Kosova

Kurti 'thumbon' Mustafën: Gati të takohemi përditë, edhe të mbyllemi në ndonjë vend

Kurti 'thumbon' Mustafën: Gati të takohemi

Asnjë marrëveshje konkrete nuk është bërë publike pas tre takimeve radhazi Kurti-Mustafa për krijimin e qeverisë së re të Kosovës.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së djeshme me Qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje për vitin 2020, dha detaje për takimet me Mustafën ku tha se vullnet kanë për të arritur marrëveshjen, por s’jep garanci, ndërsa tregoi se të enjten VV i bëri dy propozime të reja LDK-së, që mbetet kjo e fundit t’i kthejë përgjigje pasi të takohet me organet e partisë.

Mediat vendase raportojnë se gjatë fjalës së tij, Kurti thumboi Mustafën duke thënë: “Jam i gatshëm të takohemi përditë, edhe të mbyllemi në ndonjë vend derisa të merremi vesh, por këtë mund ta them për veten, jo për palën tjetër”.

Arlind Manxhuka, zëdhënës për media i VV-së ka thënë se nuk e di se kur do të mbahet takimi i radhës, ndërsa e njëjta përgjigje erdhi edhe nga LDK-ja.

Së fundmi është raportuar në media se përveç pozitës së presidentit, pengesë tashmë për arritjen e marrëveshjes mes VV-së e LDK-së është bërë edhe pozita e kryekuvendarit, kjo pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës. Sipas LDK-së, ky post i takonte atyre ashtu siç kishin rënë dakord më herët./ Tiranapost.al