• Shqip
  • English
  • E martë, 21 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • Sport Të gjitha

    Kur Partizani rigjen “Mentor”-in


    Mentor. Emri vjen nga greqishtja e lashtë. Një lloj drejtuesi, këshilltar shpirtëror, njeri i zgjuar. Nëse asokohe futbolli do ishte në modë, Mentori mund të kish patjetër dhe karakteristikën e një njeriu të talentuar.

    Mentor Mazrekaj është nga futbollistët me “futbollin më të madh” në këmbë në këto 4-5 vitet e fundit në Kategorinë Superiore në Shqipëri.

    Të shtunën ai shënoi një gol të mrekullueshëm dhe fitoi një 11-metërsh në një ndeshje që e mbylli sapo filloi.

    2-1 për Partizanin kundër Flamurtarit. Nëse goli i tij i parë do ish shënuar në një kampionat elitar do bënte xhiron e botës duke e konsideruar të pabesueshëm.

    U bë në Shqipëri, madje në një ndeshje pa tifozë në stadium, dhe patjetër që emocionet ndonjëherë janë disi të padukshme. Nëse do kish menaxhuar veten disi më mirë, ose nëse rrethanat do ishin në favor të tij, atë gol që shënoi të shtunën mund ta kish realizuar në një ligë të rëndësishme, në një stadium më mijëra vetë.

    Talenti është shumë i rëndësishëm në këtë sport, por nuk është gjithçka. Mentor Mazrekaj duket se ka me shumicë vetëm talentin.

    Mazrekaj ka lindur në Prishtinë në shkurt 1989 dhe deri në moshën 24 vjeç kur zbarkoi te Partizani ai kish luajtur me skuadrën e qytetit të tij të lindjes në Kosovë.

    Në Prishtinë është konsideruar gjithnjë një talent i rrallë, por që kushedi pse sidomos ambicia personale nuk i jepte një ndihmë për të luajtur diku në Perëndim. Një jetë disi e shfrenuar, në përgjithësi neglizhent, jo aq i fiksuar pas parave dhe argëtimi mbi të gjitha kanë qënë ndoshta arsyet që karriera e tij apo llogaria bankare nuk ishte ajo e menduar kur ishte adoleshent.

    Sapo zbarkoi te Partizani te gjithë filluan të kuptonin se kish ardhur një lojtar me peshë. Derisa një ditë trajneri italian Sormani në verën e shkuar e vuri në dyshim.

    “Është mbi peshë”, tha ai dhe e detyroi të bënte një plan sportiv individual. Ky ka qënë një moment i vështirë për Mazrekajn sepse në atë periudhë mendoi dhe mos luante më fare futboll. Në ditën e fundit të merkatos ai takoi presidentin Demi dhe i kërkoi atij ta lejonte të largohej dhe të shkonte të luante te Kukësi për një vit.

    “Këtu nuk më duan çfarë mund të bëj këtu”.

    Pas javës së pestë trajneri u largua dhe pas 5 muajsh ai ishte gati për ty rikthyer. Trajneri Starova pas këtij janari ka injoruar me elegancë blerjet e klubit duke e konsideruar Mentorin dhe rikthimin e tij si blerjen më të rëndësishme. Presidenti Demi nuk e kish lejuar të shkonte te Kukësi dhe mesiguri kish bërë mirë.

    Mazrekaj dhe portieri Hoxha janë të vetmit në këtë skuadër që nga rikthimi i Partizanit në Superiore. Shumë futbollistë kanë ardhur e kanë ikur por ata nuk kanë ndryshuar asnjëherë.

    Mazrekaj ka qënë gjithnjë lloj lideri specifik në skuadër. Nuk është ai i zakonshmi që kërkon lavdinë personale, që krijon klane, që lufton për vëmendje dhe për shiritin e kapitenit. Nuk është nga ata që merr megafonin dhe shkon te tribuna e tifozëve dhe në asnjë moment nuk krijon konflikte me gjyqtarët apo grindje me kundërshtarët.

    Ai ka zgjedhur një tjetër mënyrë për ta bërë futbollin për vete, gola të rëndësishëm, klas, e sidomos pasime dhe asiste. Një farë inteligjence duhet të ketë sepse asnjëherë nuk është “ngatërruar” me problematikën që herë është shfaqur në klub, dhe raportet e tij me ish kapitenin Nexhipi dhe tanimë me kapitenin Hoxha janë perfekte.

    Edicionin e tij më të mirë e realizoi në 2014-2015 teksa shënoi 8 gola dhe i dha skuadrës ritmin dhe befasinë në fazën sulmuese dhe këtë gjë ai përmendi edhe pas ndeshjes Partizani-Flamurtari ku luajti kundër ish trajnerit Duro me të cilin në atë edicion ka pasur një raport special dhe nga pikëpamja njerëzore.

    “Sigurisht që dua që unë, Starova dhe Partizani të fitojmë titullin, por nuk e mohoj dot debulesën që kam për teknikun Duro për kohën kur kemi punuar bashkë. I uroj që të fitoj betejën e tij me vlonjatët dhe ti shpëtojnë rënies nga Kategoria”.

    Sot Mazrekaj është 28 vjeç dhe sipas të gjitha gjasave ai do vazhdojë të luajë deri në fund të karrierës me Partizanin. Në këtë moshë në futboll është e vështirë të kesh rrethanat e fatin e duhur për të provuar perëndimin.

    Ai nuk është bezdisur asnjëherë nga kjo gjë. E ka pranuar veten ashtu si është dhe shpesh më shumë janë shqetësuar të tjerët për atë se sa ai vetë. Ai argëtohet si brenda dhe jashtë fushës dhe nën moton “njeriu një jetë ka” kërkon të ndihmojë skuadrën dhe klubin në arritjen e objektivit.

    Këto dy momentet e ndeshjes së fundit, goli kundër Flamurtarit dhe penalltia e fituar, janë demonstrim i qartë i faktit që ky është gjithnjë aty i rëndësishëm për të kontribuar për një skuadër që kërkon prej 24 vitesh të fitojë titullin kampion.

    Kujtdo i duhet një “mentor”. Partizani ka Mazrekajn.