigurisht nuk dëshiron dhunë ndaj askujt. Por presidenti duhet të tërheq vëmendjen ndaj ligjvënëses e cila ka një histori komentesh anti-semite, dhe nuk e ka bërë këtë vetëm një herë. Pyetja më e rëndësishme është se përse demokratët nuk bëjnë të njëjtën gjë. Është absolutisht e neveritshme, komentet që ajo ka bërë dhe vazhdon të bëjë. Ata thjesht kthejnë kokën nga ana tjetër”.

    Në një fjalim emocional muajin e kaluar në Këshillin mbi Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, Omar foli kundër diskriminimit dhe dyshimeve ndaj myslimanëve. Ajo tha se grupi u krijua pas 11 shtatorit, sepse “kuptoi se disa njerëz bënë diçka, dhe të gjithë ne po fillonim të humbnim liritë tona civile”.

    Presidenti Trumpi postoi në Twitter fjalët “dikush bëri diçka”, pasuar nga më shumë se 40 sekonda video të sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

    Kritikët e Omarit e kanë përdorur frazën për ta akuzuar atë për minimizimin e mizorive të sulmeve të vitit 2001, duke mos përmendur pjesën tjetër të fjalimit së saj.

    Nancy Pelosi tha se kujtimet e 11 shtatorit janë “të shenjta dhe se çdo diskutim për to duhet të bëhet me nderim”.

    Pelosi e quajti videon e Trump-it “të pasjellshme dhe të rrezikshme” dhe tha se duhet të hiqet nga Twitteri./VOA/Tiranapost