Showbiz

Kush po bën më shumë bullizëm dhe rastet e fundit me vajzat e famshme

Derisa njerëzit ta ndajnë çfarë duan dhe të kuptojnë që jo gjithçka duhet të jetë siç ata duan, derisa të gjithë të njohin empatinë, të mësojnë të ecin me këpucët e tjetrit dhe ta kthejnë thikën në zemrën e tyre, gjuha e urrejtjes dhe bullizmi, përmes aksesit bujar në rrjetet sociale do t`i ketë ndarë të gjithë, përgjithmonë!
Kush po bën më shumë bullizëm dhe rastet e fundit me vajzat

Nuk ka rëndësi mosha, statusi apo vendndodhja. Njerëzit çdo ditë e më shumë po keqpërdorin rrjetet sociale duke e humbur totalisht qëllimin primar për të cilin u krijuan. Mark e shpiku Facebook-un për t`u lidhur me shokët e Universitetit, për të ndarë punët e detyrave të kursit, pastaj bleu Instagramin, na mësuan se si të bëjmë statuse, të postojmë foto, t`i pëlqejmë apo komentojmë miqve. Rrugës gjetëm bullizmin, armën që po e shkatërron misionin e rrjeteve sociale e që më shumë po ndan se po bashkon njerëz.

Le t`i kthehemi edhe njëherë, mbase për të fundit herë, çështjes “Alketa-Xhemi-Luana-Marina”. Mes statuseve të Revista Class, që drejtohet nga Alketa Vejsiu, që të gjithë i mësuan përmendësh, e u komentua për tre ditë radhazi lart e poshtë në rrjet, kishte brenda sulmit për figura publike, psh në rastin e Xhemi Shehut, fjalën “gagaçe”, duke etiketuar gjithë ata që kanë vështirësi në të folur apo fjalia mes komenteve: “Xhemile është pastruesja jonë”. A thua sikur emrat kanë profesion, e një Xhemile mund të jetë asgjë tjetër veçse pastruese. Statusi i mëshonte më tej faktit që Xhemi kishte ndryshuar shumë në pamje e se s`kishte qenë kaq e bukur, duke u fokusuar në aspektin fizik e duke analizuar si një doktor plastik.

Pastaj ishte edhe statusi për Marinën dhe Luanën që vinte në dukje vajzat me gjoksin e madh, kur një artikull gazetarask dhe jo bullist, do ishte nëse do flisnim për modelin, për veshjet e Luanës në Prime Time, ato që një prezantues i ka në dorë dhe janë ku e ku me fustanet që ndërroi Alketa Vejsiu. Vejsiu u ndërrua, por nuk zhvishet në ekran. Ta pranojmë e themi hapur! 

Ndjekësit herë me emër e mbiemër e herë tjetër me identitet të fshehur vërshuan me komentet e tyre duke sulmuar Revistën Class, jo se iu përgjigj me inat apo se po hakmerrej, por se mënyra disi bulliste, linte shije të helmët.

Të njëjtët ndjekës, po në “shtëpinë e saj”, të Alketa Vejsiut, nisën të kërkonin hundën e Alketës, duke u shndërruar në bullistë. I kërkuan të nxirrte fotot e saj të vjetra e duke i kujtuar hundën, syzet, veshët, madje dhe këmbët. Gjakrat u ndezën dhe Alketa Vejsiu iu mbylli gojën, duke aktivizuar opsionin “No coment” në Instagram. 

Ky nuk është rast i izoluar. Sharje, ofendime, stigmatizim ka ngado nëpër rrjet. Viktimë këto ditë ishte edhe Arbana Osmani.

“Je plakur shumë, futja ndonjë botox”, i shkruante dikush me profil gruaje Arbanës në Instagram. Ajo iu kthye se mirë ishte vetëm se s`kishte përdorur filtrat. Këta janë po të njëjtët njerëz që sulmojnë çdo ditë vajza të tjera të showbizit, duke i quajtur “botox i gjallë”, “plastikë” apo siç në zhargon i quajnë “të bëra”.

Ky nuk është fenomen vetëm i njerëzve tanë publik. Dy gazetarë komentuan pa kursim pamjen e Blue Ivy-t vajzës 8-vjeçare të Beyonces. I qanë hallin përse kishte marrë më shumë gene të të atit e i sugjeruan të bënte operacione plastike. Sigurisht që u detyruan t`i fshinin statuset e të kërkonin ndjesë publike, por shijen e hidhur e lanë. Dhe, siç ekspertët thonë, e keqja e bullizmit virtual është se nuk mund t`i shpëtosh dot. Ai të ndjek ngado. “Bullizmi në rrjete sociale është edhe më i vështiri, jo vetëm për masën e madhe të “spektatorëve”, por edhe për faktin se nuk mund t`i arratisesh. Ngado të shkosh, të kap, duke të bërë tag apo duke të ta dërguar dikush tjetër”, thonë ekspertët e huaj.

Pra bullizëm nuk bëkan vetëm fëmijët e vegjël me njëri-tjetrin në shkollë, nuk bëkan as njerëz pa arsim të lartë e pa status. Bullizmi bëhet në mes të ditës mes grash e zonjash që bëjnë televizion, mes njerëzish që njëherë janë viktima, herë tjetër fajtori, mes komentuesish që nuk dinë çfarë duan: njëherë pamjen perfekte me botoks, herë tjetër natyralen.

Derisa njerëzit ta ndajnë çfarë duan dhe të kuptojnë që jo gjithçka duhet të jetë siç ata duan, derisa të gjithë të njohin empatinë, të mësojnë të ecin me këpucët e tjetrit dhe ta kthejnë thikën në zemrën e tyre, gjuha e urrejtjes dhe bullizmi, përmes aksesit bujar në rrjetet sociale do t`i ketë ndarë të gjithë, përgjithmonë!

*Ky post është realizuar nga Fabjola Hije

http://www.tiranapost.al/foto-komentuesin-duan-xhemi-shehun-dhe-harrojne-motrat-vjollca/ 

http://www.tiranapost.al/pas-hakmarrjes-me-xhemin-kriset-edhe-marredhenia-e-alketes-me-marinen/

http://www.tiranapost.al/mbesa-ime-e-bukur-babai-i-beyonce-s-mesazh-terthorazi-per-gazetaret-qe-e-quajten-blue-ivy-n-te-shemtuar/

http://www.tiranapost.al/alketa-merr-hak-per-shakane-e-xhemit-ne-portokalli-sot-ne-ditelindjen-e-saj/

http://www.tiranapost.al/alketa-pendohet-per-motrat-vjollca-por-jo-per-xhemin/