Aktualitet

“Kurbani” i parë i “Eskobarit të Ballkanit”

Hetimi për të ashtuquajturin “Eskobari i Ballkanit” ka bërë “kurbanin” e parë. Kështu sipas BIRN, hetimi pasuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për Klement Balilin përfshin edhe një pagesë prej 47 mijë dollarësh, që një gjyqtar i Apelit të Vlorës deklaron se ka përfituar nga puna si konsulent ligjor pranë kompanive të familjes “Balili”.

Gjatë një hetimi paralel të vitit 2015, gjyqtari Petrit Aliaj deklaroi se kishte punuar si konsulent ligjor për vëllezërit Balili dhe ishte paguar 47 mijë dollarë prej tyre.

Të dhënat e deklaruara nga gjyqtari Petrit Aliaj dhe aktet hetimore që lidhen me burimin e kësaj pagese pritet të bëhen pjesë e dosjes së hetimit pasuror për familjen e Balilit, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej majit të vitit 2016 për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Një zyrtar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda i tha BIRN-it se “pasi janë vënë në dijeni të faktit, kanë kërkuar pranë Prokurorisë së Elbasanit që të administrojnë deklaratën e pasurisë së gjyqtarit Aliaj si dhe hetimet e kryera mbi origjinën e 47 mijë dollarëve të përfituara prej tij”.

Petrit Aliaj u kallëzua nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive më 8 qershor 2015 për mosdeklarim dhe fshehje të burimeve të pasurisë së tij si dhe për deklarime të rreme. Për këto akuza ai u hetua më pas nga Prokuroria e Elbasanit.

Dokumentet tregojnë se në deklaratën e pasurisë së vitit 2006, gjyqtari Aliaj pati deklaruar se nga data 3 janar deri në 4 mars 2005 kishte përfituar 47 mijë dollarë nga puna e tij si avokat.

Në vitin 2009, gjyqtari Aliaj ka dhënë shpjegime pranë Inspektoriatit dhe e ka justifikuar këtë shumë parash me punën si konsulent i jashtëm ligjor pranë firmave Balili& Co dhe Vëllezërit Balili, të dyja me seli në Delvinë. Ai ka pretenduar gjithashtu se kishte punuar një vit për këto dy kompani dhe jo 3 muaj, siç kishte deklaruar më parë.

Aliaj ka paraqitur si provë dy vërtetime të lëshuara në janar dhe shkurt 2008 nga kompanitë Balili& Co dhe Vëllezërit Balili, të cilat zotërohen nga rrethi i ngushtë familjar i Klement Balilit.

Në vërtetime pranohet se Aliaj ka përfituar rrogë vjetore prej 24 mijë dollarësh për secilën kompani dhe se pagesa ishte bërë çdo muaj dorazi. Megjithatë, pagesa sipas tyre nuk është pasqyruar në Tatime apo Sigurimet Shoqërore.