Aktualitet

Kthimi i vizave për Shqipërinë, vendos Komisioni Europian dhe jo Holanda

Kërkesa e Holandës për kthimin e regjimit të vizave për shqiptarët, duke adresuar rritjen e kriminalitetit nga bandat shqiptare si problem kryesor,  ishte një lajm që u përhap me shpejtësi ditën e sotme.

Por, cilat janë mundësitë reale që Holanda të kthej pas në kohë shqiptarët duke vendosur rregjimin e vizave?

Komisioni Europian dhe shtete anëtare mund të jenë në gjendje që të kërkojnë rivendosjen e vizave për një shtet jashtë Bashkimit Europian, nëse plotësohen një ose më shumë nga këto çështje:

-Një rritje e konsiderueshme e numrit të shtetasve të atij vendi që refuzojnë hyrjen dhe qëndrimin e parregullt në territorin e Bashkimit Europian.

-Një rritje substanciale në aplikimet e pabazuara për azil ose mungesa e mekanizmave të bashkëpunimit për kthimin e emigrantëve.

-Shtim të kërcënimi të politikave publike dhe sigurisë së brendshme nga shtetasit e vendit në fjalë.

Sipas projektligjit të detajuar mbi të tillë rastesh shtete anëtare, si Holanda në këtë rast, përpilon një raport të cilin e depoziton në Komisionin Europian lidhur me pezullimin e vizave. Komisioni do të jetë përgjegjës për monitorimin e situatës dhe brenda një muaj vendos lidhur me pezullimin ose jo të vizave.

Komisioni Europian ka të drejtë të pezullojë deri në 9 muaj vizat dhe gjatë kësaj periudhe duhet të përpiqet së bashku me vendin në fjalë, të gjejë zgjidhje për rrethanat që çuan në pezullim.

Nëse situata vazhdon, Komisioni duhet të paraqesë të paktën dy muaj para përfundimit të periudhës 9 mujore një propozim për rikthimin e përkohshëm të vizave për një periudhë shtesë prej 18 muajsh. Ashtu sikurse mund të vendos për kthimin e regjimit të vizave.

Në përfundim, vendimi i takon vetëm Komisionit Europian për kthimin ose jo të regjimit të vizave dhe jo një shteti, siç është konkretisht Holanda.

J.L, Tiranapost.al