• Shqip
  • English
  • E premte, 15 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Opinion Sa nje kafe nga Iva Të gjitha

    Kur një program shkolle bën aq dëm, sa nuk ka “tetor libri” ta zhbëjë


    Nga Iva Tiço

    Një nga gjërat më të bukura që kam parë në Instagram, kanë qenë postimet për një muaj rresht nga Ministria e Kulturës në një fushatë me shumë aktivitete të ndryshme të quajtur “Tetori i librit”. Një zgjedhje e zgjuar kjo, vetëm një muaj para hapjes së Panairit të Librit, për ta shfrytëzuar këtë muaj si një kohë që i përgatit njerëzit, i bën kureshtarë, u servir tituj e botime të reja dhe e kthen në modë librin dhe të lexuarin. Mund të duket e çuditshme ta përdorësh si frazë “libri është në modë”, por në fund të fundit qëllimi justifikon mjetin: kur kthehen në modë të pasmet e Kim Kardashian ç’të keqe ka, të përdorim të njëjtën platformë e ta bëjmë librin të modës?!

    Nisma e ministres së kulturës Elva Margariti për të nominuar në rrjete sociale shokë e shoqe e për të lënë libra për njerëz të panjohur qoshkave të Tiranës, arriti të funksiononte. Unë vetë dhurova dy libra nga biblioteka ime dhe shpresoj të kenë shkuar në duar njerëzish që dinë t’i çmojnë. Faktin që video ime ishte ruajtur dhe po ashtu ishte dërguar në inbox-e, më pëlqen ta përkthej që lexues të ndryshëm janë të imtësuar të lexojnë dy librat që kisha zgjedhur, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, nga Ismail Kadare dhe “Kopshti I Edenit”, Ernest Heminguej (nuk dua të mendoj që video u ka shërbyer për modelin e fustanit). Gjithashtu të tjera nisma, takime me shkrimtarë nën hashtagun “tetoriilibrit, por edhe “Festivali i librit”, instalacioni i Fjalorit të Gjuhës së Sotme në qendër të Tiranës, të gjitha kanë qenë një vëmendje më shumë për të rritur sensibilitetin dhe për t’i shtyrë njerëzit drejt librarive apo dhe Panairit të Librit, ku shumica e lexuesve blejnë gjithë librat e vitit.

    Paralelisht me Ministrinë e Kulturës një tjetër institucion punon paralelisht për rritjen e vetëdijes për librin. Ministria e Arsimit teorikisht rrit nxënës që do ta duan librin, do pëlqejnë ta kalojnë kohën e lirë duke lexuar, do e fusin librin dhe personazhet letrarë në diskutimet mes tyre dhe nesër pasnesër edhe ata do të ndikojnë tek më të vegjlit, që të kalojnë edhe ata tek libraritë, bibliotekat. Them teorikisht, sepse kushdo që e ka sadopak qejf leximin dhe që i hedh një sy programit të letërsisë në shkollat e mesme, e kupton që ai program jo që nuk të jep pikën e dëshirës për të lexuar, por të bën armik për vdekje me librin. Nuk do ta kisha ditur nëse pak javë më parë, paralelisht dy vajza 15 vjeçare nuk do të kishin ardhur në derën time. Njëra banon me mua në pallat dhe kur e pashë që bashkë me të ëmën të ngrinin një tufë librash, botime të vjetra, iu ofrova që t’i ndihmojë edhe me libra nga biblioteka ime dhe e dyta, vajza e mikeshës sime, që sapo nisi vitin e parë në shkollë të mesme erdhi të më takonte bashkë me listën e librave që do të duhej të lexonte. Ishte pikë për pikë e njëjta listë, që na kanë dhënë edhe ne në fillim të Fakultetit të Letërsisë, në vitin 1994  (mungonte vetëm “Epi i Gilgameshit” dhe “Eneida”, mos gaboj)… pjesa tjetër nuk kishte ndryshuar aspak, Iliada e Homerit, e pastaj me radhë Aristofani, Dante Aligeri, pak Shekspir, “Don Kishoti” i Servantesit dhe të tjera nga ata tituj e autorë, që dhe studentët e letërsisë sot e kësaj dite mezi i lexojnë apo i lexojnë një rresht po e një rresht jo nga halli, me shpresë që sa të  kalojnë këtë provim, shkolla do vijë e do bëhet më e bukur…

    “Zysha është e mirë, mundohet të na e bëjë lëndën tërheqëse, por ja që nuk shtyhet fare”, më rrëfen vajza e mikes sime. Vetëm dy muaj më parë, kur kemi qenë të gjithë për pushime, më ka rrëmbyer nga dora librin “Të bëhesh” të Michelle Obama-s dhe për tre ditë rresht nuk e lëshoi, derisa e mbaroi dhe shpeshherë gjatë pushimeve folëm për të, apo për të tjera libra, duke më bërë shpresëplotë se adoleshentët e sotëm dhe librat (edhe ata voluminozë si ky në fjalë) mund të kenë mes tyre një histori dashurie. Por kjo dashuri nuk mund të lindë kurrsesi me këto programe të shekullit të kaluar. E vërtetë, klasikët duhen, nuk mund ta mohoj. Por a duhet t’ua përplasim që ditën e parë të shkollës përpara syve këtij brezi që mezi mbijeton ato pesë a gjashtë orë mësimi pa celular?! A nuk do të ishte më e thjeshtë t’i bënim fillimisht lexues, t’i joshnim, t’i afronim tek letërsia duke u dhënë më parë pjesën më argëtuese, e pastaj t’i fusnim “në të thella”?! Është shumë e thjeshtë të bësh një program mësimor në rend kronologjik: merre letërsinë, nga fillesat e deri në ditët e sotme dhe jepua nxënësve ta lexojnë me detyrim. Kështu quhesh që po e bën punën mirë. Paçka se ky detyrim bën që ata nxënës që nuk ia dalin dot të shkojnë përtej vargut të dytë të Iliadës (të them të drejtën dhe unë mezi kam shkuar përtej atij vargu në fakultet, ndërkohë që kam parë në kronika televizive se si përqindja më e madhe e italianëve as që e kishin haberin se si fillonte “Komedia hyjnore” dhe kam vënë shpirtin në paqe).

    Sikur ata që bëjnë programet e shkollës të dilnin nga zyra dhe të pyesnin qoftë edhe fëmijët e tyre do ta kishin kuptuar që kjo puna e studimit të letërsisë nuk është si Ligjet e Njutonit. Dhe kjo nuk ka të bëjë me modën, por me përshtatjen me kohën e sotme, me moskthimin e librit në një gjë të vjetër, në diçka që  është e destinuar të zhduket. Kur një vajzë 15 vjeçare, që quan démodé edhe Instagramin (është brezi i Snapchat!!) arrin të kënaqet tre ditë me një libër, të frymëzohet prej tij dhe të diskutojë për të, do të thotë që ka shpresë ta kthesh në një lexuese të rregullt, mjafton t’i gjesh një tjetër libër që ta mbërthejë dhe pas tij një tjetër e një tjetër… Por këtë nuk e bëjmë dot po I dhamë në dorë “Iliadën” në vargje, as “Don Kishotin” madje, që mu duk më i thjeshti në atë listë… Me këtë program thjesht po u japim të drejtë “Millennial”-sve që letërsia na qenka një gjë e bezdisur dhe e mërzitshme, dhe më vonë nuk do ketë “tetor libri” apo nismë që t’i kandisë të kthejnë sytë nga bibliotekat.

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post