• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 16 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Kontribues Në rresht të parë Të gjitha TIP top

    Kur bëja pajën… e cila është akoma në modë


    Nga Marçela Lati/Tek po luante me bojëra, djali im 8-vjeçar më njollosi një kuvertë dhe instiktivisht reagova “Moooos, kuverta që kam sjellë në pajë!”. Im shoq u shkri së qeshuri… ndërsa Jon (djali) më pyeti: O maaa…çfarë është paja?!

    Fillova të qesh dhe vetë pasi e thashë, sepse dhe unë bëj pjesë tek ai brez që shkoi në martesë pas një bashkëjetese. Dhe në këtë kontekst, koncepti “pajë” nuk ka rëndësinë që ka pasur dikur. Pasi i shpjegova djalit se çfarë ishte paja, më lindi ideja ta prekja pakëz këtë temë në shkrimin e radhës.

    Çfarë rëndësie ka pasur paja tek vajzat? A bëjnë pajë nuset e sotshme? Si të bësh pajën sot?

    Për here të pare jam njohur me pajën kur shihja dy tezet e mia, beqare asokohe, në moshë shumë të re, që uleshin në një orar të caktuar të ditës dhe punonin mbi disa rrugica të bëra me material thesi, të cilat i qëndisnin me fill deveje në ngjyrime të bukura, rombe apo lule. E tëra punë artizanale. Më kot u munduan tezet e shkreta, se “kur u doli fati” ishin 35-vjeçare dhe as i mbanin më mend ku i kishin degdisur ato rrugica, të cilave u kishin kushtuar orë të tëra pune.

    Pastaj afrohem pak në kohë, kur isha rreth 7-8 vjeç dhe babai im, nga rrugët e tij të shpeshta jashtë, për shkak të punës që bënte para viteve ’90, ishte kujdesur të më sillte peshqirë dhe kuverta, që mami im i sistemonte të paketuara mire mbi dollap e thoshte gjithë krenari “këto i kam për pajën e vajzës”. Në fakt,  kuverta që im bir njollosi nuk ishte nga ato të asaj paje :).

    Unë, pajën time nisa ta bëj rreth 7 muaj para datës së dasmës, që përkonte dhe me hyrjen në shtëpi të re. Edhe pse vija nga një bashkëjetesë, në shtëpinë e mëparshme isha mjaftuar me ato që mamatë respective na kishin dhënë nga shtëpitë ku kishim jetuar. Ndërsa kënaqësia e të jetuarit në shtëpinë tone të re zgjoi tek unë dëshirën për të bërë “pajë” dhe ju betohem që edhe pse nuk e mbaj veten për nikoqire, mora shumë kënaqësi nga këto blerje, të cilat ishin thjesht të nevojshmet, pa ekzagjerime në sasi apo kosto.

    Foto Gentian Ferhati (nga arkivi i Geraldina Sposa)

    Paja, mbase ka dalë mode, por vazhdon të jetë mënyra më komode për të amortizuar në kohë shpenzimet e pashmangshme që duhen bërë kur vendos të martohesh apo të bashkëjetosh në një shtëpi të re. Po të keni parasysh se çfarë shpenzimesh duhen bërë, që nga blerja e lugëve, pirunëve e deri tek mobilimi, paja është shpëtim. Ndaj, kur një vajzë është e fejuar, duhet të fillojë të kujdeset për “pajën”  e saj, që mund të konsistojë në blerjen e gjërave bazike, pa qenë e nevojshme të dish llojin e shtëpisë ku do të jetosh apo mobilimin që do përdorësh. Në ditët e sotme nuk ka nevojë ta ekzagjerosh me 12 komplete çarçafësh apo me çentro të ngrira (uroj që ju që më lexoni ta njihni fjalën çentro :)).

    Po çfarë duhet të përmbajë paja e një nuseje moderne?

    Pikë së pari, duhet të dini se paja do bërë nga vajza dhe është shpenzim i saji :). Po disa nga ju, nëse e bëjnë kështu, kanë frikë se nuk quhen moderne :), pasi një nuse moderne shpenzimet i ndan përgjysmë me bashkëshortin e ardhshëm. Ose, nëse është shumë, shumë “moderne”, këto shpenzime ia ngarkon të gjitha atij :-). Personalisht, për shumë, shumë modernet nuk kam shumë simpati :).

     

    Mund të mjaftoheni me 1/3 e numrit të dikurshëm të kompleteve të çarçafëve apo peshqirëve, pasi sot paja nuk përdoret si status social – ekonomik si dikur. Paja sot është minimum i nevojshëm fillestar në jetën e një çifti të ri. Mund të vazhdoni me një kuvertë e një jorgan. Këtu mos harroni atë kuvertën e lehtë e të ngrohtë, për t’u mbështjellë gjatë ndjekjes së një filmi rehatuar në divan në ditë të ftohta. Duke filluar të mendosh për këto të paktën një vit më parë, mund të përfitosh nga skontot në dyqane të ndryshme në qytet…

    Mos harroni dhe mbulesa tavoline për përditshmërinë, por dhe për rastet e veçanta. Pjata, gota, etj., mund t’i lini për në fund e t’i fusni në listën e dhuratave të miqve për dasmëntuaj. Të gjitha këto shpenzime në përpjestim të drejtë me mundësitë tuaja ekonomike.

    Një këshillë: në blerjet e reja që do të bëni, kujdesuni që pizhamat me kukulla e maçokë t’i zëvendësoni me robëdëshambre e këmisha nate më sensuale, kjo sa për të përkëdhelur dhe bindur veten që paja nuk është e gjitha në funksion të shtëpisë së re :).

    Lexohemi së shpejti

    Tiranapost.al

     

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]