Aktualitet

Kushtetuesja/ Arta Vorpsi bën betimin dhe ia dërgon me postë Presidentit Meta

Kushtetuesja/ Arta Vorpsi bën betimin dhe ia dërgon me postë

U betua ditën e sotme Arta Vorpsi, anëtarja e Gjykatës Kushtetuese e zgjedhur automatikisht pas përfundimit të afatit 30 ditor që ishte përcaktuar për zgjedhjen e  anëtarëve.

Pasi Ilir Meta refuzoi që ajo të bënte betimin në institucionin e Presidentit, Vorpsi është betuar përpara noteres Miranda Xhemalçe, një ditë pasi kreu i shtetit deklaroi se nuk do të organizonte një ceremoni betimi për të. Betimin më pas raportohet se ia ka nisur kreut të shtetit me postë.

“Unë e nënshkruara Arta Vorpsi në cilësinë e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese të emëruar, bazuar në vendimin nr. 132 datë 21.09.2019 të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, botuar në Fletoren Zyrtare nr.151/2019 si dhe në nenin 8 të ligjit nr. 8577/2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", me vullnetin dhe gatishmërinë për të ushtruar menjëherë funksionin e gjyqtarit kushtetues dhe me dorën e vendosur mbi kushtetutë.

Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mua do t'i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Kjo deklaratë hartohet në 4 kopje, 1 kopje mbahet nga deklaruesi ndërsa 1 kopje i dërgohet presidentit të Republikës, 1 kopje i dërgohet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe 1 kopje i dërgohet Gjykatës Kushtetuese", përmbyllet deklarata e Arta Vorpsit.

Pas betimit të Vorpsit, reagoi edhe Presidenca përmes zëdhënësit Tedi Blushi, i cili shkroi se Meta nuk ndalon askënd të betohet as tek noterja, as tek parukierja.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta nuk ndalon askënd të betohet as tek noterja, as tek parukierja. Presidenti Meta është betuar me dorë mbi Kushtetutë dhe për të Shqipëria dhe shqiptarët janë të parët”, shkruan Blushi në Facebook.

Presidenti Ilir Meta dekretoi dje Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese në vendin që ishte zënë nga Arta Vorpsi pas përfundimit të afatit 30 ditor të kreut të shtetit për t'u shprehur mbi listën e propozuar nga KED./ Tiranapost.al