Showbiz

Letra e fundit nga shtrati i vdekjes që një nënë i shkroi vajzës së saj

Letra e fundit nga shtrati i vdekjes që një nënë i shkroi

Autorja e librit bestseller “Bashkë me erën”, Margaret Mitchell fshihte një dhimbje të madhe: humbjen e nënës së saj. Ky episod do të shënonte një kthesë në jetën private, por edhe artistike, qe do ta përshkruante në romanin e njohur. Para se të ikte nga kjo botë e ëma i kishte lënë një letër.

"Përshëndetje Margaret,

Kam menduar për ty gjithë ditën. Dje mora një letër ku thuhej se jam e sëmurë. Pres që babai yt ta ketë përshkruar situatën me një dorë të fortë dhe me ngjyra të errëta e që të mos jetë aq e rëndë sa mendon ai. Kam pneumoni në njërën mushkëri, por sikur mos të kisha patur ndërlikimet e gripit, do të kisha më shumë se një mundësi për t’u shëruar. Zonja Riley ka pasur pneumoni në të dyja mushkëritë dhe sot është mirë e më e fortë se më parë. Shpresoj për më të mirën, por mbaje mend, e dashur, nëse më duhet të shkoj, tani do të ishte momenti më i mirë për mua.

Nuk duhet të të vijë keq për mua. Nëse të duket se jeta po më rrëshqet para syve, ta dish se kam mbajtur në duar gjithë ç’mundi të më jepte bota.

Kam kaluar një fëmijëri të lumtur dhe u martova me burrin që doja. Linda fëmijë që më adhuronin, ashtu siç i adhuroj unë. Kam qenë në gjendje për t’iu dhënë çfarë iu nevojitej për suksesin mendor, moral e ndoshta financiar, e nuk kam ditur ç’të jepja më shumë.

Pres të të shoh sërish, por nëse nuk ia dal dua të të ruaj nga gabimi që mund të bjerë pre çdo grua me temperamentin tënd. Jep çdo gjë nga vetja dhe nga zemra jote plot, por jep ekstremisht vetëm pasi të kesh jetuar jetën tënde. Dua të them se jeta dhe energjia jote të takojnë fillimisht ty, më pas burrit dhe fëmijëve. Babai yt të do, e dashur, por mos lejo që mendimi dhe dëshira e tij për t’i qëndruar pranë të të privojë nga martesa, nëse do ta bësh. E ka jetuar jetën e tij, jeto dhe ti tënden sa më mirë të mundesh.

Të dy fëmijët e mi më kanë dashur kaq shumë sa nuk kam nevojë të ndalem në këtë pikë. Ke bërë gjithçka për mua dhe më ke dhënë dashurinë më të madhe që mund t’i japë një fëmijë prindit.

Kujdesu për babain kur të plaket, siç jam kujdesur unë për mamanë time. Por mos lejo që jeta e dikujt tjetër të ndërhyjë në jetën tënde të vërtetë.

Mirupafshim, zemër, e nëse nuk do të më shohësh më, edhe më mirë, do të më mbash mend siç isha në Nju Jork.

Mamaja jote e dashur".

*Ky post u përshtat nga robadadonne dhe është realizuar nga Fabjola Hije.