Aktualitet Politikë Te gjitha

Ligji për teatrin, Presidenti përfundimisht kukull e PD; i bindet SHQUP-it edhe pas amendimeve të BE


Pak ditë më parë Bashkimi Europian konfirmoi se ligji për Teatrin nuk e shkel MSA-në, por sugjeroi hapjen e garës edhe për të interesuar të tjerë në proces. Kjo kërkesë u plotësua menjëherë nga Kuvendi, i cili bëri ndryshimet e nevojshme në ligj, duke krijuar hapësirë edhe për kompani të tjera, që duan të shprehin interes për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Por, Presidenti i Republikës, Ilir Meta e ka rrëzuar sërish ligjin, për herë të dytë, edhe pasi Kuvendi dëgjoi sugjerimet e BE-së për përmirësimin e ligjit. Ai bllokoi sërish nismën që do të krijonte mundësinë e ndërtimit të një teatri të ri modern në kryeqytet, që pritet të rikthejë dinjitetin e institucionit të Teatrit Kombëtar dhe spektatorët në sallë.

Pas këtij veprimi, natyrshëm lind pyetja nëse Meta vazhdon t’iu bindet kornizave të tij politike, duke mos dalë dot jashtë bindjeve politike, e si rrjedhojë duke u shndërruar në një kukull për opozitën. Pas ndërhyrjes së BE, mendohej se Meta do të dëgjonte sugjerimet e komisionit Evropian, por ai ka bërë të kundërtën, duke iu bindur SHQUP-it dhe kërkesës së kahershme të bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, bashkëkryetare e opozitës, të mos e dekretojë ligjin pavarësisht nëse ai është përmirësuar me ndërhyrjen e BE-së.

“Unë shpresoj që z. Meta ka shansin të shlyejë gabimin e tij që ju solli shqiptarëve Edi Ramën në krye kështu që besoj që duhet të gjejë forca brenda vetes së tij për ta rikthyer mbrapsht atë ligj dhe shpresoj që të distancohet dhe ai por megjithatë kjo është në zgjidhjen e atij dhe mund ti bëni pyetje vetë”, do të shprehej Kryemadhi, e cila duket se ia ka dalë që ta bindë sërish bashkëshortin e saj, duke i dhënë një dorë opozitës në betejën e saj politike.

Edhe një herë Presidenti Meta tregoi se, ndonëse i zgjedhur me votat e mazhorancës, tashmë në atë detyrë për t’i shërbyer opozitës./ Copyright Tiranapost.al