• Shqip
  • English
  • E enjte, 12 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Blogu i një vajze single, ose aty rrotull Kontribues Të gjitha TIP top

    Kur ikin të gjithë… dhe dritat e qytetit i fik unë


    Nga Iva Tiço/Kur dëgjon atë fjalinë “ku do ikësh me pushime?”, ndërkohë që për arsye nga më të ndryshmet do të të duhet të rrish në qytet, fillimisht mund të të duket fundi i botës. Të gjithë që ikin (do t’iu duhet të kthehen herët a vonë), madje dhe ata të dyqanit ku blen bukën në lagje dhe ti vetëm si qyqe… Duket si ndëshkim. Ndaj dhe ‘vera në qytet’ mund të kthehet në një mision të pamundur, nëse nuk përgatitesh dot siç duhet. Kështu, nëse do të vërë përfund mërzia dhe do ta shohësh një verë të tillë si fatkeqësi, atëherë do ta humbësh rastin për ta shijuar qytetin, siç nuk mund të bësh kurrë gjatë vitit. Sepse qëndrimi në qytet ka shumë anë të mira. Duhen vetëm ca ide (tetë janë rreshtuar më poshtë, por mund të ketë shumë më shumë) dhe pastaj do duhet t’i shohësh gjërat pak më ndryshe: jo vetëm do të mbijetosh, por mund të ndodhë të të pëlqejë kaq shumë, sa mezi do presësh verën që vjen për të bërë të njëjtën gjë.

    1. Jashtë rrjetit

    Thuhet se çdo gjë e ka një zgjidhje. Por duket shumë e vështirë të mos marrësh vesh çfarë bëjnë të tjerët, në këtë erën tonë të komunikimit dixhital. Ndaj ata që rrinë në qytet, më mirë të rrinë offline. Më tepër sesa thjesht një këshillë, ky është një rregull mbijetese: të shohësh si shfaqen historitë e pushimeve minutë pas minuti, mund të të sjellë shkatërrimin e qetësisë shpirtërore. Ndaj edhe duhet stakuar spina nga rrjetet sociale, për të mos sjellë shqetësime të kota. Për më tepër, kjo do jetë dhe një mënyrë për të vlerësuar se cili ndër kontaktet e tu do jetë i vëmendshëm ndaj mungesës tënde në rrjetet sociale. Dhe kush e di, ndërkaq që nuk të sheh më online, ndokush mund të vendosë të të propozojë një fundjavë ëndrrash.

    1. Takime të para

    “Summer in the City”. Nuk është një rishikim i edisodit të serialit të famshëm nga “Sex and the City”, por me pak vullnet dhe mbi të gjitha duke pasur dëshirën e mirë, vera në qytet mund të të sjellë takime dhe ngjarje plot pasion, ashtu siç u ndodh katër protagonisteve të famshme. Vërtet që qytetet boshatisen në verë, por gjithsesi ndokush edhe mbetet. Vetëm se duhet që të kesh një ide se ku janë vendet ideale ku mund të ndodhin të tilla takime, baret, restorantet dhe lokalet ku mblidhen të gjithë ata, që si puna jote mund të kenë mbetur në shtëpi. Afrimi në këto raste është më i thjeshtë, sepse keni argument për të folur, mund të shkëmbeni përvojat personale se si është “pa pushime” dhe mund t’i ofroni njëri-tjetrit ndihmë për të shtyrë këto ditë… Dhe mos harroni: mbrëmjet në këtë mënyrë janë shumë romantike. Dhe nuk je nën ndikimin e grupit të shoqeve, që do të të nxjerrin njëqind arsye se përse ti dhe ai nuk jeni për njëri-tjetrin, pa u njohur mirë akoma.

    1. Zot i qytetit dhe dyqaneve të rrobave

    Qëndrimi në qytet në verë ka dhe disa të mira, që mund të mos i kesh menduar. Parkimi për shembull, gjendet kudo dhe menjëherë: poshtë shtëpisë, përpara lokalit të preferuar, dy hapa larg atij që shet fruta, madje edhe në rrugicat e Bllokut. Mund të bësh qetë-qetë turistin në qytetin tënd. Pastaj ka shopping dhe për më tepër në korrik dhe në gusht mund të blesh gjithë rrobat e verës (edhe të verës që vjen) me 50–70 për qind ulje. Mund të marrësh atë fustanin që kolegia jote e ka blerë në prill sa qimet e kokës, me gjysmën e çmimit dhe ta shijosh përgjatë gjithë stinës: qendrat e mëdha tregtare nuk ikin me pushime. Pastaj sa i takon atij stresit të plazhit, shezlongët ngjitur e ngjitur, rëra që djeg, radha me orë të tëra në autostradë… Edhe stresi gjatë verës e lë qytetin dhe shkon me pushime. Ndërsa ty të mbetet privilegji i shkëputjes së prizës dhe shijimit të një paqeje të pazakontë.

    4. Bëj muskuj se të duhen

    Çlodhja  e tepërt dhe ritmi i ngadalësuar i pushimeve, mëkatet ushqimore dhe orët e zgjatura të qëndrimit shtrirë nën çadër, përveç ngjyrës së zeshkët (që zhduket disa ditë pasi je kthyer) të sjellin edhe disa kilogramë më shumë, sidomos në bark, në kofshë dhe në ije. Nëse këtë verë vendos të qëndrosh në shtëpi, ke rastin që të habitësh të gjithë ata që kthehen nga pushimet, me formën tënde të mirë trupore. Nëse të pëlqen të stërvitesh në mjedise të hapura, mund ta bësh në mëngjes herët: një vrap në park kur sapo je zgjuar, do të të japë energjinë e duhur për të përballuar ditën. Dhe ndër të tjera është një mundësi për të takuar të tjerë njërez, që gjithashtu janë në qytet, ndoshta të njohur të vjetër që ke kohë pa i parë apo njerëz interesantë, që ashtu si ty u pëlqen të kujdesen për veten. Dhe nëse je nga ato natyrat (pak më të rralla), që u pëlqejnë ushtrimet në palestër, mund të zbulosh se gjatë dy muajve të verës ke mundësinë të përdorësh të gjitha veglat, që gjatë vitit janë të zëna dhe të zbulosh se si shpejt e shpejt mund të stërvitesh pa humbur kohë nga njëra vegël tek tjetra.

    1. Check in të gjelbër

    Kërko në qytet një vend ku nuk të duket fare sikur je brenda qytetit. Një lokal me një oborr të lulëzuar apo tarracë me pamje që të mrekullon për buzëmbrëmjet përshembull, ballkonin e bollshëm të shtëpisë së shoqes, ndonjë spa. Me pak fjalë, një vend ku të mund të krijosh një ritual të ri çlodhjeje verore, që nga vendi ku ha mëngjesin apo ku pi një koktej mbrëmjeve, e deri tek masazhet apo trajtimet e bukurisë… Ajo që ka rëndësi është të gjesh një lloj llastimi veror. Dhe nëse nuk i reziston dot rrjeteve sociale, këtu mund të realizosh edhe një selfie që nuk të “turpëron” në rrjetet sociale, të mbushura me rroba banjoje.

    1. Të lozësh me modele

    Vera në qytet do të thonë më pak njerëz dhe më pak sy që të vëzhgojnë. Ndaj dhe mund të jetë rasti ideal për të dalë nga shtëpia e veshur si të të dojë qejfi. Mund të mos bësh makiazh për ditë të tëra dhe të mos i shtrish flokët tek parukierja: mund të të pëlqejë shumë vetja me shkëlqyes buzësh dhe flokët e kapura gërshet apo topoz të çrregullt mbi kokë. Pastaj ke dhe gjithë lirinë për të eksperimentuar stile veshjesh që nuk ke guxuar kurrë, si për shembull rroba të pakombinuara hiç me njëra-tjetrën. Mund të shpikësh çdo ditë një mënyrë të re veshjeje: që nga stili prej rrokerje e deri tek kthimi si adoleshente me pantallona të shkurtra (adoleshente, domethënë pa taka). Këtë verë mund të vishesh sikur e nesërmja nuk ekziston.

    1. Dhe të lozësh me kuzhiniere

    Një verë e tillë mund të shtyhet shumë bukur në kuzhinë. Për shembull, mund t’i vësh detyrë vetes të riprodhosh recetat e një libri, çdo ditë nga dy ose tre, si në librin “Julie and Julia” (nëse je e dhënë pas teknologjisë, mund të hapësh dhe blog, pse jo?!). Mund të zgjedhësh të bëhesh ç’të duash, kuzhiniere francezë, italiane, japoneze… Mund të specializohesh për ëmbëlsira apo vetëm për gliko, por mund të mësosh të hapësh dhe petë. Ke gjithë komoditetin të mësosh dhe dështosh në qejfin tënd, askush nuk pret gjë prej teje, sepse të gjithë kanë ikur me pushime…

     

    1. Dhe në fund ca plane…

    Të qëndrosh në qytet do të thotë të ngopesh duke parë filma, seriale televizivë, të dëgjosh muzikë të mirë apo të rikuperosh orët e mangëta me gjumë. Por ka një gjë që mund ta bësh më mirë se çdo gjë, e që do të të kënaqë pafund: ke gjithë kohën në dispozicion për të rezervuar pushimet e ardhshme. Kujtohu, për shembull, se që nga tetori e deri në 20 nëntor në destinacionet ekzotike nuk ka filluar ende sezoni i lartë i plazhit, pra mund të rezervosh hotele dhe vila me çmim shumë të lirë. Dhe nëse bën një biletë online që tani, duke përfituar çmim shumë të mirë, përpara dimrit mund të shijosh pushime në Karaibe, Amerikën e Jugut apo Maldive dhe gjithë ata që ta bëjnë zili nga Jala dhe Dhërmiu, tani do ta kuptojnë që të kalosh verën në qytet, në fund të fundit është një nga gjërat më të mira që mund të bësh.

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post