• Shqip
  • English
  • E premte, 19 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Ta thotë doktoreshë Silva Të gjitha TIP top

    Lëkura problematike e vajzës sime 7-vjeçare


    “Ka disa kohë që vajzës sime 7 vjeçe i kanë dalë nën lëkurë, në zonën mbi krah, disa puçrra të vogla e të bardha. Në prekje e gjithë zona është shumë e ashpër dhe tani kanë filluar t’i shfaqen edhe tek pjesa e faqeve. I përdor vaj kokosi pas dushit por nuk shoh ndryshim. Faleminderit!”

    Nga Dr. Silvana Mishtaku/ Shqetësimi që paraqet fëmija juaj në terminologjinë dermatologjike njihet me emrin Keratosis Pilaris. Shpesh shfaqet e pa shoqëruar me ndryshime të tjera të lëkurës, por mund të jetë edhe pjesë e sëmundjeve kutane që karakterizohen nga lëkura e thatë si psh. dermatiti atopik të cilat duhet të përjashtohen ose të evidentohen gjatë konsultës me mjekun dermatolog.

    Kjo gjendje e lëkurës karakterizohet nga puçrra të vogla të bardha (papula) të shoqëruar me tharje e “petëzim” të lëkurës si rezultat i grumbullimit të keratinës (qelizave të vdekura) përreth folikujve dhe lokalizohet në lëkurën e krahëve, këmbëve, faqe, vetulla e në vithe.

    Sipërfaqja e lëkurës në këto zona paraqitet e ashpër, ndonjëherë me puçrra të kuqe dhe që kanë tendencën për kruajtje si rezultat i tharjes së lëkurës. Zakonisht kjo gjendje fillon gjatë vitit të parë të jetës dhe bëhet më e dukshme gjatë fëmijërisë.

    Në format e buta të kësaj gjendje situate mund të menaxhohet me aplikimin e kremrave zbutës e hidratues të cilat duhet tja aplikoni 2 herë në ditë fëmijës si dhe pas banjave, menjëherë pas tharjes me peshqir pasi poret e lëkurës janë akoma të hapura dhe kremi vepron më në thellësi.

    Kremrat zbutës që duhet të përdorni duhet të kenë në përmbajtje të tyre substanca si acid laktik (12%) apo urea (10%) të cilat duhet të aplikohen në mënyrë të rregullt, çdo ditë. Nëse lëkura në periudha të caktuara përkeqësohet, duhet të kontaktoni mjekun dermatolog për mjekim specifik për fazat e acarimit.

    Dr.Silvana Mishtaku

    Dermatologe-venereologe

    Klinika Vivia, Spitali Amerikan 3

    Email: [email protected]

    Instagram : silvanamishtaku