• Shqip
  • English
  • E premte, 23 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Art & Kulturë Libra Sa nje kafe nga Iva Të gjitha

    Kur Diana Çuli bën “Vrasje në Kryeministri”


    Nga Iva Tiço/ Nëse do ishte një ditë normale, kur për të hyrë në COD, hapësirën e katit të parë të Kryeministrisë që prej kohësh shërben si qendër kulturore, do të mjaftonte thjesht të të shihnin letërnjoftimin dhe të kaloje në makinerinë-metalkërkuese, atëherë titulli i librit të Diana Çulit “Vrasje në Kryeministri” do të të dukej thjesht si një gjetje e mirë publicitare. Por ja që ngjarjet e fundit, sulmet me bomba molotov në derën e Kryeministrisë, hyrja jo si zakonisht, por nga pas, në të tjera masa sigurie nga normalja, plus grija që nuk po i ndahet qiellit të Tiranës, e kanë bërë këtë promovim libri në këtë ambient (vënë në axhendë javë më parë) të marrë paksa nga atmosfera e librit të Dianës. Por kjo veç në minutat e para, derisa salla të mbushet me të ftuarit e veçantë të këtij promovimi, që nuk është enturazhi i zakonshëm që shkon në “qokat” artistike dhe mundane të Tiranës, por të rinj nga gjimnazi “Sami Frashëri”, që janë të organizuar në një “Klub Libri” dhe që me shumë dëshirë kanë ardhur të takojnë shkrimtaren dhe të flasim të gjithë për librin, prezantuar nga botuesja Arlinda Dudaj dhe modestisht nga unë, si lexuese.


    Diana Çulin si shkrimtare e kam njohur pak a shumë në moshën e atyre që kishim sot në sallë, kur libri i saj “Dreri i Trotuareve” lexohej me etje nga gjithë vajzat e brezit tim dhe shërbente si biseda jonë e preferuar e pasditeve, si ëndrra e një jete që na priste kur të rriteshim dhe pak, si libri që ishte aq ndryshe në kohën kur letërsia ishte e mbushur me heronjtë e realizmit socialist. Ndaj emri i Diana Çulit është aq i dashur për gjithë brezin tonë, aq sa edhe pas tridhjetë vjetësh, pas kaq e kaq romanesh, ne vijojmë ta njohim shkrimtaren si “Diana e drerit të trotuareve”. Nuk besoj se asaj i vjen keq, edhe pse të tjerë romane si “Ëngjëj të armatosur” për të janë më të dashur, më të pjekur artistikisht, të përkthyer tashmë edhe përtej kufijve. Ndoshta për të treguar se që nga koha e “Drerit” kanë kaluar jo pak, por tridhjetë vjet, ka nisur ta “koklavisë” prozën e saj edhe me triller, si “Vrasje në Kryeministri”, një nga gjinitë më të suksesshme sot në botë. Dhe si gjithë shkrimtarët e mirë të këtij zhanri, Diana Çuli nuk e lë librin thjesht tek gjetja e vrasësit, por shkon përtej, duke rrëfyer një histori nëpërmjet ndërtimit të ngjarjeve në formën e zbulimit të një misteri. Një vrasje e ndodhur në zyrat më të larta të qeverisë (në romanin e saj, Diana, e njohur si feministe, e ka përdorur trillin e shkrimtarit për të emëruar të parën kryeministre grua në Shqipëri) bën që kryeministrja t’i kërkojë ndihmë një gruaje tjetër, që do të punojë në mënyrë të fshehtë si hetuese private, ndërkohë që për sytë e gjithë të tjerëve do jetë këshilltarja e ngarkuar për të ndjekur realizimin e një projekti kulturor ballkanik. Prej këtu pastaj libri rrjedh në kërkim të zbulimit të vrasësit, ndërkohë që paralelisht me linjën kryesore brenda tij gjenden edhe shumë histori, të sotme dhe të shkuara, intriga, dyshime, personazhe të spikatura, flirte dashurore, dialogë të bukur, ide për integrimin e Ballkanit në Evropë, emancipim të gruas… Me pak fjalë, të gjithë ata përbërës që e bëjnë një libër të mirë, që e ndajnë një roman të thjeshtë policesk nga një letërsi e mirë triller si kjo e Dianës.
    Për fat, auditori përballë është gjithë sy e veshë. Krejt ndryshe nga enturazhi i zakonshëm që shkon në “qokat” e Tiranës, nuk bëjnë pësh-pëshe, nuk flasin me njëri-tjetrin, por në mikrofon me sallën. Ata që e kanë lexuar librin ndajnë përshtypjet si lexues apo bëjnë pyetje specifike. Të tjerët, që nuk e kanë lexuar ende, bëjnë pyetje për letërsinë, për librat e tjerë të Dianës, kërkojnë madje edhe këshilla prej saj si shkrimtare për të ardhmen e tyre si shkrimtarë nesër. Dhe ky për mua është lajmi më i bukur që mund të vinte në një ditë të zymtë, ku Kryeministria ku jemi futur i ngjan aq shumë kopertinës së librit triller që kemi në dorë: të rinjtë e një gjimnazi të Tiranës, ata që ne mendojmë që nuk duan t’ia dinë për asgjë përtej ekranit të celularit, kanë ëndrra me letërsinë. Pra, nuk është se këto tridhjetë vjet që nga dalja e “Drerit të Trotuarëve”, na paska ndryshuar ndonjë gjë e madhe! E njëjta shkrimtare është tashmë para tyre, sërish e freskët, sërish aktuale. Sepse letërsia, ashtu si dashuria, mesa duket nuk do dalë kurrë nga moda.