Aktualitet

Kush ia ofroi Blendit valixhen me euro? E gjejmë, po të kujtojmë ca valixhe të tjera

Dje, në një intervistë për Jonida Shehun për “Pasdite në Top Channel”, Blendi Fevziu iu përgjigj në një mënyrë të pazakontë pyetjes së saj se është ndër të rrallët që ka bërë vetëm një lëvizje, nga TVSH-ja në Klan dhe se duhet të ketë pasur edhe oferta të tjera punë. “Po kam pasur. Madje më ka ndodhur që më kanë ftuar për drekë dhe më ofruan një valixhe me euro, pagesën e një viti të tërë”.

Jemi të sigurt që të gjithë jeni bërë kuriozë të dini se kush ia ka bërë këtë ofertë kaq bujare? Po të bashkosh ca copëza historish të ngjashme, mbase edhe e gjen.

Një lajm i tillë shumash të mëdha në euro u përfol edhe kur Adi Krasta u largua në mënyrë të papritur nga Vizion Plus, për t’u shfaqur në Agon Channel, ekranin më të ri, i cili u krijua në vitin 2013 dhe që tronditi jo pak televizionet e tjerë me përthitjet e figurave që bëri mu në mes të sezonit televiziv dhe pagesat e majme të gazetarëve që ofroi.

250 mijë euro për një sezon u përfol se u pagua Adi Krasta, për të lënë Vizionin e për të filluar “Duartrokitje” dhe “A Show” në Agon Channel. Krasta vetë as e pohoi e as e mohoi shumën e vërtetë, preferoi thjesht ta quante “paturpësisht të parezistueshme”. Dhe duhet të ketë qenë vërtet e tillë.

E parezistueshme duhet të ketë qenë edhe oferta që iu bë Saimir Kodrës, i cili braktisi studion e “Fiks Fare” në Top Channel, për të shkuar në një të ngjashme e për të drejtuar një klon të emisionit të tij, por me emër tjetër. “Ça thu” u quajt Fiksi i ri i Agon Channel, për të cilin u tha se Saimiri u pagua 12 mijë euro në muaj.  Zërat thonë edhe se oferta kishte qenë për të gjithë redaksinë e “Fiks Fare” me në krye Filip Çakulin, që nuk pranoi të largohej.

Por që emisioni të quhej tamam i kopsitur, Saimirit i duhet një partner. Aktori i humorit Gent Zenelaj iu bashkua Saimirit në të njëjtën tavolinë duke lënë “Apartamentin 2XL” në Vizion Plus në mënyrë krejt të beftë. Ç’mund ta ketë detyruar të bëjë një rol që nuk e kishte provuar kurrë, në një format krejt të ri për të, përveçse një shumë e madhe parash (e cila u tha se në fillim iu ofrua Gent Pjetrit, partnerit të Saimirit tek Fiksi, por që ai e pranoi e më pas e refuzoi)?

“500 mijë euro i ka ofruar Agon Channel Ardit Gjebresë”, u shpreh Aleksandër Frangaj para ca kohësh në Opinion, teksa diskutohej për çështjen “Becchetti”, pronarin e Agon Channel, Francesco Becchetti, televizioni i të cilit u mbyll pas dy vitesh e gjysmë transmetim.

Po t’u shtojmë këtyre edhe emra të tjerë të rëndësishëm të medias, të dukshëm e të padukshëm, por edhe figura të njohura të importuara nga ekranet italiane, që iu bashkuan ekranit i cili pati për qëllim të mblidhte crème de la crème të televizioneve, nuk ka pse të mos ketë qenë edhe Blendi Fevziu një nga të synuarit, për të mos thënë kryesori. Me një figurë aq potente të emisioneve politike, Agon Channel do kishte çimentuar pozitën e tij si konkurrenti i tretë përballë dy më të fuqishmëve, Klan dhe Top Channel. Si mund ta bënte tjetër, përveçse me një valixhe me euro?  “Padyshim jam lëkundur, jo nga oferta, por jam lëkundur kur nuk jam ndjerë mirë emocionalisht në raport me vendin e punës ku jam! Kur nuk kam pasur hapësirën që kam, kur nuk kam pasur vlerësimin që kam”, tha Fevziu dje, i ulur vetëm për ca minuta në studion e Top Channel, për t’u kthyer pas pak sërish në të vetën, në televizionin Klan. /Klaudeta Skënderasi. Tiranapost.al