• Shqip
  • English
  • E diel, 25 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Anti-Politika Opinion Të gjitha

    Kur atipikja është në modë!


    Nga Alfred Peza

    ANTIpolitika

    Erdhi kjo ditë, kur PS të ketë simbolin e saj dy gishtat e ngritura lart, në fushatën e zgjedhjeve të 25 qershorit 2017. Një simbol kryekëput dhe ekskluziv i PD. Plot 27 vjet nga uragani i lëvizjes antikomuniste e dhjetorit ’90 kjo shenjë, ky xhest, ky simbol u shfaq për herë të parë masivisht dhe u bë mishërimi i rrëzimit të diktaturës 50 vjeçare komuniste. Sa shkrime u bënë, sa bojë u derdh, e sa talent u desh nëpër fjalime, për të shpjeguar se bëhej fjalë për një përshëndetje me dy gishta në formë “V”-je, që do të thoshte “Victory” = fitore, etj, etj. Më pas, deri më sot, ajo u bë shenja e vetme, më e qartë për të dalluar publikisht një demokrat nga një socialist. Një të djathtë, nga një i majtë. Një mbështetës të Sali Berishës, nga një të Fatos Nanos.

    Një përkrahës të Lul Bashës, nga një votues të Edi Ramës. Me pak fjalë, shenja e dy gishtave u bë kufiri ndarës i një filozofie dhe një spektri të tërë politik.
    E sot kahjet duket se kanë ndryshuar totalisht. Sa hap e mbyll sytë. Si me magji. Me një të rënë të lapsit, e me një ngritje të dorës. Edi Rama përshëndet nga çdo tribunë tani me dy gishta, sikundër çdo i majtë dhe votues i PS. Demokratët pothuajse e kanë gati- gati të ndaluar ta përdorin. Duke hequr dorë prej saj si me magji.

    Duke patur frikë që ta përdorin simbolin e tyre deri dje identifikues, me frikën se mos i marrin për votues të PS. PO ç’farë ka ndodhur dhe si shpjegohet kjo situatë? E gjitha ka një shpjegim, sigurisht. Shumë të thjeshtë, madje. Kryeministri, gjeti këtë zgjidhje kontraverse, i pakompleksuar siç është në këtë histori, duke dashur ti ngulisë çdo votuesi në mendje Nr. 2. Numër që emri i tij dhe PS kanë në fletën e votimit. Duke shfrytëzuar mjeshtërisht në këtë rast, një rrethanë tjetër fatlume politike. Marrëveshjen e tij të 18 majit, me Kryetarin e PD. Duke i dhënë atij një mundësi të artë për të dalë “me nder” nga çadra ku ishte ngujuar prej 3 muajsh, e për ti “vjedhur” pa pikën e kompleksit pas kësaj, kryesimbolin.

    E në këtë “detantë” e gjitha kjo ngjiti “si me zamkë”, për arsye që mund të shpjegohen ndoshta vetëm me teoritë e marketingut. Sipas së cilës, në epokën tonë, antisimbolet janë në modë. Ndaj është kjo arsyeja se përse fushatat publicitare, janë të mbushura dhe ngjisin më shumë, kur vendosin në qendër të tyre, kapërcime kaq ekstreme.

    Një trend ky që nisi me spotin e famshëm të themeluesit të “Apple” Stiv Xhobs, për kompjuterin “Macintosh”. Ishte viti 1984 dhe strategët e marketingut shfrytëzuan titullin e librit të famshëm të Xhorxh Oruell “1984” për ti bërë një lançim historik projektit të gjeneratës së re të kompjuterave, me shprehjen e famshme “1984 nuk do të jetë më “1984”.
    Pra e ardhmja pas kësaj, do ishte komplet ndryshe nga “1984” që përshkruhet në librin e famshëm të Oruellit, ku “krimi i mendimit” është tipari dallues i gjithë diktaturave. Revolucioni i teknologjive digjitale që vijoi më me hov pas kësaj, e që u pasua me realitetin e shoqërisë së hapur që jetojmë sot, i dha të drejtë strategëve të marketingut. Kjo teori u zbatua më pas me shumë sukses edhe në fushën e modës dhe sektorë të tjerë, nga ata që i kanë dhënë e i japin tonin zhvillimeve të tregut global.

    Marja dhe fitimi i qytetarisë së menjëhershme të simbolikës së dy gishtave lart nga PD tek PS, ka edhe një shpjegim tjetër. I cili lidhet me kushtet specifike që e mundësuan këtë “kërcim të madh Pindarik”, në mënyrën më të natyrshme të mundshme. E gjitha ka të bëjë me faktin se Edi Rama është një lider politik atipik dhe fushata elektorale e zgjedhjeve që po zhvillohet këto ditë në Shqipëri, është gjithashtu totalisht atipike.

    Që Edi Rama është një personazh, politikan dhe lider atipik, këtë nuk kemi nevojë ta themi sot. Mjafton që ti hedhësh një shikim të shpejtë retrospektiv gjithë jetës së tij personale por edhe politike, për ta kuptuar këtë. Një atipizëm që do binte në sy e do komentohej edhe në shoqëri shumë më të zhvilluara demokratike se ne, e jo më në një vend “konservator” dhe pa shumë histori në traditën e vet pluraliste si jona. Mjafton të shohësh veshjen e Edi Ramës, komportimin e tij mediatik dhe sjelljen publike, për të kuptuar se është një steriotip krejt i veçantë i botës politike, ndoshta jo vetëm shqiptare. Veshja e tij atipike për shembull, gjatë vizitës së fundit në Bruksel, mori vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare. Duke marrë kritikë pozitive. Ndryshe nga sa mund t’i ndodhte ndonjë lideri tjetër, që mund të ishte kryqëzuar. Me të ndodh pak a shumë si në romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, ku përshkruhet një situatë kur një fshatar me opinga, brekushe e llullë do hynte në hotelin më luksoz të Tiranës, do ta quanin të prapambetur. E po të hynte vetë autori, me të njëjtën pamje dhe veshje, do ta quanin modern.

    Nga ana tjetër, edhe fushata elektorale për zgjedhjet e së dielës së ardhshme, është më atipikja e post komunizmit në Shqipëri. Sepse për herë të parë të gjitha partitë kryesore parlamentare, që pritet të fitojnë edhe 90-95% të deputetëve të Parlamentit të ri, janë në qeveri. Kanë ministra e drejtorë që i përfaqësojnë në pushtet. E për rrjedhojë kanë akses, informacion dhe ndikim të drejtpërdrejtë në administratë dhe në vendimmarrjet.

    Fushata po bëhet pa flamuj, banderola dhe portrete gjithandej kandidatësh, liderësh dhe partish politike. Mediat televizive janë detyruar që ta pranojnë për të shfaqur spotet pa pagesë. Ndërkohë që aksesi dhe prania mediatike, duket pothuajse në balancë të plotë mes kohës televizive dhe peshës elektorale që përfaqësojnë partitë dhe udhëheqësit e tyre në terren. Pavarësisht ndonjë incidenti të veçuar e kryesisht lokal, në përgjithësi klima politike është e relaksuar.

    Të gjitha këto rrethana atipike, e bëjnë këtë fushatë elektorale, atipike. E ashtu si në ligjet e fizikës ku të kundërtat tërhiqen (minus dhe minus = plus) edhe në një ambjent atipik si ky, përdorimi atipik i simbolit të dy gishtave nga një lider politik atipik, e bën atë krejt të pranueshëm. Jo vetëm duke i dhënë qytetarinë, por duke e bërë krejt të prekshëm, të rrokshëm, familjar dhe natyral për të gjithë votuesit e majtë dhe të djathtë.
    Ndaj Edi Rama po përdor me të njëjtën logjikë nëpër sheshe si kurrë më parë, jo edhe aq flamurin e PS, sesa flamurin kombëtar kuqezi. Në mënyrë që mesazhi i tij të shkojë dhe për rrjedhojë të arrijë që të “peshkojë” vota edhe përtej gardhit të PS e të së majtës. Duke i dhënë jetë sondazheve, që për herë të parë pas 27 vjetësh e nxjerrin një parti politike si PS, jo vetëm fituese të zgjedhjeve. Por, me pritshmëri, që do i mundësojë fitoren e 71 e me shumë mandateve, ndoshta e vetme. Për të prodhuar në këtë mënyrë një realitet elektoral atipik, në një vend tipik politik. E hajde thuaj pas kësaj, se antisimbolet nuk janë në modë!

    *E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al