Sa nje kafe nga Iva

Kush prish një kek, sajon një tjetër ëmbëlsirë

Nuk mendoja kurrë se do vinte dita që të shkruaja për kuzhinën, aq më pak të jepja receta. Por ja që dhjetëra zonja, që më ndjekin në instagram, më shkruajnë akoma sot e kësaj dite që t’u dërgoj recetën e një keku të famshëm çokollate, që kam bërë më shumë sesa tre muaj më pare, tek “Kush vjen për drekë”. Madje edhe një kabuni modeste, e postuar në story, të hënën e shkuar, pati më shumë sukses sesa fotografia ime më e bukur, shoqëruar me shumë komente “të lutem, ma jep pak recetën”.

Ndoshta as sot, të dielën në mbrëmje, në kohën më të zbrazët të javës, nuk do kisha shkruar kurrë, aq më pak receta në portal, nëse nuk t’i kisha raportuar Mirës në Whasapp, se ai keku i mbrëmshëm me mollë, që në foto dukej aq i bukur, ndryshe nga ai i javës së shkuar që mori aq komplimenta, sa ma bëri zemrën mal, në fakt ishte një dështim i plotë… Dhe ishte ajo që këmbënguli, që kjo ishte një histori për t’u ndarë. Bashkë me recetën, sigurisht. Sidomos për recetën.

Mund të ndodhë, pra, të bësh gabim në kuzhinë dhe shija të mos jetë ajo që kërkoje. Madje, të mos ngjajë aspak me atë që kishe në mendje… Dhe pas gati 24 orësh që vret mendjen çfarë është bërë gabim (në fillim u akuzuan mollët, që ishin vetëm të bukura por jo të shijshme), pas rrëmimit nëpër kekun që nuk pritet bukur dhe analizës shkencore duke ngrënë herë pas here, gabimi zbulohet: keku nuk ka miell. As edhe një pikë brenda, por vetëm atë me të cilin është lyer tava me gjalpë… Ndodhka pra, ajo për të cilën kam vënë në lojë të tjerët: mungesa e vëmendjes.

Çfarë bëhet? Epo jo ndonjë gjë e madhe. E gjitha kjo mund të kthehet në një histori suksesi. Për shembull, të njëjtën përzierje të këtij kekut me mollë mund ta provojmë sërish pa miell, kësaj radhe me gjithë vëmendjen e duhur, mund ta shtrojmë mbi një petë brisé, që blihet dhe e gatshme dhe voila, kemi një ëmbëlsirë të shkëlqyer, që ngjan si franceze, që mund ta hamë të hënën në mëngjes (ky ishte ngushëllimi i Mirës, që nga gabimet në kuzhinë lind një kuzhinë edhe më e mirë).

Për të gjitha ndjekëset që më japin zemër çdo javë në Instagram, më poshtë receta origjinale e kekut me mollë, sipas Linda Fishtës, kuzhinën e të cilës e gjeni në “Living”, sepse unë recetat nuk i shpik vetë: i ekzekutoj me përpikmëri, kur kam mendjen. Dhe nëse harroni miellin, e dini vetë tani, shtrojeni përzierjen mbi një petë brise… Dhe meqë po shpikim, pak spërkatje kanelle vetëm mirë do t’i bënte.

Përbërësit

1 kg mollë

100 gr gjalpë i zbutur në temperaturë ambienti

100 gr sheqer

150 gr miell

2 vezë

1 lugë e vogël sodë për ëmbëlsira

Lëngu i gjysmë kokrre limoni

1 filxhan kafeje qumësht

Përgatitja

  • Ndëzim furrën në 180 gradë
  • Mollët e qëruara i presim në feta të holla dhe i spërkasim me lëng limoni, që të mos nxihen
  • Më rrahësen e vezëve përziejmë gjalpin me sheqerin dhe vezët për 2-3 minuta. Shtojmë miellin, sodën dhe në fund qumështin. E përziejmë brumin me mollët dhe në fund e shtrojmë në tavën e lyer me gjalpë dhe miell.
  • E spërkasim me pak sheqer kaf dhe i shtojmë rreth një lugë gjalp sipër. E vëmë të piqet në pjesën e poshtme të furrës, përafërsisht 40 minuta. Nuk ka nevojë të bëjmë provën me kruajtëse dhëmbësh, se keku brenda duhet të mbetet i lagësht.