Aktualitet

Lajm i mirë për studentët

Qeveria ka një lajm të mirë për studentët. Në mbledhjen e fundit është miratuar vendimin që përcakton se cilët studentë përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit, si dhe çfarë kriteresh duhet të plotësojnë.

Sipas vendimit përjashtohen studentët të cilët janë pranuar në një program të ciklit të parë të studimeve, në një program të integruar të studimeve ose në një program të studimeve profesionale, në institucionet publike të arsimit të lartë, të kategorive të mëposhtme:

-Studentët me aftësi të kufizuara, studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme nga njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, si dhe studentëve deri në moshën 25 vjeç, që kanë vetëm njërin nga prindërit.

-Studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç. Studentët deri në moshën 25 vjeç, që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë.

-Studentët deri në moshën 25 vjeç, që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore.

-Studentët fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, të konfirmuar nga ministria përgjegjëse për punët e brendshme dhe ajo e mbrojtjes.

-Studentët romë dhe ballkano-egjiptianët, të konfirmuar si të tillë nga ministria përgjegjëse për mirëqenien sociale.

-Studentët fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie.

-Studentët e shkëlqyer që rezultojnë me notën mesatare vjetore 10 (dhjetë), për studentët e regjistruar në vitet pas të parit.

Të gjithë studentët sipas kategorive të individëve që plotësojnë e këtij vendimi, përjashtohen nga tarifa vjetore e studimit, pas paraqitjes së dokumentacionit vërtetues për statusin e tyre ligjor, me vendim të Bordit të Administrimit të Institucionit Publik të Arsimit të Lartë.