Aktualitet

Kush është milioneri Ramiz Kelmendi, biznesmeni kosovar pro serb, importuesi kryesor i mallrave nga Serbia

Kush është milioneri Ramiz Kelmendi, biznesmeni kosovar pro serb,

Ish-zëvendëskryeministri dhe deputeti aktual i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Ramiz Kelmendi është importuesi kryesor i mallrave serbe në Kosovë dhe një nga lobuesit më të fortë për heqjen e taksës 100%, që qeveria kosovare ka vendosur së fundmi për produktet që vijnë nga Serbia. Ky qëndrim i tij pro serb, të cilin e ka shprehur disa herë hapur në media, është i lidhur ngushtë me interesat e tij financiare. Si pronar i kompanisë “Elkos Group”, nga të dhënat zyrtare të doganave kosovare, rezulton se deputeti supermilioner i LDK-së të jetë një nga importuesit më të mëdhenj të mallrave serbe në Kosovë. Kjo ka krijuar goxha debate në Kosovë.

Siç raportojnë mediat e shumta kosovare, kompania e Kelmendit është në top listën e kompanive që importojnë produktet serbe dhe që i shesin në Kosovë, duke mundur që gjatë këtyre viteve të sigurojnë fitime të majme. Natyrshëm që vendimi i qeverisë kosovare penalizon më shumë se gjithçka tjetër, pikërisht Kelmendin si njeriun i cili e ka të lidhur të ardhmen e biznesit të tij me produktet dhe mallrat serbe. E duket se tashmë që Kosova e ka vështirësuar tregtinë me Serbinë, Ramiz Kelmendi i ka kthyer sytë sërish nga Shqipëria, për ta shtrirë këtu aktivitetin e tij të të bërit biznes me mallrat serbe.

Kjo e shpjegon edhe vendimin e tij për t’u bërë protagonist ditët e fundit në mediat shqiptare me anë të një letre të hapur, ku ankohej se nuk po e linin të ndërtonte një qendër tregtare në një zonë ku, që në vitin 2011, është përcaktuar me vendim të qeverisë demokrate të ndërtohet Terminali Multimodal i Pasagjerëve, aq shumë i nevojshëm për Tiranën dhe gjithë makinat private e mjetet e transportit publik që vijnë nga jugu apo veriu.

Po ashtu, veç terminalit të autobusëve, aty do të ndërtohet edhe stacioni i trenit, i cili do të integrohet me terminalin multimodal për transportin publik, projekt i cili po finalizohet nga ana e Bashkisë së Tiranës./Tiranapost/A.C