Aktualitet

Ligji për betimin e gjyqtarëve/ Meta paralajmëron konferencë: çudi e madhe, u miratua në errësirë të plotë

Ligji për betimin e gjyqtarëve/ Meta paralajmëron

Presidenca ka reaguar pas votimit dje pasdite në Kuvend të ndryshimit të ligjit për betimin i magjistratëve, duke i hequr kështu kompetencat presidentit Ilir Meta.  Përmes zëdhënësit të tij Tedi Blushi, Meta thotë se është e çuditshme që ky projektligj miratohet kaq shpejt, në errësirë dhe  pak orë para mbërritjes në Tiranë të delegacionit të Komisionit të Venecias.

Tedi Blushi shkruan: 

Të nderuar kolegë gazetarë!

Kam marrë shumë pyetje nga ju, lidhur me ligjin që ka kaluar Kuvendi dje në mbrëmje vonë, nëse është apo jo në shkelje të Kushtetutës.

Së pari dua të shpreh çudinë e madhe që ky ligj miratohet në errësirë të plotë, vetëm pak orë para fillimit të takimeve të Komisionit të Venecias në Tiranë, të thirrur nga vetë Kuvendi, që tregon një mungesë serioziteti të plotë, panik për ngut dhe fakt të kryer.

Pra KAP ÇFARË TË KAPËSH.

Së dyti, për ne tashmë çudi përbën vetëm fakti kur ndonjëherë Kuvendi kalon ndonjë ligj që respekton Kushtetutën, pasi dhunimi sistematik i saj është kthyer në rregull.

Por sot paradite jemi të fokusuar te takimi me përfaqësuesit e Komisionit të Venecias.

Ndërsa pasdite ju premtoj se Presidenti do të kuvendojë me ju direkt nga Presidenca, dhe me të gjithë shqiptarët, për qëllimin e vërtetë të ligjit për KRYEKÇK-në.

Kujtojmë se dje,  me 86 vota pro, 13 kundër dhe 7 abstenim, u miratuar projektligji  “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” të ndryshuar” që i merr Presidentit Ilir Meta të drejtën e betimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas ndryshimeve Meta ka 10 ditë afat për të thirrur në ceremoninë e betimit një gjyqtar, por nëse kalon afati gjyqtari e dërgon vetë betimin me shkrim në Gjykatën Kushtetuese. Situata me Arta Vorpsin bëri që maxhoranca të ndryshonte ligjin./ Tiranapost.al. 

http://www.tiranapost.al/kushtetuesja-do-e-dekretoni-ligjin-qe-sapo-kaloi-kuvendi-per-betimin-e-gjyqtareve-meta-nuk-habitem-nga-nje-marrezi-e-tille/