• Shqip
  • English
  • E enjte, 22 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Prindër Të gjitha TIP top

    Letra prekëse që një nënë i shkruan bebes së saj të lindur para kohe


    Ti linde një të enjte, pas 27 javësh që jetove në barkun tim. Kalove 84 ditët e para brenda një inkubatori steril, mes tubash e agesh në damarët e tu të padukshëm, kurse unë kalova 84 net pa ty. U luta shumë ato ditë. Mbi të gjitha u luta e u përgjërova që ti të mos mbaje mend asgjë nga të gjitha ato që po kaloje. U luta që të harroje çdo injeksion, çdo procedurë mjekësore, çdo sondë, çdo tub, çdo sekondë të kaluar i vetëm brenda asaj kutie të ngrohtë plastike. Por ndërsa të shihja të rriteshe, fillova të kuptoj se në këtë ankth kishte ca gjëra që nuk duhet t’i harroje, diçka që të përket dhe që ti duhet ta dish.

    1. Ti je i fortë. Të kam parë të luftosh për të marrë frymë. Ndoshta do të vijë një ditë në jetën tënde kur ti të ndihesh i dobët dhe i pafuqishëm. Të lutem, kujto se ia ke dalë të marrësh frymë vetëm me forcën e shpirtit dhe vullnetit tënd.
    2. Ishe gati. Mbase do të vijë një ditë që nuk do të përballosh dot atë që jeta pret nga ty. Ndoshta do të ndihesh i terrorizuar, i papërgatitur. Të lutem, kujto se instinkti yt funksionon. Unë e kam parë. Ti je gati për gjithçka.
    3. Je i privilegjuar. Ke dalë në dritë tre muaj para kohe por arrite të mbijetosh. Ndoshta do të vijë një ditë kur të takosh dikë që nuk i ka pasur fatin tënd. Mos u ndiej kurrë në faj, ji mirënjohës për dhuratën që ke marrë.
    4. Nuk do të jesh kurrë vetëm. Ndoshta do të vijë një ditë në jetë, kur nuk do të dish kujt t’i kërkosh ndihmë. Shko përherë tek prindërit e tu. Gjithmonë do të jemi aty, për ty.
    5. Ty të duan. Ndoshta do të vijë një ditë në jetën tënde kur do të ndjesh se nuk të do njeri. Të lutem mos harro se je rrethuar nga dashuria që nga frymëmarrja e parë. Të kanë dashur para se të thuash apo të bësh diçka. Para se të dije qoftë edhe gjënë më të vogël apo të bëheshe diçka.

    Për të gjitha ditët më të trishta e më të vështira, i vogli im, kujto dhe kurrë mos e harro: ti je një luftëtar. Je njeriu më i fortë që unë kam parë e sidomos dashur kaq shumë.