• Shqip
  • English
  • E shtunë, 7 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Anti-Politika Opinion Të gjitha

    Kur humbet “partia” e analistëve!


    ANTIpolitika

    Nga Alfred Peza

    Përveç Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, që ishin fitimtarët e mëdhenj të zgjedhjeve të 25 qershorit, partitë e tjera dështuan në realizimin e synimeve të tyre elektorale. Të gjitha humbjet janë të dhimbshme, por humbja që shkëlqen më shumë në këtë peisazh post-elektoral, është ajo e “partisë” së analistëve televizivë shqiptarë.

    Të cilët në vend që të ishin siç edhe e kërkon statusi i tyre, në “avant garde” të zhvillimeve të pritshme në Shqipëri, ndoshta u bënë të vetmit që nuk e kuptuan realitetin e ri që po sillte vota e shqiptarëve, në mëngjesin e 26 qershorit. Është kjo arsyeja pse ky dështim “ther” më tepër, në gjithë atë ambient dhimbjesh e zhgënjimesh të mëdha të humbësve.

    Sepse ishte një nga dështimet më spektakolare që mund të ketë shënuar ndonjëherë, klasa elitare e medias shqiptare, e cila presupozohet se ka apo që të ketë, ndikim në opinionin tonë publik. Një klasë që në kushte e shoqërive demokratike, konsiderohet si një pasuri kombëtare.

    Pjesa më e madhe e atyre që e kanë fituar këtë status përgjatë viteve të seleksionimit profesional, falë karrierës dhe talentit të tyre për të qenë të pranishëm në ekranet kryesore televizive, treguan se këtë radhë ishin komplet jashtë realitetit dhe misionit të tyre. Duke dështuar gati- gati në çdo parametër kryesor të analizës, prognozës, parashikimeve, pritshmërive, projeksioneve dhe mendimeve të tyre, për atë që pritej të ndodhte të dielën e votimit. Në këtë mënyrë, ata dështuan që ta orientonin, sqaronin, ndriçonin, iluminonin dhe drejtonin votuesin shqiptar drejt një maje mendimi e gjykimi, ku shikimi i tyre të mund të arrinte të shihte më qartë peisazhin e katër viteve të shkuara. Por edhe ofertat, programet, premtimet dhe skuadrat e kësaj fushate, për të gjykuar më të mirën mes tyre. Në mënyrë, që ti ndihmonin shikuesit për të shquar me sytë e mendjes, horizontet e reja të katër viteve të ardhshme.

    Po pse ndodhi e gjitha kjo? Këtu po mundohem të rendis vetëm disa prej shkaqeve që unë mendoj se sollën këtë fund me shije të hidhur:

    –          Kishte analistë që hallet dhe problemet e tyre personale, të zgjidhura a të pazgjidhura përgjatë këtij mandati qeverisës të së majtës, i’a trajtuan dhe u munduan që ti “shisnin” shikuesve si halle kombëtare.

    –          Disa të tjerë, për një apo shumë arsye duke qenë shumë-shumë pranë njërës apo tjetrës forcë politike dhe liderit të saj, u bënë njësh me ta në betejat e tyre egra të politikës së ditës. Duke u bërë me apo pa dashje, vazhdim i politikës me mjete të tjera.

    –          Disa të tjerë, për shkak të mos begenisjes në masën, nivelin e pritshmërisë dhe përmasën e nevojave të tyre nga ana e Kryeministrit, në marrëdhëniet e tyre personale, u munduan që ta projektonin këtë si një sjellje të Edi Ramës me të gjithë qytetarët e këtij vendi.

    –          Ndonjë tjetër, i mësuar me sa duket për ta konsideruar veten si qendra e botës mediatike për çështjet e politikës shqiptare, u ndje jashtë dritës së prozhektorëve, ndoshta si kurrë më parë në karrierën e tij. Ndaj e shndërruan të gjithën atë çfarë ndodhi përpara dhe gjatë fushatës, në një bast personal. Duke u bërë me apo pa dashjen e vet, palë me armiqtë apo kundërshtarët politikë të PS dhe Kryeministrit.

    –          Ndonjë tjetër, ndoshta meriton një analizë frojdiste dhe psikoanalitike në këtë qasje raportesh publike me Ramën. Një raport i cili në jo pak raste mori nota nervozizmi, sharjesh dhe fyerjesh, duke tejkaluar së tepërmi çdo etikë dhe marrëdhënie normale media- politikë, gazetar- politikan apo analist politik- lider politik.

    –          Ndërsa një pjesë e mirë e të gjithë këtyre kategorive të mësipërme, ende nuk kanë arritur të kuptojnë se këto zgjedhje, ndryshe nga të gjitha zgjedhjet e tjera të zhvilluara pas 1990 në Shqipëri, kanë një veçori unike. Ato u zhvilluan në kushtet kur Shqipëria është bërë tashmë pjesë e revolucionit të teknologjive digjitale dhe realitetit të shoqërisë së informacionit. E ku në këtë epokë të re, të një gjenerate tjetër nga ajo e epokës së pas rrëzimit të Murit të Berlinit, komunikimi publik ka ndryshuar kryekëput. Për shkak të nivelit shumë të lartë të penetrimit të internetit dhe përdorimit masiv të rrjeteve sociale nga pjesa më e madhe e popullsisë, komunikimi mes lidershipit politik dhe qytetarëve, nuk bëhet më vetëm e vetëm me ndërmjetësinë e medias tradicionale, gazetarëve dhe analistëve si deri dje. Por në një mënyrë të drejtpërdrejtë. Nga lideri, tek qytetari. Nga kandidati për deputet, tek votuesi i thjeshtë. Nga partia politike, tek elektorati në kohë reale e në të gjithë territorin.

     

    Për këtë mjafton të jap një shembull. Edi Rama ka sot 1 milionë e 100 mijë friends aktivë në facebook-un e tij personal. E cila është shndërruar në një nga mediat e rëndësishme të këtij vendi. Për shkak të ndjekjes dhe ndikimit që ka në opinion. Ku aty ai emeton të gjitha aktivitetet e tij publike politike, nëpërmjet postimeve me tekst, foto, video apo nëpërmjet transmetimeve televizive live. Vetëm mitingun përmbyllës së fushatës elektorale të PS në qytetin e Vlorës, e panë nga facebook-u i Kryeministrit rreth 200 mijë veta në internet, e komentuan 15 mijë vetë, e pëlqyen 35 mijë persona dhe 10 mijë të tjerë e shpërndanë nëpërmjet facebook-ëve të tyre personalë në mënyrë virale, për miqtë e tjerë.

    Në këto kushte, kur një lider politik arrin të komunikojë direkt, në mënyrë horizontale me të gjithë qytetarët e vet, ai nuk e ka më atë nevojën jetike të deri djeshme, për ndërmjetësinë e medias tradicionale në përcjelljen e mesazheve të tij. Për rrjedhojë, ai nuk ndjen më nevojën e një raporti të pazëvendësueshëm me personazhet kryesorë të botës së medias, siç mund të ketë ndodhur në të kaluarën. E aq më pak, të detyrohet nga qasja apo sjellja e analistëve, që ta fusi veten në marrëdhënie interesash të ndërsjelltë, e aq më pak në një raporte okulte apo korruptiv me ndonjërin prej tyre.

    Por të kuptohemi. Ky shkrim nuk vendos kurrsesi, asnjë shenjë barazimi mes të gjithë atyre që kanë statusin publik e profesional tashmë, si dhe mundësinë për të dalë në ekrane gjatë fushatës elektorale, për të analizuar zhvillimet politike si gazetarë apo me cilësinë e ekspertëve të fushës. Përkundrazi. Ka shumë prej tyre që ruajnë një profil të lartë profesional dhe që vazhdojnë të dëshmojnë dinjitet intelektual, duke merituar vlerësime dhe respekt.

    E gjitha çfarë ndodhi me “partinë” e analistëve humbës, nuk është fitore e askujt e aq më pak triumf i PS dhe Edi Ramës ndaj tyre. Përkundrazi. Është një mundës e shkëlqyer edhe për të gjithë ata, që të kuptojnë pozitën e tyre aktuale. Partitë dhe liderët humbës, kanë heshtur deri tani. Me siguri, duke u munduar që të analizojnë rezultatin, për të nxjerrë mësimet e duhura në të ardhmen dhe për të nisur reformimin e thellë të partive dhe strukturave të tyre, në përgatitje për betejat e ardhshme elektorale. Ndërsa analistët që kanë mundësinë për të folur nëpër ekrane çdoherë e për gjithçka, kanë një mundësi të artë për të analizuar për herë të parë…, edhe vetveten.

    *E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post