• Shqip
  • English
  • E hënë, 24 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Opinion Sa nje kafe nga Iva Të gjitha

    Lajmet për familjen nuk janë kurrë lajm i parë


    Nga Iva Tiço/ Të publikuar më pak se 24 orë larg njëri tjetrit dhe në dukje pa ndonjë lidhje mes tyre, dy lajme shumë shqetësuese për familjet shqiptare, kanë kaluar me shumë më pak vëmendje sesa lajmet e politikës. Sipas të parit, botuar një ditë më parë nga Zëri i Amerikës, divorcet janë shtuar në Shqipëri duke bërë që 20 përqind e martesave të përfundojnë dhe lajmi më i keq ishte se çështjet përmbarimore janë dyfishuar në krahasim me pesë vjet më parë: pra gjithmonë e më shumë baballarët shqiptarë nuk paguajnë detyrimet financiare, fshehin të ardhurat, madje edhe njerëz të njohur të biznesit apo politikës dhe se fëmijët përdoren nga të dy prindërit për të lënduar njëri – tjetrin. Kurse sipas lajmit tjetër, të botuar sot, që citon një studim të kryer nga IOM, 947 gra e vajza shqiptare janë trafikuar për shfrytëzim seksual apo punë të detyruar në Britaninë e Madhe gjatë vitit të shkuar, shqiparet ishin madje grupi më i madh i trafikuar. Titulli gati gati poetik, “Ndërmjet dy Zjarresh” i studimit të hartuar nga kjo organizatë, ka lindur nga deklaratat e disa femrave shqiptare, të cilat duke përshkruar se si kanë përfunduar në situatat e shfrytëzimit kanë treguar disa histori rrënqethëse se si problemet familjare i kanë shpënë deri këtu. Nëse i dëgjon janë të tmerrshme: njëra kishte mbetur shtatzënë dhe familja e kishte braktisur, apo një tjetër ishte trafikuar nga i shoqi dhe familja nuk e kishte pranuar më në shtëpi sepse nuk e kapërdinin dot turpin.

    Në një shooqëri normale familja të mbështet gjithmonë çfarëdo që të të ndodhë, të mban larg rrugës me çdo kusht dhe është i vetmi vend ku mund të kthehesh e sigurt. Në një shoqëri normale askush nuk ikën nga frika e familjes, askush nuk përfundon në rrugë kur ka njerëz të afërt të gjakut, ku mund të strehohet. Në një shoqëri normale vetëm nga familja nuk mund të kesh kurrë frikë. Në një shoqëri normale familja mbetet e tillë edhe pasi dy prindër divorcohen: ata vijojnë të jenë prindër dhe kujdesen deri në fund për të vegjlit edhe pse tashmë nga dy shtëpi të ndryshme. Në një shoqëri normale fëmijët nuk shërbejnë për të ndëshkuar prindin tjetër, ekonomikisht apo shpirtërisht. Në një shoqëri normale familjet nuk ndërtohen si mënyra e vetme për të shtyrë jetën, për të bërë përpara, për të siguruar strehim falas apo punonjëse shtëpie që të të lajë dhe të të shplajë. Në një shoqëri normale nuk bën fëmijë sepse nuk ke çfarë të bësh tjetër në jetë dhe po mërzitesh duke ndenjur kot. Në një shoqëri normale familjet dhe gratë mbrohen, në mos nga familjet e tyre, nga një sërë institucionesh ndihmëse që  marrin fonde bash për këtë punë. Në një shoqëri normale vihet gishti kokës dhe bëhen analiza dhe merren masa kur shihet që bërthama që bën njerëzit bashkë dhe ka rregulluar për shekuj me radhë marrëdhëniet njerëzore, është në një krizë të tillë.

    Po kush tha që ne jemi shoqëri normale? Po flasim për Shqipërinë, ku lajmet për familjen nuk janë kurrë lajm i parë, po ku megjithatë njerëzit në çdo sondazh/intervistë/rrëfim në rrjetet sociale deklarojnë që ajo që ka më shumë rëndësi për ta është pikërisht “familja”. Të jemi të pasinqertë dhe këtu? Apo kaq dimë e kaq bëjmë?!