Bëje me Arkitekt

Kur vetëm një ngjyrë nuk mjafton…

Kur vetëm një ngjyrë nuk mjafton…
Ingrid Martini, Arkitekte

A ju pëlqejnë muret me vija? Mua po! I adhuroj! Loja me ngjyrat nuk i përket vetëm botës së modës. Sigurisht që herë mbas here frymëzohen nga njëra-tjetra, moda dhe arkitektura, marrin e japin ide në kombinime ngjyrash e nuancash. Shpesh herë më ndodh të jem në dilemë, në zgjedhjen e një ngjyre të vetme për një mur apo një ambient të tërë. Ndaj të vendosësh të përdorësh 2 ngjyra njëherësh, apo edhe më shumë se 2, dmth 4 ose 5, do të ishte një mënyrë zbavitëse, intriguese, e totalisht e pazakontë.

Kur them e pazakontë, është në kuptimin e mirë, pasi gjithmone synojmë të personalizojmë, të dalim përtej klishesë, e të kemi mundësisht një efekt surprizë. Në të vërtetë, është një nga mënyrat më mahnitëse, që mund të bëni me të vërtetë një pikë fokusi në çdo dhomë pa pasur nevojë të shtoni art nëpër e mure ose të gjeni mobiljeve shumë të veçanta, për t’i dhënë një pamje të bukur të murit. Zakonisht, përfshin zgjedhjen e ngjyrave të kundërta, ose ngjyra që normalisht nuk do të guxonit t’i përdorni, për të krijuar pika fokale të theksuara.

Nëse jeni një tifoz i ngjyrave të ndritshme dhe efekteve gjeometrike, atëherë ky trend është padyshim në rrugën tuaj! Hidhni një sy në disa nga idetë e mëposhtme të mënyrës së pëerdorimit të të ngjyrave të murit, dhe të kombinimeve të tyrë, që do t’ju vjedhin zemrën krejtësisht.

Një nga mënyrat më të lehta për të përdorur teknikën e ngjyrosjes së mureve me ngjyrave me vija, në muret e dhomës suaj është thjesht të mbani muret me ngjyrë të bardhë ose shumë neutrale dhe më pas të zgjidhni një ngjyrë që ju pëlqen, një ngjyrë shumë të fortë ose shumë të errët, në mënyrë që të kontrastojë. Mund ta vendosni këtë ngjyrë deri në një farë lartësie, ose deri në gjysmë të lartësisë të murit. E për ta komplikuar edhe ca, mund t’i shtoni një ose disa vija si fileto. Kjo do ta bëjë të gjithën të perceptohet më e pasur, më e plotë, me e kuruar.

Por nëse nuk jeni fan i kontrasteve e ngjyrave të forta, mund të zgjidhni të kombinoni 2 nuanca të të njëjtës paletë. Kjo do të rezultonte më e qetë, e ngrohtë, më pak bërtitëse. Shija ton mbi ton, mund të vlejë për një spektër shumë të gjerë ngjyrash, duke nisur nga nuancat e të bardhës e deri tek nuancat e të zezës.

Ndërsa për të pasionuarit e ngjyrave, si puna ime, që preferojnë e guxojnë me ngjyra jokonvencionale, pak të “çmendura”, ka edhe variante si këto që sugjeron Farroë and Ball. Askujt nuk do i shkonte mendja të kombinonte një lejla me një një nuancë të aquamarinës, por që në fakt “martohen” kaq bukur bashkë.

A nuk është një dashuri ky kombinim i tre nuancave pastel, të myshkut, kobaltit dhe ekremit në nuancë pjeshkë? Sa i sofistikuar aq edhe surprizë! E ndaj ka kaq shumë efekt!

Për ata që do të donin të eksperimentonin, e me pak punë të mund të merrnin nje efekt maksimal, mund të funksionojë edhe kështu. Biles, pa konture fare, krejt e shkujdesur, e plot me “të meta”, me shenjat e dorës së furcës të printuara në mur. Ndaj mundet fare mirë ta bëni vetë , në vend që të merrni një bojaxhi.

Shiheni pak ngjyrën e gjelbër si pishë, në këtë dhomë bardhë-e-jeshile, ngrënieje. Kjo është një ngjyrë që nuk përdoret në shumë shtëpi moderne, por është dehëse mënyra se si funksionon këtu, midis me bimësisë dhe pikturave, me po të njëjtat nuanca. Ndaj, shtojini ngjyra jetës suaj! Shtoji ngjyra ambjenteve tuaja! Guxoni! Ëndërroni! Pasi, ashtu sic Paul Gaugain ka thënë : “’Ngjyrat! Çfarë gjuhe e thellë e misterioze, gjuha e ëndrrave”. *Blogu ‘Bëje me arkitekt’, nga Ingrid Martini.