Aktualitet

Kur Robelli nga Kosova të mëson si të zbutësh “bishën” Rama

Redaksionale/ Sot në Tirana Post botuam një intervistë të kryeministrit shqiptar Edi Rama me një titull disi të çuditshëm “intervistë e hajrit”. Sepse ndryshe nga gjithe intervistat e viteve të fundit në ekranet shqiptare, që të nesërmen prodhojnë lajme showbizi të tipit “filani përplaset me filankën”, apo “ja debati i nxehtë midis këtij dhe atij”, në këtë intervistë të kryeministrit shqiptar përveçse mund të nxirrje disa lajme me tituj normalë dhe interesantë, pas kaq kohësh kishe mundësi të lexoje fjali të qeta e të shkruara bukur, që të kujtojnë më shumë Ramën e dikurshëm publicist sesa Ramën e sotëm kryeministër.

Të jetë prania e një gazetari nga Kosova dhe jo të ndonjë prej atyre që ai i quan “media kazani” që ka zbutur Edi Ramën?! Përgjigjja mund të kishte qenë kjo, nëse nuk kihet parasysh intervista e tij e për “Tonight Ilva Tare” rreth dy muaj më parë. Pas një ore e gjysmë me ironi të Kryeministrit për çdo pyetje që i bëhej dhe bezdi në ton në çdo përgjigje që jepte (sjellje e ngjashme dhe në intervistat në të tjera në të tjera studio më pas), në gjysmë orëshin e fundit gjithçka ndryshoi: ton i butë, përgjigje normale, fytyrë e buzëqeshur. Ishin pyetjet mbi rajonin dhe botën që ia kishin dalë të kthenin në studio një Edi Ramë normal, konstatim që gazetarja ia bëri kryeministrit në studio duke komentuar se si ai tashmë nuk preferon më të flasë për problemet shqiptare, por ndjehet më mirë në kostumin e liderit botëror… Dhe Rama ishte ndërkohë aq “i ngrohur” sa t’i kursente gazetares ndonjë nga ironitë e tij shpotitëse…

Nëse mban mend këtë episod, atëherë e kupton menjëherë sekretin e Robellit në intervistën e sotme. Edhe pse mund të mos e ketë bërë qëllimisht, ia ka dalë të zbusë “bishën” duke i bërë fillimisht pyetje globaliste, nga rajoni dhe nëpër të pastaj për hallet shqiptare, duke ia dalë mbanë të marrë përgjigje normale dhe duke u dhënë një leksion të gjithëve për të ardhmen: a doni t’i aviteni Ramës me të butë? Bëni si Enver Robelli./ Copyright Tiranapost.al