• Shqip
  • English
  • E premte, 19 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • Blogu i një vajze single, ose aty rrotull Kontribues Të gjitha

    Ku gjuhet në ditët e sotme?


    Iva Tico/“Po të mos isha martuar para ’90-ës, me siguri sot do kisha mbetur beqare”, më thotë shpesh një kushërira ime, e cila ndonëse jo shumë vite më e madhe në moshë se unë, ka një jetë shumë të ndryshme nga e imja. Sepse dikur gjërat ishin ndryshe, si më të programuara, kishte një rregull edhe për këto punë. Përshembull po të mos shkoje në shkollë të lartë, filloje menjëherë punë në ndonjë ndërmarrje dhe ose fejoheshe me atë që e kishe shok turni e të shoqëronte çdo ditë në shtëpi me biçikletë, ose familja të gjente tak fak një çun të vetëm, me të gjitha të mirat e të mirat. Po të shkoje në shkollë të lartë, aty nga viti i tretë, ose fejoheshe me një shokun e klasës (normalisht edhe ai me biçikletë të shoqëronte, me çfarë ta bënte tjetër?!) ose prapë familja të gjente një alamet çuni me punë të mirë (ky rasti i kushërirës sime ishte një gjë e ndërmjetme, ia kishte njohur familja, ama ishin dashuruar normalisht, duke bërë varavinga me biçikletë). Pastaj gjithçka në jetë ecte pa të papritura, dasma, fëmijët, shkollat e fëmijëve… Prej këtij rregulli ndoshta do ketë lindur dhe ajo shprehja “s’ka mbetur laraskë pa bisht”, që nënat tona na e citojnë ende edhe sot e kësaj dite.

    Sipas një të tillë skenari duhej të shkonte edhe jeta e brezit tim, nëse nuk do kishin ndryshuar kohët. Përshembull kur unë isha e vogël, pa shkuar madje ende në shkollë, familja ime parashikonte të bëhesha mësuese, sepse e mbaroje punën herët në drekë dhe bëje tre muaj pushime në verë, burrin do ta merrja ose profesor në Universitet, ose farmacist (se doktorët punojnë orar e pa orar), ose ekonomist, përshembull, shef plani në ndonjë ndërmarrje (finance jo, se nxjerrja e bilancit ishte shumë e lodhshme, sipas mamit tim), pastaj do bënim një djalë dhe një vajzë dhe kaq. Po ja ku jam, pa asnjë nga këto. Edhe pse në vit të tretë për pak u fejova më atë çunin që kisha te fakulteti ngjitur, por që falë Zotit e kapa me një tjetër dhe shpëtova… Mund të isha fejuar e martuar në momente të ndryshme të jetës, por ja që s’e kam bërë dhe vijoj të jem e pamartuar dhe e lidhur me Zemrën-time-të-përhershme, që mes ulje ngritjesh, ndarjesh e bashkimesh, normale në një çift (vërtetë janë normale?!) më bëjnë të mendoj si kushërira ime e madhe: po të isha vetëm tani, përshembull sonte, me kë do dilja? Nëse nuk do kisha dikë që më vjen rrotull, ku do gjeja një të ri? Ku do gjuaja?

    Epo dhe aq e vështirë nuk duhet të jetë xhanëm! Tirana plot është (thonë!).

    Ja përshembull, sonte e kam lënë të dal me gocat. Domethënë me shoqet beqare dhe jo, të lidhura dhe gjysmë të lidhura. Normal që flasim dhe për çunat. Qajmë hallet dhe problemet, që i na hapin ata që kemi, dhe për problemin që kemi, se ku të gjuajmë ata që s’i kemi. Le t’i marrim vendet me radhë:

    Palestra? Çka! Quhet, vetëm nëse arrin të imagjinosh, se si do duket një njeri nëse lahet, ndërron tutat me veshjen “civile” dhe bën ndonjë muhabet tjetër veç kalorive që digjen dhe atyre që merren.

    Bibliotekë? Hahaha! Vërtetë, a ka më biblioteka sot?

    Baret dhe pub-et? Kjo dihet, të garantojnë përgjithësisht aventura, por jo lidhje (dhe aventurat në ditët e sotme nuk janë të sigurta që do ndodhin, sepse vërdallë ka shumë konkurrencë).

    Njohjet e përbashkëta? Po i kemi mbaruar me kohë, ose ne ose shoqet tona.

    Vlerësojmë mundësitë për t’iu rikthyer për herë të dytë (por edhe të tretë) historive të vjetra, kur njërës në tavolinë i bie celulari. Biseda nis normal, e qeshur, pastaj shoqja ka një fytyrë të habitur, pastaj të prerë e në fund thotë “flasim ditë tjetër se tani jam e zënë”… Pasi merr veten nga habia, zë e tregon se e ka telefonuar një e njohura e saj (gjithë gjithë tre kafe kanë pirë) dhe se i ka thënë se një miku i saj interesohej për të, ajo nuk donte të ndërhynte, por thjesht le të njiheshin, kjo nuk i imponohej, po le të bënin ça të donin. “Është djalë shumë i mirë”, – i kishte thënë, – “flori fare. Apo nuk është king, ka një biznes që i ecën shumë mirë, ka shumë para, një grua zonjë dhe dy fëmijë si drita”…

    Epo kjo pikë e zezë kështu! I duhet thënë kushërirës sime që të mos jetë kaq e qetë, se nuk i dihet në ditët e sotme (obobo, burri i saj është king, edhe me biznes, por uaaaa, ça lehtësimi, ata kanë vetëm një fëmijë). Gjithsesi mirë është që ta ketë edhe ajo një plan B. Së paku të hedhë një sy vërdallë, sa për të mësuar se ku ka ndonjë vend ku mund të gjuajë në rast emergjence. Thjesht sa për ta ditur.

    9 Komente

    1. 1- zgjero shoqerine dhe automatikisht ke nje network me te madh
      2- LinkedIn, zgjero network dhe shume njerez neper bote kane bere ” headhunting ” partneret e ardhshem
      3- per ato ambiciozet, tinder, grinder, sugardaddy.com, ose seekingarrengment.com
      4- per guximtaret ndjekja e sportive ose hobeve te reja, per te njohur njerez te rinj
      5- per pertacet, kerko ndihme familjes se dike ta gjejn,

    2. hahahahaha Bla!!! mendo shkova e mbylla kot Linkedln, ia mbylla shansin vetes hahahaha. Me kenaqe!

    3. Fantazia eshte eshte vecantia me terheqse per nje femer. Kudo mundet te gjuash por varet nga gjahu. Pyetja qe duhet drejtuar me cfare pritshmerie e morali shkon per gjuajtur qe mos te zhgenjehesh fare! Te duhet nje per te hequr marazin apo nje per gjithmone qofte ai/ajo edhe i lidhur me nje tjeter apo ndonje qe te argeton me llafe?! Perdor pak fantazine para se ti mbyllesh vetes kot mundesite ne palester apo kafenete e Tiranes se fundi i fundit nje loje ngelet. Ndoshta je ti vete e merzitshme ose s’je e zonja me per gjueti!!

    4. Ivushe e dashur, thjesht nuk ka ardhur momenti yt. Me pelqeu shume shkrimi yt, i thjeshte , i drejtperdrejte, ironik sa duhej, i vertete pamase.