Les Echos: Franca e vetmja kundër negociatave në BE, ministrja franceze: Nuk jemi për veto, por...
Parisi po reziston. Edhe pse liderët e institucioneve kryesore në BE, si Këshilli, Komisioni dhe Parlamenti Europian, bën thirrje të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Franca me shumë gjasa do vërë veton. Sot është takimi në Luksemburg dhe dy popujt po presin. Në një artikull të publikuar së fundmi në LEs Echos thuhet se Franca duket të jetë e vetmja nga 28 vendet anëtare që refuzon anëtarësimin e Shkupit, ndërsa për rastin e Shqipërisë, do të vendosë ashtu si Holanda, Danimarka dhe Spanja.
Sipas Les Echos, kreu i shtetit vijon me kërkesat që Europa të reformohet vetë, një arsyetim që dha edhe qershorin e kaluar. Kreu i shtetit me sa duket nuk ka ndryshuar mendje që nga atëherë.
Sipas ministres për Çështjet Europiane në Francë, Amelie de Montchalin, Franca do kërkojë sërish sot, që para zgjerimit, të reformohet BE dhe të përmirësohet funksionimi i institucioneve kryesore të Unionit. Nga ana franceze, sipas Les Echos mendohet se, përkundër përpjekjeve të dy vendeve, as Tirana e Shkupi dhe as Bashkimi Evropian nuk janë të gatshëm për zgjerim të mëtejshëm.
Ndërsa vetë ministrja franceze citohet të ketë thënë para nisjes së diskutimeve në Luksemburg se Franca nuk do vendosë veton, por thekson se fillimisht BE ka nevojë të reformohet:
Nuk jam sot këtu për të vendosur veto , por në një frymë shkëmbimi mendimesh mbi dy parime. Së pari, hapja e negociatave kërkon përgatitje nga Bashkimi Europian dhe ne konsiderojmë sot që duhet të rishikojmë në thellësi procesin e negociatave të anëtarësimit. Procesi i zgjerimit është i gjatë për vendet përkatëse dhe nuk krijon besim te vendet anëtare. Së pari, ne duhet të diskutojmë mbi reformën e procesit të zgjerimit. Kapitujt që hapen e mbyllen si një telenovelë pa fund nuk i përgjigjen pritshmërisë së qytetarëve në rajon. Ne kemi parë fluks emigracioni nga vendet që kanë përfunduar negociatat dhe janë bërë anëtare, si Rumania, Bullgaria apo Kroacia. Pra, është një çështje qasje mbi procesin. A është ky proces efikas? Përgjigjja është jo dhe ne kemi shumë vende që e mbështesin këtë qasje lidhur me riorganizimin e negociatave të anëtarësimit. Së dyti, duhet të sigurohemi se reformat që janë kërkuar për t’u zbatuar si kushte për hapjen e negociatave të jenë reale. Që të jenë votuar, por edhe zbatuar. Këtë do diskutojmë sot, Por, dua të theksoj, se Franca nuk i kundërvihet perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit"./ Linku origjinal këtu.