Aktualitet

Ku të aplikosh për një Bujtinë apo të gjesh gjysmën e lekëve për rikonstruksionin e një godine agroturizmi!

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bashkë me Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural prezantojnë skemën për ngritjen ose rikonstruksionin e 22 bujtinave, një skemë me një buxhet prej 154 milionë lekësh. Ndërtimi apo rikonstruksioni i strukturave agroturistike do ketë mbështetje deri në 50% të invetimit me masë financimi deri në dhjetë milion lekë. Ndërsa për rikonstruksionin apo ngritjen e ambjenteve për veprimtari të  turizmit rural (bujtina) me kapacitet nga 4 deri 10 dhoma, mbështetje deri në 50% te investimit me masë financimi deri ne një milion e pesëqind mijë lekë.

Si mund të aplikoni: Përfituesit potencialë të kësaj skeme do jenë fermerë, persona fizikë ose juridikë te cilët duhet të paraqesin pranë AZHBR, dosjen fizike me dokumentacionin përkatës i cili gjendet i detajuar ne faqen e internetit të azhbr.gov.al

Projektet duhet të përfshijnë: Pjesën konstruktive, arkitekturore të shoqëruar me një relacion teknik nga arkitekti. Një plan biznesi 5 -vjeçar. Të përmbushë standardet e akomodimit dhe mbrojtjes mjedisore si dhe sigurinë ushqimore. Të ketë përmbushur detyrimet tatimore për personat fizikë dhe juridikë. Ndërsa për aplikuesit fermerë të kenë shlyer sigurimet shoqërore.

Në përfundim të aplikimit fituesit duhet të sigurojnë çertifikatën e agroturizmit sipas VKM-së për agroturizmin. AZHBR fton të gjithë të interesuarit të aplikojnë deri më 15 Korrik, 2018 duke dorëzuar dosjet fizike, pranë zyrave qendrore të AZHBR./  Përgatitur për Tiranapost.al Elisa Bajrami.