• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 19 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Amvisa Perfekte Jashtë dhe brenda kuzhinës Lifestyle Rozmarina Të gjitha TIP top

    Kur të lexosh këto gatime, do nisesh direkt për Korçë


     

    Ndonjëherë thuhet më mirë syri, sesa nami. Por ndonjëherë ky nam nuk është se del dhe aq kot. Përshembull korçaret kanë namin e nikoqireve dhe këtë s’e luan as topi (edhe pse që në një komedi të para ’90-ës, “Shi në plazh”, teto Sanda thoshte, që këto të sotmet nuk janë më si ato qëmoti”.

    Gjithsesi, si qëmoti apo si qësoti, ka disa ushqime që si korçaret nuk i bën askush tjetër. Ose që mund t’i hash kaq të mira vetëm në Korcë. Për këtë, iu drejtuam korçarkës sonë, Klaudeta Skënderasit, e cila na ka rreshtuar gatimet e qytetit të saj (recetat mos i prisni se veç dy fëmijëve të vegjël, ajo ka dhe shumë përgjegjësi në Tirana Post, ndaj nuk kishte kohë t’i ndante me ne. Por që gjenden shumë thjesht në faqet tradicionale të gatimeve shqiptare).

    Petulla të fshira

    Në kohën kur krepat nuk ishin ende në modë, as në Korçë nuk i njihnin këtë emër. Ama petullat e fshira po. Që janë gatuar prej shumë e shumë vitesh në këtë zonë. Shumë të mira për t’u shijuar edhe shqeto, por lezetin e kanë kur shtrohen në tavë një nga një me djathë dhe hudhra dhe piqen në saç. Ju mund të keni provuar krepat dhe mbase s’keni kurreshtje për këtë gatim tradicional korçar, por mbase nuk e njihni shijen e petullave të fshira në tavë.

    Kërnackat

    Ca vite më parë shija e tyre ka qenë e pangatërrueshme. Por sot edhe në Korçë tregu është ngatërruar pak. Për të provuar kërnackat me nam të Korçës, do duhet të pyesni për vendet se ku i gatuajnë ende ato origjinalet, në zgarë me prush dhe që nuk ngatërrohen me qoftet dhe kanë një shije të papërsëritshme. Kërcankat kanë kuptim vetëm kur i shoqëron me kripë dhe qepë dhe patjetër me shishen e birrës.

    Lakrori me dy petë

    Të shtunave apo të dielave në çdo shtëpi korçare e ke patjetër një lakror për drekë, që ditëve të verës është patjetër me qepë dhe me ato domatet, që nuk i gjen në asnjë zonë tjetër. Lakrori me dy petë nuk duhet të ngatërrohet me byrekun. Është pak i ngjashëm për mënyrën si gatuhet, por ka tjetër shije dhe ai i vërteti është vetëm nëse piqet në saç. Brenda, në varësi të stinës, bëhet me kos dhe vezë, me hithra, presh, arme, spinaq.

    Petaniku me fasule

    Për t’i rënë shkurt mund të bëhet edhe me pete të pjekura të gatshme, por jo të gjitha grave të Korçës u është mbushur mendja, se këto petë mund t’i zëvendësojnë ato të bërat vetë, që kanë një ditë punë dhe bëjnë rrëmujë, po aq sa një baklava. Por që në fund ia vlen për të shijuar një petanik me fasule. Petët e pjekura marrin aromën e tymit dhe kurse fasulet që i hidhen brenda mos i ngatërroni me gjellën e fasuleve me qepë e salcë. Janë vetëm të ziera dhe kanë shije shumë të mirë kur piqen në tavë, së bashku me petët dhe gjalpin.

    Fasulet pllaqi

    Një tavë aq e mirë, që kur piqet mbush gjithë lagjen me aromë dafine dhe rigoni. Tava e faquleve pllaqi, që gatuhet me llojin e fasules kokërrmadhe, karakteristike për zonën e Korçës, është një nga pjatat shoqëruese më të mira, që kur vendoset në mes ta tavolinës, i konkurron të gjitha ç’ka rreth e rrotull.

     

    Shijen e vërtetë korçare mund ta takosh në çdo stinë, por sidomos në dimër. Në asnjë shtëpi korçare nuk ka humbur tradita e përgatitjes së zahireve, por që tani i gjen edhe nëpër tavernat e vogla dhe restorantet me pamje shtëpie rrugicave të Korçës. Glikotë janë një nga pikat më të forta të gatimeve të zonjave korçare: qershie, kumbulle, fiku të butë e të egër, gliko arre, molle, patëllxhani, që të serviren në një lugë të vockël dhe u vjen era barbarize, që këputet nga vazot e oborrit, bashkë me gotën e ujit të mbushur vetëm nga çezma. Po, uji i rubinetit në Korçë pihet dhe nuk ke pse ta blesh të paketuar.

    Siç ka thënë edhe teto Ollga petullat e Lefkës ishin me nam, se i bënte të mira, i bënte me vezë. Nuk ka gjyshe korçare, që nuk di të gatuajë petulla të buta si mafishe, që sot i gjen nëpër restorante, si vaktin më të shijshëm të mëngjesit, të shoqëruar me glikotë që ju treguam më lart. E bashkë me to, nëse Korçën e viziton në dimër, do provosh patjetër petkat, dromkat, dy llojet e trahanasë të thartin dhe të ëmblin, që asnjë zonë tjetër e Shqipërisë nuk i bën aq të mirë. Pastërmanë, që thahet ende mbi sobat me dru në dimër e sidomos turshitë, që do duhej një natë e gjatë dimri, për t’u përshkruar shijen dhe llojet e ndryshme të perimeve, me të cilat përgatiten. Por ne do t’i mbajmë pak me hatër specat e verdhë me salcë kosi. Mos ikni na Korça pa i provuar. Fatmirësisht i gjeni lehtë. Korçarët ua dinë mirë kimetin pjatave të tyre dhe nuk i kanë mbytur me kuzhinë italiane restorantet. Në këtë qytet e gjen vërtet shijen pe Korçe, kudo që të shkelësh.