Aktualitet

Kuvendi vendos në orën 11:00 për Saimir Tahirin. Ish-Ministri: Pas mbledhjes do arrestohem

Këshilli i Mandateve mblidhet sot në orën 11:00 për të vendosur në lidhje me hapjen rrugë të arrestimit të Saimir Tahirit, me kërkesë të Prokurorisë nën akuzën e trafikut të drogës si i implikuar në dosjen Habilaj.

Ishte kryeparlamentari Gramoz Ruçi i cili një ditë më parë njoftoi mbledhjen për në orën 11:00 të paradites në Kryesinë e Kuvendit.

“Pasi u konsultova me stafin e Kuvendit, materiali u vihet në dispozicion anëtarëve, po ashtu edhe Saimir Tahirit, nesër (sot) në orën 11:00 mblidhet këshilli” theksoi Ruçi në konferencën për mediat.

I pranishëm në këtë mbledhje do të jetë edhe ish-Ministri i Brendshëm. Tahiri e konfirmoi prezencën e tij në intervistën për “Opinion”, ku ndër të tjera paralajmëroi se Kuvendi do të pranojë kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe rrjedhimisht arrestimin e tij.

“Nesër (sot) Këshilli i Mandateve mblidhet pas kërkesës së prokurorisë për t’më arrestuar. Nuk kërkon as t’më hetojë, por t’më arrestojë. Kuvendi është thirrur të votojë nëse do arrestohem apo jo. Prokuroria ka kërkuar një gjë që nuk e ka kërkuar për asnjë politikan në Shqipëri. Pas mbledhjes së komisionit unë i bie të arrestohem. Nëse prokuroria ka kërkuar pse dy barbonë flasin me njëri tjetrin dhe më përmendin mua dhe prokuroria për këtë arsye më akuzon....prokuroria nuk ka çuar asnjë provë në kuvend. Unë i bie të arrestohem pse dy kriminelë flasin me njëri-tjetrin dhe përmendin mua.” tha ndër të tjera Tahiri mbrëmë në “Opinion”.

Edhe Kryeministri Edi Rama në postimet e tij në Facebook ka lënë të kuptohet se parlamenti do t’i hapë rrugë drejtësisë për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë personat e implikuar.

E gjithë situate e krijuar, nisi pasi emri i Tahirit doli në disa përgjime të kryera nga prokuroria italiane për një bandë droge të kryesuar nga Moisi Habilaj, kushëri i largët me ish-Ministrin E.C/ Copyright TiranaPost.al

(Në foto: Kërkesa e Prokurorisë drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit)