• Shqip
  • English
  • E premte, 22 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Opinion Të gjitha

    Lamtumirë Ballkan?


    Koment i «Frankfruter Allgemeine Zeitung» – 16 vjet më vonë premtimi i Selanikut për integrimin e Ballkanit në BE nuk e pasqyron më atmosferën mbizotëruese të BE-së. Këtë fakt asnjë qeveri nuk mund ta injorojë për një kohë të gjatë. Natyrisht loja e deritanishme e mashtrimit të ndërsjellë mund të vazhdojë edhe një kohë: këtu disa gjoja reforma, atje kinse integrim. Por kjo do të ishte humbje kohe për të dyja palët. Ka ardhur koha për një debat se si zgjerimi i BE-së të gjallërohet apo të zëvendësohet me një politikë tjetër.

    Nga Michaele Martens

    Në qershor të vitit 2003, 15 shtetet atëbotë anëtare të Bashkimit Europian miratuan në një samit afër Selanikut një deklaratë, e cila njëkohësisht ishte edhe premtim: «E ardhmja e Ballkanit gjendet në BE», kjo ishte fjalia qendrore. Kryetari i atëhershëm i Komisionit të BE-së, Romano Prodi, e quajti afrimin e shteteve të Ballkanit me BE-në dhe cakun e largët të anëtarësimit të tyre në BE – një «proces të pakthyeshëm».

    Kjo i përgjigjej atmosferës së përgjithshme në BE dhe ishte e menduar sinqerisht. Plagët e luftërave shpërbërëse jugosllave me më shumë se 130 mijë të vdekur dhe miliona refugjatë, ende ishin të freskëta. Lufta ajrore e NATO-s kundër Serbisë kishte përfunduar katër vite më parë. Kriminelët më të mëdhenj të luftës, të cilët i kishte përjetuar Europa pas vitit 1945, lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe gjenerali i saj Ratko Mlladiq, ende jetonin të lirë. Për qeveritë në Europën perëndimore stabilizimi i shteteve të Ballkanit dhe së paku caku i largët i pranimit të tyre në BE parmisht ishin të padiskutueshme. Ishte punë shefash.

    16 vjet më vonë premtimi i Selanikut nuk e pasqyron më atmosferën mbizotëruese të BE-së, e cila ndërkohë ka gati dyfish më shumë anëtarë se atëherë. Pas zgjerimit të madh në Lindje me 10 anëtarë të rinj në vitin 2004, pasoi pranimi i Bullgarisë dhe Rumanisë tre vite më vonë dhe i Kroacisë në verën e vitit 2013. Veçanërisht anëtarësimi i Rumanisë dhe Bullgarisë e ka zbehur optimizmin e përkrahësve të zgjerimit.

    Eurobarometri, me të cilin matet mendimi publik në shtetet anëtare, prej vitesh tregon një skepticizëm konstant të madh ndaj zgjerimit. Ndërsa liria e shpërnglujes apo planet për një politikë të përbashkët të mbrojtjes në anketat e Eurobarometrit gëzojnë përkrahje shumë të lartë dhe valuta euro gëzon mbështetje të lartë, ideja e një zgjerimi të ri të BE-së është fusha e vetme politike, e cila nuk gëzon përkrahjen e shumicës së qytetarëve të shteteve anëtare.

    Këtë fakt asnjë qeveri nuk mund ta injorojë për një kohë të gjatë. Në të vërtetë procesi i zgjerimit të BE-së nuk mori fund me pranimn e Kroacisë. BE edhe më tutje rregullisht publikon të ashtuquajturat Raporte të Progresit. Por serioziteti me të cilin punohet për perspektivën e anëtarësimit është zbehur te të dyja palët. Shumëçka të kujton simulimin. Me përjashtim të Maqedonisë së Veriut, ku së fundi vërehej vullnet i vërtetë për reforma, situata duket kështu: qeveritë e shteteve që kanë vullnet për anëtarësim bëjnë sikur po i reformojnë vendet e tyre – ndërsa shtetet anëtare të BE-së sillen sikur na qenkan edhe më tutje të interesuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Asnjëra palë nuk e ka seriozisht.

    Në të vërtetë presidentit francez duhet t’i jemi mirënjohës për shkak se në samitin e fundit të BE-së me kundërshtimin e fillimit të negociatave të reja për anëtarësim ka shpalosur atë që vlon prej kohësh dhe shumë njerëz e mendojnë. Është e vërtetë që Em­ma­nu­el Ma­cron së paku në rastin e Maqedonisë së Veriut ishte i izoluar. Të gjitha shtetet e tjera, edhe Holanda e Danimarka, të cilat janë po ashtu kritike, supozohet se do të kishin pranuar fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shkupin, ku qeveria e vetme vërtet reformatore e Ballkanit perëndimor tani gjendet para rrëzimit. Por nuk ishte Macron që e shkatërroi politikën e deritanishme të zgjerimit të BE-së. Ai vetëm ia dha asaj goditjen përfundimtare. Ajo qëmoti ishte bërë e pabesueshme. Si më tutje?

    Natyrisht loja e deritanishme e mashtrimit të ndërsjellë mund të vazhdojë edhe një kohë: këtu disa gjoja reforma, atje kinse integrim. Por kjo do të ishte humbje kohe për të dyja palët. Nëse nuk vlen më premtimi i Selanikut ose së paku nuk mund të zbatohet për arsye politike, atëherë si duhet ta definojë BE raportin ndaj Ballkanit? Askush, as Macroni, nuk dëshiron që rajonin ta lë vetëm. Por nëse procesi i deritanishëm i anëtarësimit e ka humbur kuptimin, atëherë ka ardhur koha për një debat se si të gjallërohet apo të zëvendësohet me një politikë tjetër.

    Idetë nuk mungojnë, disa propozime qarkullojnë prej vitesh. Ato kanë të bëjnë me hapjen parciale për shtetet e Ballkanit të fondeve të kohezionit të BE-së, ndaj të cilave kanë qasje vetëm shtetet anëtare, dhe me integrimin e rajonit në tregun e brendshëm europian. Gjithsesi kemi të bëjmë me një detyrë që së paku numerikisht nuk është e madhe. Gjashtë shtetet e Ballkanit perëndimor së bashku kanë më pak banorë se Rumania. Kontributi i tyre ekonomik edhe i kombinuar nuk e arrin as gjysmën e prodhimit shoqëror bruto të Rumanisë. BE synon të jetë akter serioz jo vetëm ekonomik. Në Ballkan, para portave të saj, ajo mund ta demonstrojë këtë synim – ose ta sakrifikojë me mungesë kredibiliteti./ Marrë nga dialogplus.ch/ Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post