Aktualitet

Kur pritëm 5 vite, mund të durojmë edhe tre muaj! Thirrja e Vuçiç ndaj serbëve të Kosovës për asosacionin

Prisni edhe tre muaj, këtë ju kërkon presidenti serb Vuçiç shtetasve të tij në Kosovë për themelimin e asosacionit, duke respektuar afatin e përcaktuar nga Bashkimi Europian. Ky reagim vjen pas paralajmërimeve të përfaqësuesve të serbëve se do krijojnë në mënyrë të njëanshme asosacionin në datën 20 prill, nëse qeveria e Kosovës nuk ndërmer veprimin deri në atë ditë.

Ndër të tjera, Vuçiç tha se do flasë me Federica Mogherinin, përfaqësuesen e lartë të BE-së, duke thënë se tema kyçe do jenë raportet mes Beogradit dhe Prishtinës. Vuçiç shtoi se nga marrëveshja e Brukselit për normalizimin e raporteve, pjesa për formimin e Asociacionit të komunave serbe nuk është realizuar ende.“Serbët s’do ta formojnë Asociacionin as nesër, e as pasnesër.

Kemi pritur pesë vjet, do presim edhe këta tre muaj, që askush të mos akuzojë serbët se po shkelin marrëveshjet dhe dakordësimet e bëra ndërkombëtarisht. “Kanë thënë se për tre muaj e gjysmë do dalin me statutin e Asociacionit. Serbia do presë edhe tre muaj e gjysmë”, tha presidenti serb, duke shtuar se nuk priste qe të ndodhtë diçka e tillë./Tiranapost.al E.B