Aktualitet

Lëshonin certifikata falso për pastërtinë e ambientit, arrestohen dy inspektorë shëndeti

Dy inspektorë të Inspektoratit Shëndetësor të Shkodrës janë vënë në pranga pasi dyshohen se në këmbim të parave pajisnin biznese të ndryshme me certifikatën pastërtie të ambjentit.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Shkodrës vendosi ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”.

Inspektorët Dritan Geci dhe Milseva Milla merrnin nga 4 mijë deri në 10 mijë lekë për t’i pajisur bizneset me çertifikata dizifektim-dezinsektim, të cilat për më tepër rezultojnë që janë të falsifikuara.

Sipas Prokurorisë, “nga analiza e akteve dhe provave të administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Dritan Geci së bashku me shtetasen Milseva Mustafa (Milla) kanë konsumuar elementët e veprës penale “Falsifikim i dokumentave” parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim”./ E.D/ Copyright Tiranapost.al