• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 21 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Në rresht të parë Të gjitha TIP top

    Kthim nga e ardhmja. Si do të jenë nuset e 2019-ës?


    Si çdo vit tashmë, pa mbaruar ende urimet e Vitit të Ri dhe pa u hequr të gjitha dekorimet festive, ne të Geraldinës shkojmë të parët për të porositur fustanet e vitit që vjen. Duket pak si udhëtim në kohë. Jemi në janar 2018 dhe në dosjet tona shfaqet viti 2019.

    Deri këtu është ok, por ajo që kënaq më tepër nuset e ardhshme është se një pjesë të këtij koleksioni “Preview” do të kenë mundësinë ta shohin të parat në dyqan, që në maj-qershor të këtij viti. Ajo që do të jetë e zakonshme në 2019-ën na paraqitet si e jashtëzakonshme në 2018-ën. Dhe vajzat në prag martese janë të ekzaltuara që do të mund të shohin veten të veshura me një fustan të 2019-ën në 2018. Në fakt, dhjetë vjet më pare, firmat furnizuese që propozonin një koleksion “Preview”, që u paraprinte koleksioneve që do të pasonin, ishin shumë pak. Por si në çdo gjë, për shkak të konsumizmit, edhe shumë firma te tjera nisën të propozojnë të famshmet koleksione “Preview”në botën e modës së veshjeve të nusërisë.

    Por, në fakt, a mund të quhet një fustan i 2019-ës, kur është propozuar në ditët e para të 2018-ës dhe prodhuar në ditët e fundit të 2017-ës?
    Vajzat që martohen nuk e bëjnë këtë lloj arsyetimi. Në rastet kur preferojnë “Preview” e bëjnë për të pasur një fustan eskluziv, që ende nuk është i konsumuar mjaftueshëm vizualisht në rrjetet sociale, edhe pse personalisht mendoj që fryma në modelet e propozuara është thuajse e njëjtë, me ndryshime të vogla nga viti në vit. E gjej veten që pres me padurim ulur në rresht të parë të fillojë sfilata, e cila në të shumtën e rasteve më entuziazmon rreth fundit, pasi kam arritur të evidentoj mjaftueshëm modele të bukura për shijet e tregut tonë.

    Mes firmave ku bëjmë porositë, tashmë kemi bërë zgjedhjet e fustaneve të reja dhe mund të themi se kemi një koleksion mbresëlënës për nuset që duan ta prekin shijen e 2019-ës që këtë verë. Veç punës sonë në përzgjedhje, janë dhe nuset ato që do duhet “të punojnë” pak për t’i veshur këto fustane. Filloni që tani të hiqni kilogramët e marrë për festa, se fustanet që po vijnë janë një spektakël i vërtetë dhe tendencat e reja kërkojnë siluetë që del në pah. Dhe kjo nuk është e vetmja veçori e fustaneve që do të vijnë.

    Nëse gjithmonë jemi mësuar ta shohim dantellën të mbivendosur në tyl, e reja në koleksionet “Preview” 2019 është padiskutim mbivendosja e dantellës jo më mbi tyl, por mbi krine (krineja është një material i ngjashëm me një rrjetë, me përbërës fijeje plastike, e cila jep ngurtësi). Krineja na prezantohet në ngjyra të ndryshme, por ajo që bie në sy është preferenca e stilistëve për ta zgjedhur krinenë në ngjyrë nude ose tonalitetin pjeshkë, sidomos kur duan të evidentojnë dantellën. Tendenca e krinesë ka nisur të propozohet prej thuajse 3 vitesh, por shpërthimin e vërtetë të dukshëm për nuset do ta ketë në 2019-ën.

    Po na kthehet fija e argjendtë dhe gold në aplikat e përdorura në dantella. Kjo fije e bën të duket më e pasur dantella, dhe e bën më mirë lidhjen midis dantellës, që përgjithësisht mban ngjyrën pana, me ngjyrimin pjeshkë të bazave si krineja apo tyli.
    Dekoltetë do të vazhdojnë të jenë të thella (të rekomandueshme për vajza me gjoks të vogël). Rekomandoj mbyllje të dekoltesë për vajza me gjoks jo të vogël, pasi rrezikojnë të duken vulgare.

     

    Shpinat gjithashtu të hapura e sensuale,të përshtatura jo vetëm në rastet e fustaneve me siluetë elegante. Të njëjtat shpina (por me hapje më të përmbajtur) i gjejmë dhe në fustanet me formën e A-së dhe ato me fryrje të princeshave të përrallave :), duke të dhënë mundësinë të jesh sensuale edhe kur ke veshur një fustan të fryrë, që nuk tregon linjat. Për sa të pasura janë dantellat, sigurisht që do të rrisin koston e fustanit, por që ia vlen, nuk është kaq e thjeshtë të jesh pararojë në modë.


    Pra, zgjedhjet janë nga më të shumëllojshmet. Problemi i vetëm është që për t’i pasur këto fustane në dasmën e verës 2018 do duhet të heqësh dorë nga ndonjë fustan që ke zgjedhur një vit më përpara në sallonin tonë. Ose të shtosh dhe një më tepër në minutën e fundit. Prej vitesh nuset e Geraldinës e bëjnë këtë. Jo më kot ato janë pararojë e modës.

    Lexohemi së shpejti!
    Marçela Lati