Tech

“Kur pronari nuk më paguante”, rrëfimi i Kristit nga Kashari

Për të gjithë ata si unë, që nuk punojnë në profesionin e tyre e nuk e kanë fatin ta dashurojnë çmendurisht punën e tyre, kënaqësia më e madhe dhe e vetme, është rroga. Rroga mujore është motori i përditshëm që na vë në punë.

Ne nuk e kemi luksin të zgjohemi çdo ditë me padurim për të filluar punën, përkundrazi zvarritemi e shfryjmë e psherëtijmë, por të kota ankesat, ulim kokën dhe bëjmë atë që duhet bërë ! Atë që DUHET bërë. Për atë paguhemi.

Dhe ditën e marrjes së pagës, edhe ne si njerëzit e lumtur të kësaj bote, shkojmë në punë me vrap e me buzëqeshjen vesh më vesh.

Që ditën e parë të punës kisha në kokë listën e gjërave që do bëja me të marrë rrogën e parë. E mandej, sa herë më duhej diçka, i thoja vetes –« Ja sa të marr rrogën… »

Por dita e rrogës erdhi, unë isha e emocionuar, e megjithatë asgjë nuk ndodhi. Mendova se pronarët kishin harruar edhe vendosa të prisja, nga droja për të kërkuar shpjegime. Të nesërmen e njëjta gjë. Të pasnesërmen, durimi im u shua. Kisha vendosur të bisedoja me ta. Duhet të dija ç’bëhej me paratë e mia.

Nuk zgjohesha që në 6 të mëngjesit për të hapur restorantin e nuk qëndroja në punë deri në mesnatë për të kaluar kohë. Punoja sepse kisha nevojë për t’u paguar në fund të muajit. Dhe këtë mesa duket nuk e kishin të qartë pronarët e restorantit ku punoja. Dhe jo vetëm ata për fat të keq. Ky mesa dukej ishte problemi historik i vendeve të botës së tretë, ku shtresa e mesme ka avulluar, e për pasojë punëdhënësi e ka shumë të lehtë të kërkojë edhe punë ekstra pa shpërblim, ndërkohë që kur punëmarrësi kërkon rrogën mujore që i takon, merr vetëm një përgjigje të shpejtë: -Do e marrësh më vonë. Për momentin nuk kam. Këtu te ne, pronarët mendojnë se punëtorët u përkasin atyre, ndaj i trajtojnë si t’u vijë për mbarë.

« Nuk të pëlqen ? Mirupafshim, tjetri ! » -e kanë në majë të gjuhës.

Unë sa herë isha ndeshur me një abuzim detyre, dhe më kërkohej të bëja një detyrë jashtë profilit të punës sime dhe pagesës që merrja, isha larguar. Për vetë natyrën time rebele dhe mospajtimin me padrejtësitë e abuzimin. Por nuk ishte ky rasti i një shoqes sime, e cila punonte në kuzhinë, e pronarja e dërgonte t’i pastronte shtëpinë, t’i mbante fëmijët, të lante tualetet etj etj, deri në përmbushjen e tekave pa kuptim të shefes.

Të gjitha për 200 mijë lekë të vjetra në muaj. A nuk është skllavërim ?! Edhe hajde më thoni tani kush e mbron atë vajzë në një shoqëri pseudo-demokratike, në këtë gjoja shtet të së drejtës ku të drejtat e njeriut primojnë !!

Historia e një të afërmit tim është edhe më e dhimbshme. Qesharake deri në dhimbje. Një djalë i ri, që nuk jeton për të shitur mend dhe gjëra të tjera, por punon për të mbajtur motrën dhe mamanë, detyrohet të durojë një pronar pijanec dhe bixhozxhi. Sa e sa herë ky i fundit u kërkon punëtorëve të tij para për të kënaqur veten me veset e tij deri në fund. E dhimbshme.

Këto dhe të tjera mendoja edhe m’u ngrit gjaku në kokë. Gjithë ky shfrytëzim, po na e hanin mishin bashkë me kocka, e ato dy lekë që na i donte shpirti, na i refuzonin.

Sapo pronari erdhi në restorant, i kërkova rrogën.

-Më falni, po dua të flasim pak për rrogën time. Kanë kaluar dy ditë nga data. Si ka mundësi ?

- Oh, Kristi më vjen keq ,por ti e di që ne po hapim një biznes të ri dhe na zhvati nga lekët. Nuk ka problem të ti vonoj nja dy tre ditë apo jo?

(Nuk ka problem tha dhe iku.)

-Të mos kapi muajin tjetër -them me gjysmë zëri.

Sa e padrejtë kjo botë. Sa të pashpirt disa njerëz. Ai punonte për të ndërtuar të ardhmen e tij në term afatgjatë dhe më privonte mua nga disa të ardhura modeste që me sakrificën që bëja, i meritoja.

Unë kisha kaq kohë që ëndërroja për një mbrëmje me miqtë e mi të poezisë e me një gotë verë që do ua ofroja unë, me rrogën time…me rrogën time që i duhej pronarit për të ndërtuar një tjetër biznes..

Ah, Kristi ! Nuk është vendi i duhur jo…