25 rreshtat e Mirës Te gjitha

Largqoftë jeta pa burra!


Burrat nuk janë kafshët e dikurshme. Ata kanë lëshuar territore dhe gratë sot janë absolutisht më të lira se kurrë. Prandaj, një kujtesë për burrat, disa prej të cilëve i kemi baballarë, vëllezër, të dashur e bashkëshortë për të cilët bëjmë bè. Nuk është e tepërt! Mendojeni pak si do ishim pa ata.

Mira Kazhani/ Dhe folëm për gratë… dhe Tiranapost.al ishte një tribunë mirënjohjeje për gratë shqiptare që kanë lënë gjurmë, që janë të mira! Kishte në përgjithësi edhe nga media një refleksion ndryshe për 8 Marsin, Ditën e Gruas. Si çdo gjë që kërkon kohën e vet, duket se edhe Dita e Gruas po shkon në enën e vet, në formë dhe përmbajtje. Por sot duhet t’i themi dy fjalë për burrat, si feministe anti-feministe, si personae (Sexual Personae)!

Tani, burrat, kur vjen puna për liri, kanë më shumë eksperiencë sesa ne. Në luftë kanë përvojën të gjithën për vete. Drerin e kanë vrarë ata dhe e kanë gatuar gratë. Jetën e mbjellin ata dhe e rrisin gratë. Burrat janë ata që e kanë sjellë botën deri këtu, me gratë në krah, shtëpi dhe zemër, në disa raste. Tani gratë janë në parlament, në qeveri, janë drejtuese firmash e lobojnë nëpër botë. Nuk jemi të barabartë dhe ndoshta barazia është ajo që mund të na fshijë pa dashje edhe ato dëshirat hollake për pak romanticizëm. Personalisht, dua që burrat të mos heqin dorë nga të qenit gjuetarë. Zbutja e tyre në një pikë të caktuar mund ta prishë botën tonë me ndarje. Sepse diferencat – qofshin të dhimbshme – janë fuqia e padukshme e kuptimit të jetës. Ne duhet ta pranojmë se një burrë e bën picën më të mirë, fustanin po ashtu dhe telefonin e fundit! Burrat nuk janë kafshët e dikurshme. Ata kanë lëshuar territore dhe gratë sot janë absolutisht më të lira se kurrë. Prandaj, një kujtesë për burrat, disa prej të cilëve i kemi baballarë, vëllezër, të dashur e bashkëshortë për të cilët bëjmë bè. Nuk është e tepërt! Mendojeni pak si do ishim pa ata. Do ishim shndërruar në burrat që shajmë e mallkojmë, prandaj largqoftë një botë e jetë pa ta. I duam, thellë-thellë, edhe kur ankohemi…Copyright/ 25 rreshtat e Mirës është një rubrikë e përditshme e tiranapost.al