Shije

Leksion ekonomie nga një republikë gjalpi siç është Danimarka

Nobelisti Paul Krugman shpjegon se si një vend bujqësor si Danimarka nuk u shndërrua në një republikë bananesh, por u kthye në një shtet të mirëqenies sociale me nivelin më të lartë të lumturisë për banorët e saj.
Leksion ekonomie nga një republikë gjalpi siç është

Nga Paul Krugman/Ca javë më parë isha për pushime në Danimarkë. E trishtueshme ta thuash, por jam aq i mërzitshëm saqë në vend se të mendoja për Shekspirin, mendimet e mia u lëshuan drejt ekonomisë. Kam mendimin se historia e Danimarkës është shumë interesante për të gjithë ne. Natyrisht nuk mund ta quaj veten ekspert të ekonomisë daneze, as të ekonomisë së ditëve të sotme e as të asaj të së shkuarës. Gjithë sa di vjen prej leximeve dhe deduktimit që u bëj të dhënave publike. Për pasojë, është njëlloj sikur ta përdor Danimarkën si pasqyrë të pjesës tjetër të botës.

Në çdo rast, bëhet fjalë për një pasqyrë interesante (diçka shumë më të pëlqyeshme nga sa ndjej për atë që ndodh në Shtetet e Bashkuara). Në veçanti, janë dy gjëra që sipas meje mund të mësojmë nga Danimarka: optimizmin mbi globalizimin dhe optimizmin për t’i dhënë jetë një shoqërie dinjitoze.

Qofshin të bekuar prodhuesit e djathit

Bekimi duhet t’u shkojë të gjithë atyre që merren me prodhimin e produkteve shtëpiake. Në rastin e Danimarkës, ky bekim ka funksionuar. Gjatë krijimit të ekonomisë së parë globale, që nisi me rrjetet hekurudhore, me anijet me avull dhe telegrafin, u duk se bota u nda në vende të industrializuara dhe vende bujqësore që furnizonin të parat me ushqime. Vendet bujqësore, edhe pse në një moment të parë u duk se do të pasuroheshin, siç ishte rasti i Argjentinës, mesa duket patën fatin më të keq duke u transformuar në republika bananesh, të shtypura ekonomikisht dhe politikisht nga vetë roli i tyre.

Por Danimarka nuk u bë një republikë bananesh, por një republikë gjalpi. Anijet me avull dhe skremueset e ushqimeve i lejuan Danimarkës të bëhej një eksportues i çmuar i gjalpit (si edhe i mishit të derrit) në Britaninë e Madhe, gjë që i dha një prosperitet të dukshëm në prag të Luftës së Parë Botërore.

Lajmi i mirë ishte se kjo perspektivë bujqësore nuk rezultoi diçka e vdekur, por përkundrazi shërbeu për të krijuar një performancë të shkëlqyer në afatgjatë. Në rastin e Danimarkës, globalizmi duket se ka luajtur të njëjtin rol si në nivel ekonomik ashtu edhe në atë politik. Në vend se të sillte dominimin e kompanive shumëkombëshe të huaja, solli dominimin e kooperativave rurale. Por pse historia daneze qenka kaq e bukur? Ndoshta sepse danezët kanë pasur fatin të prodhojnë produkte me avantazhe të dukshme. Por më kryesorja është se u futën në procesin e globalizimit me një popullsi shumë herë më të arsimuar se standardi global.

Në botën e sotme, Danimarka është shumë e hapur ndaj tregtisë ndërkombëtare, edhe pse ka nivele shumë të ulëta të pabarazive si përpara ashtu edhe pas rishpërndarjes. Globalizmi nuk duhet të të jetë patjetër një fazë konflikti për drejtësinë sociale.

Horroret e imagjinuara të socializmit

Shumë të djathtë në politikën amerikane, por edhe disa të tjerë që deklarohen si të qendrës, duken të pafuqishëm përballë atyre që quhen socialistë. Gjithsesi, zbritja e këtyre të fundit në skenën politike ishte e parashikuar dhe e paralajmëruar.

Ja çfarë ka ndodhur: për dekada me radhë e djathta është përpjekur t’ia mbyllë gojën çdo iniciative që ka pasur për qëllim të zbusë disa prej efekteve më të shpeshta të kapitalizmit, si për shembull nëpërmjet mbështetjes sanitare apo mbështetjes sociale duke bërtitur “socializëm!”. Herët e vonë do të ishte e pashmangshme që njerëzit të thoshin se nëse çdo tentativë për ta bërë sistemin tonë më pak të egër quhet socialist, epo mirë, edhe ata janë socialistë.

Danimarka, ku të hyrat fiskale përbëjnë 46% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kundrejt 26% në SHBA, pa dyshim është vendi më social demokrat në botë. Sipas doktrinës konservatore, kombinimi i taksave të larta me ndihmën për “ata që i shfrytëzojnë ato”, pengon nxitjen për krijimin e vendeve të reja të punës. Kështu i bie që Danimarka të ishte zhytur me kohë në papunësi, apo nuk është kështu? Por e vërteta është se të rriturit danezë kanë më shumë mundësi të kenë një vend pune se sa homologët e tyre amerikanë. Në një farë mënyrë punojnë edhe më pak orë në ditë, edhe pse kjo mund të ishte një politikë shumë e mirë për të rritur mirëqenien. Danimarka na bën të kuptojmë se si mund të menaxhohet një shtet i mirëqenies me më shumë bujari nga sa bëjmë ne, e gjithsesi të jetë një ekonomi e suksesshme. Megjithëse të ardhurat për frymë në Danimarkë janë më të ulëta se sa në SHBA, kryesisht për shkak se punojnë më pak orë, kënaqësia për jetën që bëjnë është shumë herë më e lartë.

Pamjaftueshmëri

Megjithëse ka plot gjëra të mira, edhe në shtetin danez diçka nuk shkon mirë. Teksa performca afatgjatë ka qenë e habitshme, Danimarka nuk po e merr ende veten nga kriza e vitit 2008, sepse GDP/frymë është në rënie të dukshme. Dhe po e merr veten me shumë vështirësi. Ndryshe nga Suedia, Danimarka e ka lidhur monedhën e saj me euron, ndaj po vuan vazhdimisht pasojat negative të zonës euro./Paul Krugman është ekonomist amerikan, fitues i çmimit Nobel në vitin 2008. Artikulli u shqipërua nga Erjon Uka për Tiranapost.al