• Shqip
  • English
  • E martë, 18 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Në rresht të parë Të gjitha TIP top

    Kur martohet mami dhe babi


    Nga MARÇELA LATI / Si do të ishte dasma juaj nëse do të vendosnit ta bënit pas mbërritjes së bebit?!
    Do ta shijonit njësoj apo do ta quanit etapë të djegur? Do të kishit merakun se duke e shtyrë për më pas, me ardhjen e bebit, prioritetet ndryshojnë dhe dasma do të mbetej një ëndërr e parealizuar?
    Cilat janë arsyet përse një çift vendos ta bëjë dasmën pas ardhjes së bebit?
    Unë, në kaq vite në punën time, kam parë dhe dëgjuar nga të gjitha, që nga bestytnitë e deri tek zgjedhjet për snobizëm. Por duke bërë një analizë bazuar në raste konkrete, mund t’ju them me bindje se trendi i ri është tamam ky: një dasmë pas ardhjes së bebit, më saktë në ditëlindjen e parë të tij, po që po i mund dasmat gjatë pritjes së ëmbël. Ky trend ka bërë që sezoni i dasmave për shkak të shtatëzanive të zëvëndësohet nga dasmë- ditëlindjet, dy në një.

    Foto nga arkivi i Geraldina Sposa

    Kjo zgjedhje ka “pro”-të dhe “kundër”-at, por për sa kohë ky trend është në rritje, vendosa që sot t’ju përmend vetëm arsyet se pse çiftet vendosin të jetë kështu.
    Dasmat në Shqipëri tashmë ngjasojnë me skenat e filmave hollivudiane. Po të kemi parasysh që ne si mentalitet shpenzojmë dhe atë që nuk e kemi për t’u dukur bukur, këto lloj organizimesh kërkojnë shpenzime jo vetëm në para, por dhe në kohë. Koha e pamjaaftueshme për të organizuar gjithçka në perfeksion është një nga arsyet që disa çifte zgjedhin që dasmën ta bëjnë më pas.

     

    Foto nga arkiva e Geraldina Sposa

    Fustani i nuses dhe linjat e saj pa kompromise janë një tjetër faktor se pse çiftet, ose më saktë nusja, zgjedh që dasma të ndodhë më pas. Ajo do ta shijojë maksimalisht dasmën e saj, pa menduar për lodhjen apo jorehatinë që sjell një shtatzëni, e mbi të gjitha linjat, ajo ka ëndërruar atë fustanin përrallor që i evidenton atë belin e hollë dhe mbi këtë s’ka kompromis.
    Dy gëzime në një ditë është një tjetër argument bindës. E ku ka më bukur se të martohesh në ditëlindjen e parë të frytit të dashurisë tënde? Pastaj, kur kjo gjë e bukur rastis të jetë dhe e leverdisshme, akoma dhe më mirë. Një festë, një banket, një fustan, një shpenzim për dy gëzime.
    Shpesh ato që e ndikojnë më shumë vendimin janë kushtet ekonomike. Shtëpi e re, fëmija në ardhje, këto janë ndryshime shumë të rëndësishme në jetë dhe që ndikojnë në gjendjen ekonomike të një familjeje të re.

     

    Foto nga arkivi i Geraldina Sposa

    Shumë të rinj e mbajnë dasmën si një ëndërr në sirtar dhe sapo shohin një stabilizim të gjendjes së tyre ekonomike bëjnë realitet këtë ëndërr, duke bërë dëshmitarë dhe fëmijët e tyre. Këto janë rastet klasike kur fëmijët janë më shumë se një dhe festa bëhet më e spostuar në kohë, për të mos e lënë martesën në atë kujtimin e zbehtë të zyrës së zymtë të gjendjes civile, ku jo rrallë dëshmitarët kanë qenë të rastësishëm, të marrë nga korridoret e zyrave rrotull.

    Foto nga arkivi i Geraldina Sposa

    Vetëm se nuk mund të mos sjell dhe në vëmendjen tuaj diçka që kam parë gjatë gjithë këtyre viteve. Në shoqërinë tonë ka diçka të çuditshme: ajo që na quan më shumë “të martuar” është ardhja e një fëmije apo “dapa dupet” e një dasme, pavarësisht nëse çifti ka kryer ose martesë në gjendjen civile. Nëse për ne lagjja thotë që jemi martuar, kanë parasysh çdo gjë, përveç aktit zyrtar të martesës :). Nëse një çift kanë një fëmijë së bashku, edhe pse ata mund të mos jenë kurrë të martuar ligjërisht, tek ne vetëquhen burrë e grua si mes tyre ashtu dhe nga të afërmit dhe familjaret, sepse kanë vendosur të kenë një fëmijë më parë.

    Foto nga arkivi i Geraldina Sposa

    Nisur nga kjo, vendimi për t’u martuar pas ardhjes së një bebi e zbeh rëndësinë dhe impenjimin për një propozim të mirfilltë dhe romantik nga ana e burrave, ashti siç nga ana e grave nuk ka më pritje të ethshme gjithë emocion për propozimin e famshëm. Për menatalitetin tone, nëse ka aerdhur një bebe në jetë, martesa u kry!
    Kur sjell ndër mend disa shoqe të miat që jetojnë jashtë, kujtoj entuziazmin me të cilin i pritën propozimet për martesë nga partnerët e tyre, edhe pse nga bashkëjetesa kishin fëmijë. Dhe më pas më vjen ndërmend një e njohura ime, e cila kur mori vesh që ishte në pritje të ëmbël, nuk e fshehu fare bindjen që tashmë martesën e kishte në xhep dhe që nga ai moment u bë tjetër njeri, nuk “performonte” më për t’u dukur vajza ideale për t’u martuar :).

    Foto nga arkivi i Geraldina Sposa

    Propozimi për martesë duhet të ketë rëndësinë që meriton, edhe po ndodhi pas ardhjes së një bebi, ndaj mos hiqni dorë nga ëndrra, duke filluar që nga propozimi e deri tek fustani dhe festa, sidomos festa, për të cilën fëmija juaj nesër do të thotë “Unë pata fatin të jem në dasmën e prindërve të mi”.

    Lexohemi së shpejti!