• Shqip
  • English
  • E enjte, 17 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Opinion Të gjitha

    Kush pengon reformën Zgjedhore pengon reformën në Drejtësi


    ‘Miratimi i reformës në drejtësi në Shqipëri dhe procesi i Vetingut, po aq sa edhe situata e pazakontë e vakuumit të krijuar në institucionet e drejtësisë, ka krijuar një lloj stepjeje tek ekonomitë e tjera të rajonit.  Nuk është proces i lehtë të ndryshosh 1/3 e Kushtetutës siç ndodhi në Shqipëri apo të rivlerësosh/vetosh të gjithë gjyqtarët e prokurorët e sistemit, duke rrezikuar edhe boshatisjen e institucioneve. Sikur diskutimet mes nesh në rajon, mbi modelin radikal të reformës në drejtësi që ka nderrmarre Shqiperia të ishin publike, sikur reagimet  për procesin e Vettingut apo  habia mbi numrin e gjyqtarëve që kanë lënë sistemin gjyqësor në Shqipëri, përmes shkarkimeve dhe dorëheqjeve, të ishin po aq publike, jam e bindur që do ta kishin të gjithë më të lehtë për të kuptuar çdo të thotë : It’s all about justice’!

    Majlinda Bregu

    HIGH LEVEL REGIONAL CONFERENCE “IT’S ALL ABOUT JUSTICE”

    Më vjen mirë që pas disa përpjekjeve, RCC së bashku me Ministrinë e Drejtësisë së Shqipërisë, arritën të organizojne këtë pikë-takim me 6 vendet e Ballkanit Perendimor. Nje pikë-takim ku shpresoj që së bashku me përfaqesues nga institucionet e pavarura të drejtësisë, shoqëri civile, media të kemi mundësi përplasje mendimesh e qarje hallesh për zbatimin e ligjit në vendet tona, dhe kjo e sotmja të mos mbetet thjesht një konferencë me mesazhe të përsëritura.

    Jo pa qëllim ky takim ndodh sot në Tiranë dhe po me të njëjtin qëllim pas një muaji ministeriali tjetër i Drejtësisë do të jetë në Shkup.

    Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vendet të cilat presin vendimin e mesit të Tetorit për Çeljen e Negociatave si domsodoshmëri për të ruajtur reformat e nisura dhe për të hedhur hapin e radhës në procesin e integrimit europian.

    Por për sa kohë anëtarësimi në BE vijon të jetë synimi përfundimtar i të gjashta ekonomive të rajonit, të gjithë presin me ankth vendimin e këtij tetori për të lexuar më qartë ndryshimet që mund të sjellë ky vendim në situatën gjeopolitike në rajon e më gjerë, marrëdheniet dypalëshe e bashkëpunimin rajonal.
    RCC ka një instrument shumë interesant të matjes së opinionit publik dhe biznesit për çdo vit i cili quhet Ballkan Barometer. Leximi i të dhënave të këtij viti ishte me shumë se punë zyre edhe për ne. Dhe pas analizave e rianalizave perfundimi ynë ishte: Qytetaret e lexojnë realitetin mençurisht.

    56% e qytetarëve të rajonit mbështesin anëtarësimin në BE. Për herë të parë pas 5 vitesh kjo shifër është me e lartë se 50%. Nuk di të them nëse kjo rritje në mbështetje vjen se qytetaret janë të lodhur me realitetin së brendshmi, apo se sa më e vështirë bëhet Europa aq më shume e duam ne.
    Unë jam vetë dëshmitare e kohërave të ndryshme të ecejakeve tona europiane.

    Nuk mbaj mend sa shumë raporte, kritere, takime, biseda, ore të tëra me nerv, pa nerv, pasion, zemërim, debat, sulme, premtime, bllokime, gënjeshtra, të vërteta, kemi konsumuar këto vite, por pavarësisht se ç’me sjell para syve kujtesa, nuk arrij ende të kapërdij pse sa herë na duket se jemi më afër, ndertojmë distanca edhe më të mëdha…
    Është e vërtetë! BE-ja ka qenë shtysa kryesore dhe më e rëndësishme në rajon për promovimin e demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave themelore dhe pakicave.

    Por nëse 56% e qytetarëve ne BP besojnë se jeta e tyre do të ndryshojë për mirë kur të jenë vend anëtar i BE-së, 75% e tyre janë të pakënaqur për mënyrën sesi zbatohet drejtësia. 59% mendojnë se ligjet nuk zbatohet në mënyrë efektive dhe 70% e qytetarëve mendojnë se nuk zbatohen në mënyrë të barabartë (BB2019).
    Si për ta qartësuar edhe më shumë pakënaqësinë e tyre,- parlamentet dhe gjykatat janë institucionet publike më pak të besueshme në rajon 74% ose ndryshe partitë politike dhe institucionet e drejtësisë janë sipas 75% të tyre më të korruptuarat.

    Arsyeja tjetër se pse ky piketakim u vendos në Tiranë, ka të bëjë pikërisht me Reformën në Drejtësi që ka ndërrmarrë Shqipëria.
    Miratimi i reformës në drejtësi në Shqipëri dhe procesi i vetingut, po aq sa edhe situata e pazakontë e vakuumit të krijuar në institucionet e drejtësisë, ka krijuar një lloj stepjeje tek ekonomitë e tjera të rajonit. Nuk është proces i lehtë të ndryshosh 1/3 e Kushtetutës siç ndodhi në Shqipëri apo të rivlerësosh/vetosh të gjithë gjyqtarët e prokurorët e sistemit, duke rrezikuar edhe boshatisjen e institucioneve. Sikur diskutimet mes nesh në rajon, mbi modelin radikal të reformës në drejtësi qe ka ndërmarrë Shqipëria të ishin publike, sikur reagimet për procesin e Vettingut apo habia mbi numrin e gjyqtarëve që kanë lënë sistemin gjyqësor në Shqipëri, përmes shkarkimeve dhe dorëheqjeve, të ishin po aq publike, jam e bindur që do ta kishin të gjithë më të lehtë për të kuptuar çdo të thotë : It’s all about justice!
    Sot jam edhe më e bindur se 18 muajt e debateve, vështirësive, luftës së nervave me të gjithë aktorët politikë që në media flisnin për një system të ri të drejtësisë të pavarur nga çdo lloj ndikimi politik, dhe nga ana tjetër krijonin pengesa artificiale për ta bllokuar, ia kanë vlejtur pavarësisht kostove personale te gjithkujt që beson se për të garantuar të drejtën e qytetarëve për një shoqëri demokratike, ku pandëshkueshmëria nuk është normë e shoqërisë dhe ku askush nuk është mbi ligjin, duhet të paguash edhe një çmim!

    Rumania ende sot tronditet politikisht pikërisht prej zbatimit të reformës në drejtësi. Rumania dhe Bullgaria u bënë vende anëtarë në 2007. Pavarësisht reformave me cepa e dërrmuese përfshi dhe ndryshimet në sistemin ligjor, Bullgaria dhe Rumania edhe pas nje decade kane akoma ne fuqi mekanizmin e Bashkepunimit dhe Verifikimit përmes të cilit Komisioni Europian monitoron që reformimi I drejtësisë vazhdon edhe pas Anëarësimit.

    Kroacia u bë vend anëtar në 2013. Kroacia i shpëtoi deri diku mekanizmit që ka në fuqi Bullgaria e Rumania pasi reformën në drejtësi iu desh ta bente para anetarësimit. Por në 2000 kur Kroacia ndryshoi për herë të tretë kushtetutën që prej nënshkrimit të MSA, numri i dosjeve pirg në gjykata ishte 1,5 milionë. Në 2018 mbërriti në 407 mijë.

    Çka po bën Shqiperia sot, për Kroacinë kanë qenë benchmarks për mbylljen e kapitujve 23&24.

    Dhe për të mos marrë shembull vetëm anëtarësimet e këtij dhjetëvjeçari. Vetëm një vit më parë Komisioni Europian çoi Poloninë në Gjykatën Europiane të Drejtësisë për ndryshimet në lidhje me Gjykatën e Lartë të cilat cënonin pavarësinë e këtij institucioni. Ndaj sa herë të bëhemi keq për vonesën në këtë proces, mbasë është mirë t’i themi vetes se për zbatimin e ligjit jo vetëm steak do të ngrihet me lart, por monitorimi do të vijë vit pas viti duke u shtuar.

    Po i kthehem edhe njeherë Balkan Barometrit.

    Nuk është rastësi, që përveç drejtësisë institucioni tjetër më i pabesueshëm në të njëjtat shifra është Parlamenti. Dhe s’ka si të jetë rastësi qe edhe Bundestagu cakton një binom kushtesh si parakushte për çeljen e negociatave: reformën zgjedhore dhe kushtet që lidhen me reformën në drejtësi.
    Këto janë problemet sistematike që kanë vendet tona. Nëse zbatimi i ligjit pengohet nga ata që kanë pushtet politik dhe që kanë mundësi ta gozhdojnë dominancën e tyre përmes procesit të votimit, atëherë ja pse reforma zgjedhore dhe ajo në drejtesi janë një kusht i vetëm ose një Binom. Mungesa e një reforme elektorale, pengon konsolidimin e shtetit të së drejtës.

    Kush bllokon reformën zgjedhore pengon zbatimin e ligjit, forcimi i të cilit i heq kudo pushtetit mundesinë për të abuzuar me votën.

    “Ide dhe koncepte te panjohura u aplikuan në një vend me tradita të ndryshme ligjore dhe politike” ( “Ideas and concepts hitherto unknown have been applied in the country of very different legal and political traditions”). Keshtu Alexis de Tocqueville permblidhte hapat e parë të demokracisë në Amerikë. Kjo është ajo që ndodh me reformën në drejtësi dhe procesin e anëtarësimit në BE.

    Çështja është kush na jep garanci që kjo reformë do të sjellë ndryshimin që duam dhe sa do të jetë e qëndrueshme?

    Unë nuk di sa kohë do të marrë vendosja e një sistemi efektiv e të paanshëm drejtësie dhe kthimi në hallka të besueshmërisë, për më tepër që koha ikën e na lë të gjithëve shpesh në një paqartësi solemne. E shkuara është ende pjesë e të tashmes, e tashmja duket e zymtë e ardhmja është under construction. Por di se rrugë tjetër për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët europiane të rajonit, perveç asaj të sundimit të ligjit,- Nuk ka./ Tiranapost.al. 

     

     

     

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]