• Shqip
  • English
  • E enjte, 22 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Librat e Arlindës Të gjitha

    Libri që lexova në tren dhe thashë: Ky i duhet të gjithëve


    “Tetë malet” e Paolo Cognetti, një himn për miqësinë dhe refleksion për jetën… Ky libër të fuste në një botë plot ngjyra të forta, jo medoemos të gëzueshme, në një refleksion e rrëfimtari të magjishme që të kujton klasikët që ke lexuar dikur me etje.

    Arlinda Dudaj/ “Fati ynë jeton në malet që kemi mbi kokë”, thotë Paolo Cognetti. Më bëri shumë kurioze para më shumë se një viti në panairin e Frankfurtit libri i këtij shkrimtari për të cilin botues nga e gjithë bota ishin sulur për të blerë të drejtat e autorit, dhe pata menjëherë një nxitje të brendshme për ta marrë e lexuar librin. Nisa ta lexoj në tren dhe sakaq mendova: ky libër do të shkojë larg. Dhe menjëherë pas botimit në frëngjisht fitoi një çmim për librin më të mirë të përkthyer në Francë. Pastaj në Itali u bë fitues i padiskutueshëm i çmimit më prestigjoz Strega, e kështu me radhë nisi të botohej në mbi 32 gjuhë të botës, tani edhe në shqip.

    Paolo Cognetti ishte ndërkohë i njohur në Itali, kishte shkruar libra të tjerë ku ndihej pena e talentuar dhe stofi i një shkrimtari, por ky libër qe një befasi. Ky libër të fuste në një botë plot ngjyra të forta, jo medoemos të gëzueshme, në një refleksion e rrëfimtari të magjishme që të kujton klasikët që ke lexuar dikur me etje.

    Ishte kjo ajo që më ndodhi gjatë leximit të këtij romani jo shumëfaqësh, por që të përcjell e ngërthen aq shumë ndjenja njëkohësisht: të bukura, të dhimbshme e nostalgjike. Është në qendër miqësia mes dy djemsh, mes një djali qyteti, Pietros dhe një djali që është lindur e rritur në mal, Brunos, i cili e ndjen veten një pjesë të pashkëputur të asaj natyre që herë të ngjall optimizëm e here të fut nëpër skutat e errëta të pesimizmit dhe nostalgjisë. Po kështu duket dhe miqësia e tyre, që kalon nëpërmjet këtyre shtigjeve, ndërsa bëjnë ngjitjet në malin ku Brunoja jeton për tërë jetën dhe Pietro kalon vetëm pushimet verore. Shumë komplekse duket edhe rrugëtimi që ndjek secili nga djemtë, Pietroja që arratiset nëpër udhëtime, si të druhet se mos pëson fatin e Brunos që mbetet në vend, dhe Brunoja që gjithsesi zgjedh të mos ndahet deri në fund nga vendi me të cilin e lidhin shumë kujtime, shumë… Edhe titulli, Tetë malet është një spiritualitet në vetvete, sipas një mendimi nepalez, e gjithë bota është një rrotë me tetë rrathë në qendër të së cilës është mali më i lartë, mali Sumeru që rrethohet pra nga tetë malet. Po t’i referohemi asaj çka Cognetti duket se mendon, fati ynë ndodhet pikërisht në malin Sumeru. Dhe ia doli të shkruajë librin për të cilin ka nevojë dhe e dëshiron çdokush./Blogu – Librat e Arlindës/ Copyright Tiranapost.al