• Shqip
  • English
  • E premte, 20 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Ide Libra Të gjitha

    Kushdo që ka shpikur martesën, ka qenë një xhelat i zgjuar/ Botohen ditarët “heretikë” të Susan Sontag


    Botohen ditarët e shkrimtares, regjisores, filozofes dhe aktivistes politike amerikane Susan Sontag. Në disa pasazhe të përkthyera për Tiranapost.al ajo flet për lirinë e jetës, për neverinë që i shkakton martesa dhe sinqeritetin në marrëdhëniet njerëzore.

    Rrëfimet e një shkrimtareje

    31 dhjetor 1957

    Është e përciptë ta mendosh ditarin thjesht e vetëm si një enë që mbledh mendimet tona private, sekretet, sikur të ishte një i besuar shurdh, memec dhe analfabet. Në ditar nuk privohem për të shprehur vetveten më hapur nga sa mund të bëj me një tjetër njeri: unë e krijoj veten time. Ditari është një mjet që më jep kuptimin e identitetit. Shpesh ka një kontradiktë mes kuptimit të sjelljes sonë me një person dhe asaj ç’ka shkruajmë në ditar se ndjejmë për atë person. Por kjo nuk do të thotë se ajo që bëjmë është sipërfaqësore dhe se vetëm ajo që i rrëfejmë vetes sonë është e thellë. Rrëfimet, natyrisht nënkuptoj rrëfimet e sinqerta, mund të jenë edhe më sipërfaqësore se veprat. Kam në mendje atë që sot lexova mbi veten time në ditarin e H., atë gjykim të thatë, të pandershëm e zemërngushtë ku në përfudnim thotë se nuk i pëlqej vërtetë por se pasioni që ndjen është i pranueshëm dhe i përshtatshëm. Zoti e di se sa të dhemb një gjë e tillë dhe jam e indinjuar dhe e poshtëruar. A ndihem në faj për shkak se kam lexuar atë që nuk ishte e destinuar për sytë e mi? Jo. Një nga funksionet kryesore (sociale) të një gazete intime apo të një ditari është pikërisht ai që të lexohet fshehurazi nga njerëz të tjerë, nga njerëz (si prindërit + dashnorët) për të cilët je mizorisht i sinqertë vetëm në ditar.

    Dëshirë arratisjeje

    25 maj 1949

    Sot një mendim më ka kaluar nëpër kokë, një mendim kaq i qartë, kaq i qartë prej kohësh. Dukej absurde që papritmas e kuptova për herë të parë, u ndjeva goxha e tronditur, paksa histerike: Nuk ka asgjë, asgjë që të më ndalojë të bëj diçka, përveç vetes sime… Çfarë mund të më ndalojë të ngrihem e të marr avionin? (…) Universiteti përfaqëson sigurinë, sepse është gjëja më e mbrojtur… Për sa i përket nënës sime, sinqerisht as nuk më intereson. Nuk dua ta shoh më. Lidhja e ngushtë me të mirat materiale – me librat dhe disqet – dy obsesione dërrmuese për mua në dy vitet e fundit, janë ato ç’ka më pengojnë për të vënë letrat, fletoret, disa libra në një kuti të vogël e t’i dërgoj në një qytet tjetër; të vesh këmishë dhe levis e të iki nga shtëpia, pasi t’i kem lënë botës një mesazh alla Byron, të marr autobusin për një vend çfarëdo… Oh Zot i madh, të jetosh është kaq gjë e madhe!

    Skena nga një martesë

    4 shtator 1956

    Kushdo që ka shpikur martesën, ka qenë një xhelat i zgjuar. Është një institucion i dobishëm për venitjen e ndjenjave. Aspirata e saj më e madhe është krijimi i varësive reciproke. Në fund, zënkat bëhen të padobishme, vetëm nëse nuk janë gjithmonë të gatshëm të veprojnë pas pasojave, pra, t’i japin fund martesës. Kështu, pas vitit të parë nuk ka më “paqe” pas zënkave. Çifti bie në një heshtje të zemëruar, që transformohet në një heshtje të vazhdueshme e më pas rifillon sërish.

    15 shkurt 1958

    Martesa është një lloj gjuetie e heshtur në çift. Bota është e përbërë nga çifte, çdo çift rri në shtëpinë e tij të vogël për t’u kujdesur për interesat e tyre të vogla dhe treten në intimitetin e tyre të vogël: Kjo është gjëja më e neveritshme në botë. Duhet ta heqim qafe eksluzivitetin e dashurisë bashkëshortore./Shqipëruar nga Erjon Uka për “Blogu i rërës” në Tiranapost.al

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690