Aktualitet

Kush do paguajë nga SHBA për Lulzim Bashën

E mbani mend kur Lulzim Basha erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Nga e ashtuquajtura “çadra e lirisë” tha se “kishte ardhur me lajme të mira”.

Po ashtu para se të nisej për në Uashington, Tiranapost.al në një shkrim duke cituar burime nga brenda PD-së raportonte se udhëtimi i Lulzim Bashës në Amerikë ishte për qëllime lobuese dhe jo për takime të nivelit të lartë.

Këtë të premte rrjeti investigativ BIRN ka publikuar një dokument ku tregohet se si kreu i demokratëve ka kontraktuar një kompani lobuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila do ta asistojë gjatë fushatës elektorale me promovimin e PD-së në media dhe pranë bizneseve dhe politikanëve në SHBA.

BIRN ka siguruar edhe kontratën që Lulzim Basha ka firmosur me “Stonington Strategies” pjesë e “Muzin Capitol Partners”. Sipas kësaj kontrate, Partia Demokratike do t’i paguajë 25,000 dollarë në muaj për tre muaj.

Megjithëse Basha deklaroi se do të shkonte në Amerikë për të takuar figura të rëndësishme të Partisë Republikane, madje edhe Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson, në media nuk u raportua asnjë takim i një niveli të tillë.

Vazhdimisht Partia Demokratike është asistuar nga shoqëri të tilla lobuese, kur edhe gjatë kohës së Sali Berishës u përfolën shumat marramendëse që ishin paguar ndaj kompanisë “Podesta”.

Kjo kontratë vjen në kohën kur Partia Demokratike ka deklaruar se nuk do të hyjë në zgjedhje pa largimin e Edi Ramës dhe ndërtimit të një qeverie teknike, gjë e cila duke iu referuar deklaratave të fundit të Ramës ka shumë pak gjasa të ndodhë.

Në këto kushte, një shqetësim i tillë i Bashës për të kontraktuar lotues në Ëashington për strategjinë e fushtaës elektorale, i lë vend arsyetimit se Partia Demokratike do të gjejë një mënyrë që të jetë pjesë e zgjedhjeve të 18-qershorit./Tiranapost.al