• Shqip
  • English
  • E enjte, 17 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Sa nje kafe nga Iva Të gjitha

    Lehtësia e papërballueshme e të quajturit “gazetarë”


    Sot në mëngjes herët me një sms ndërhyra si rrallë ndonjëherë në grupin e punës së Tirana Post dhe u lashë porosi kolegeve të mia që kur të postonin reagimet e të ndaluarve mbrëmë nga policia, të hiqnin termin “gazetare” nga një lajm dhe ta zëvendësonin me “vajzë”. Në fillim qe një reagim spontan, që më erdhi sapo lexova sqarimin që kishte bërë ajo vajzë (në anën njerëzore më vjen keq që një e re të përfundojë natën në Polici), e cila nuk kishte kuptuar asnjë nga ajo që kishte ngjarë. Ndërsa me kalimin e ditës ai instikt mëngjesor erdhi e mu kthye në një bindje të madhe: shumica e atyre që paguhen si gazetarë nuk janë fajtorë për budallalliqet që shkruajnë se as nuk e kanë idenë se çfarë shkruajnë. Përfshirë këtu dhe fakenews-et.

    “Më shoqëruan në polici që të sqaroja detaje të fotos, që nuk e di nga mbiu”, thotë ajo vajzë në sqarimin e vet, që si për ironi të fatit e shoqëron me akuza për “kolegët”, që sipas saj kanë shpifur dhe kanë thënë që ajo është arrestuar dhe jo shoqëruar. Po ta kisha përpara, po të punonte në të njëjtën redaksi me ne do i thoja “sepse janë si ti moj tarallake, botojnë çdo gjë që u vjen në “screen shot”, shkruajnë për gjëra që s’i dinë, bëjnë “publish” pa vënë trurin në punë, pa futur hijen e dyshimit, pa verifikuar, pa pyetur, pa menduar që ajo që po shkruajnë ka rëndësi, ka fuqi. Sepse janë si puna jote. Nuk e dinë nga i mbiu”.

    Nuk e kam përpara dhe shyqyr që nuk e kam, për mua dhe jo për të. Sepse e di që është prishje e kotë nervash. Ajo as vetë nuk e di çfarë ka bërë. Dhe nuk do e kuptojë as pas këtij shkrimi. Por ai që ajo ka mbi kokë, botuesi i saj Koço Kokëdhima e di mirë. Sepse njëzetë vjet të shkuara “Shekulli”, ku pata fatin të mësoja se si bëhej ky profesion, qe një gazetë me redaksi si gjithë redaksitë e botës, ku unë e të tjerë gazetarë të rinj kontrolloheshim nga redaktorët, që kontrolloheshin nga zëvendëskryeredaktorët, që kontrolloheshin nga kryeredaktori, që kontrollohej nga drejtori dhe ky i fundit nga dy borde, një për gazetarinë dhe një për etikën…. Ndërsa njëzetë vjet më pas këto struktura nuk janë më. Jo se u ka ikur koha. Jo se janë démodé. Jo se lajmet online e duan tjetërlloj nga gazetaria klasike. Por sepse kështu u vjen më për mbarë. E pse të paguajnë redaksi të tëra kur mund të marrin “ca gazetarë të ngratë”, siç i quante sot një prej atyre që mua dhe shumë të tjerëve na kanë mësuar se si ta bëjmë këtë punë?! Përderisa “profesionistët” duke u justifikuar se për të luftuar që fjala e lirë të mos mbesë vetëm në dorën e Vjollcës, Sandrit, Dulakëve, Koços, Irfanit etj etj, ua besojnë portalet e tyre “gazetarëve të ngratë” sepse aq fonde kanë, përse të mos përdorë “të ngratët” edhe Koço me shokë?!

    Kanë të njëjtat paga si 20 vjet më parë dhe nuk e kanë haberin se çfarë po bëjnë. Pra janë idealët për këtë punë. Të thonë “nuk e dimë nga mbiu” dhe të çarmatosin krejt. Derisa ta mësojnë që ajo dreq fjale ka atë rëndësi sa mund të nxjerrë nga shtëpitë me mijëra njerëz në panik, me siguri do ketë kaluar shumë shumë kohë (në e mësofshin ndonjëherë!). Lexuesit nuk janë budallenj, ata që mbrëmë morën shkallët dhe vërshuan autostradave sikur kishte ndodhur ndonjë pushtim alien, nuk mund të besojnë vazhdimisht atë që shkruhet portaleve. Dhe nuk do i gjejë ndonjë gjë e keqe në fund të fundit, edhe po s’i lexuan, ndoshta do të jetojnë më mirë. Sigurisht që nuk do të dëmtohen as pronarët e mëdhenj të mediave, mir keq ata i kanë redaksitë normale, kanë deri iku edhe besueshmërinë. Ata që na qeverisin jo e jo, nuk kanë opozitë, së shpejti nuk do kenë as media kundër, nuk mund t’u bëhej më kollaj se kaq. Dhe nuk kanë fare pse të bëjnë aksione me policë, as t’u vënë gjoba e taksa, as t’i mbyllin. Kjo media do zhduket vetë nga lehtësia e papërballushme me të cilën i thotë vetes se po bën gazetari. / Tiranapost.al. 

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]