Aktualitet

Kryeministri Rama: Kam dëgjuar se shteti s’paska lekë. Sikur asnjë kokërr t'mos vijë nga bota do e përballojmë se është detyra jonë

Kryeministri Rama: Kam dëgjuar se shteti s’paska lekë. Sikur

Në fjalën e tij në Kuvend, kryeministri Rama sulmoi mediat, dhe ata që sipas kryeministrit dalin e flasin si sizmiologë, inxhinierë duke sulmuar qeverinë. Ai foli për zërat kritikë se shteti nuk ka asnjë lekë për të përballuar situatën. Gjithashtu u ndal tek programi i rimëkëmbjes.

Rama: 

Duke ndjekur diskutimet këtu, dëgjova që flitej për Japoni e për OECD-në, por, në fakt, meqë jemi në një situatë të jashtëzakonshme, dëshiroj të ndaj me ju nevojën që në kuadrin e adresimit të problemeve të konstatuara të marrim edhe shembullin e Japonisë, të Amerikës, të Izraelit, që, kur ndodhin fatkeqësi të këtyre përmasave, ua mbyllin gojën të gjithë atyre që s’kanë çfarë të thonë dhe ua mbyllin me ligj. Nuk iu jepet mundësia lloj-lloj protagonistëve pa lidhje që të çorodisin dhe të dëshpërojnë miletin. Besoj se edhe kjo do të jetë një nga gjërat që ne do ta adresojmë në reformën e përgjithshme ligjore për rastet e fatkeqësive të mëdha natyrore, se nuk është e mundur që, përveç halleve të mëdha nga fatkeqësia natyrore, populli të ketë edhe këtë hall të madh, me ditë e me net të bombardohet nga gjithfarë delirantësh e gjithfarë sharlatanësh, që shfaqen si sizmologë, si shkencëtarë, si inxhinierë, si konstruktorë e si prokurorë.

Nga ana tjetër dëgjova Ralfin që kërkonte matrapik dhe ishte shumë i shqetësuar që në vrapin e tij për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve, s’kishte parë matrapik. Nuk përdoret matrapiku, Ralf, në rrënojat ku ka ende jetë.

Dëgjova një zonjë tjetër këtu, që fliste për buxhetin dhe nuk e kishte lexuar fare. Fliste për makina luksi, ndërkohë që në këtë buxhet që ne miratojmë, janë hequr të gjitha shpenzimet për makina, për vitrina dhe për çdo nevojë tjetër të kësaj natyre. S’ka as mobilime, as fare. Të gjithë ato fonde i kalojnë fondit të rindërtimit. Po ta kishe lexuar minimalisht, këtë do e kishe kapur se kjo është kryesorja. Megjithatë, e mirëkuptoj që tërmeti ka bërë të vetën edhe mbi ju, edhe mbi fjalimet tuaja.

Për të ardhur tek thelbi që na ka mbledhur këtu e për të mos ju harxhuar kohë njerëzve me broçkulla, dëshiroj të theksoj disa gjëra.

Së pari, buxheti angazhon një fond afro 20 miliardë, prej të cilave, 13 miliardë janë lekë si transfertë nga të ardhurat buxhetore dhe 7 miliardë janë të ardhura nga donacionet e ndryshme. Por e gjithë kjo pako e parë është një alokim fillestar.

Kam dëgjuar përveç klithmave për kapele, për doreza e për çizme, që natyrisht janë jehonë e konstatimeve të përcipta, të përcjella nga ekranet, nga portalet e nga vitrinat, edhe që shteti paska mbetur pa lekë dhe s’paska kapacitet të përballojë këtë situatë, prandaj ne po i shtrijmë dorën botës.

Në fakt, kjo është e pavërtetë. Ne do ta programojmë të gjithë procesin, sikur të mos marrim asnjë lek nga bota. Kështu e kemi programin dhe kështu do ta bëjmë. Kjo që bëjmë me këtë buxhet është fillimi i këtij programi. Sikur asnjë kokërr leku të mos vijë nga bota, ne do ta përballojmë të gjithën, sepse është detyra jonë ta përballojmë dhe sepse ne jemi më të zgjuar, më të zotë, më të aftë sesa ju dhe ata që juve ju kanë hapur vendin këtu.

Natyrisht është një mundim më vete t’jua shpjegojmë juve sesi do e bëjmë këtë punë, por, nëse do të jeni pak të vëmendshëm me leximin e dokumentit, mund të kuptoni diçka. I them këto, pasi realisht duhet një kurajo që i kalon kufijtë e përfytyrimit tim, për të dalë këtu sot dhe për të folur të gjithë broçkulla, duhet një kurajo që i kalon kufijtë e parafytyrimit tim për të torollisur këtë popull me lumenjtë dhe me përrenjtë e broçkullave që janë thënë gjatë gjithë këtyre ditëve, lart e poshtë, në çdo kabinë dhe në çdo tendë medatike.

Programi për Rindërtimin do të financohet si një program buxhetor më vete. Do të jetë një fond buxhetor i transferushëm dhe dinamik, gjithmonë brenda programit të përgjithshëm buxhetor. Aspekti dinamik fondit është i rëndësishëm, sepse shuma e alokuar që do të kalojë qysh sot dhe do të detajohet në vijim nga buxheti i shtetit, jo vetëm është e konsiderueshme për të hapur procesin, por garanton që Programi i Rindërtimit të fillojë të zbatohet në shkallë të gjerë. Nga ana tjetër krijon hapësirë të plotë, qoftë për të shtuar në vijim nga buxheti, qoftë për të integruar në të donacionet e dedikuara për rindërtimin edhe përgjatë vitit 2020, kur do të kryhen disbursimet e donatorëve.

Me një vlerësim të saktë dhe të plotë të nevojave për ndërhyrje, nëse do të duhet angazhim i mëtejshëm i fondeve buxhetore gjatë vitit 2020, është parashikuar skenari që në çdo rishikim buxheti, kjo të ndodhë. Përfshirja e fondit si një program i posaçëm buxhetor i shërben qëllimit për të përcaktuar përgjegjësinë dhe për të vendosur njëkohësisht monitorim të plotë mbi institucionin, apo institucionet përgjegjëse për realizmin e programit dhe për disbursimin dhe transformimin e fondeve në vepra, apo akte të tjera që kanë lidhje me programin.

Duke qenë një zë më vete dhe projekt i dedikuar, është e mundur që të identifikohet plotësisht nga të gjithë dhe të bëhet transparencë e plotë për angazhimin total në favor të rindërtimit dhe duke ndarë këtë pjesë nga pjesa tjetër e buxhetit.

Objektivi ynë është shumë i qartë dhe kuptohet, është një arsye tjetër për të parë sesa ndryshe jemi ne nga ju dhe nga të gjithë ata që mendojnë si ju.

Ne nuk do t’i prekim parametrat kryesore të buxhetit vjetor.

Ne nuk do ta prekim ekonominë në funksion të rindërtimit, por do të përdorim rindërtimin në funksion të ekonomisë.

Ne nuk do të marrim nga një anë, nga populli, t’ia japim anës tjetër, po popullit.

Në vitin 2020, ne do të realizojmë edhe domosdoshmërinë për të mbajtur dhe për të fuqizuar shërbimet, edhe domosdoshmërinë për të ecur hap pas hapi me Programin e Rindërtimit, edhe domosdoshmërinë për të rritur ekonominë.

Përsa i përket qasjes, janë 6.2 miliardë që janë rishikuar në funksion të fondit të rindërtimit vetëm nga projektet e nisura të linjës, ndërkohë që projektet e ideuara për më tutje, jo nga projektet ekzistuese, është garantuar gjithë vazhdimësia e projekteve dhe janë financuar projektet e reja, edhe të ujitjes, edhe të kullimit, sipas parashikimit.

Natyrisht duke i prioritizuar të gjitha këto në funksion të rindërtimit, sepse nuk do kishte asnjë kuptim që ne të ndalojmë financimin e kullimit dhe të ujitjes për të financuar rindërtimin;

Siç nuk do të kishte asnjë kuptim që të ndalojmë shërbimet për të financuar rindërtimin. Nuk do të kishte asnjë kuptim t’u thonim njerëzve nuk do bëni kontroll mjekësor bazë, se ne do rindërtojmë, pra, t’ua hiqnim gjysmë milioni shqiptarëve të drejtën e kontrollit bazë falas me arsyen e rindërtimit;

Nuk do kishte kuptim t’u thonim të gjithëve atyre që bëjnë më në fund hemodializën si njerëz, që do ktheheni prapë në kohën e torturave, se ne do bëjmë rindërtimin;

Nuk do kishte kuptim t’u thonim grave shtatzëna do rrini pak më shumë në maternitet pas operacionit, se do infektoheni, se ne do bëjmë rindërtimin, apo hajdeni me gërshërë me vete që t’u operojmë se instrumentet mjekësorë nuk do t’i paguajmë më, sterilizimin nuk do e paguajmë më, apo analizat për të gjithë nuk do t’i bëjmë më, se do të bëjmë rindërtimin;

Nuk do kishte kuptim t’u thonim gjithë banorëve të zonës lart në Dibër, se do ndalojmë rrugën e Arbrit, se do bëjmë rindërtimin. Ndërkohë që rrugën e Arbrit, segmentin nga ana tjetër do ta fillojë qeveria e Maqedonisë së Veriut, një nga vendimet e marra, ose më saktë të konfirmuara në tryezën që kemi bërë në Ohër dhe kështu do krijojmë lidhje midis të dy segmenteve si rezultat i bashkëpunimit rajonal.

Do të ndërtojmë një lagje të re në Durrës, do të ndërtojmë një lagje të re në Laç dhe do të ndërtojmë tre në Tiranë, dy lagje të rëndësishme nga pikëpamja e volumit, njërën tek “5 Maji”, tjetrën në Kombinat dhe një të tretë, më të vogël, në ish Uzinën e Autotraktorëve. Me Laçin do të fillojmë menjëherë. Besojmë që brenda pak kohe, shpresoj shumë në mars të jemi në kantier. Me lagjen e madhe të Durrësit ka filluar puna për projektimin. Me lagjen “5 Maji” dhe me Kombinatin po ashtu. Së shpejti fillojmë projektimin për ish Uzinën e Autotraktorëve. Ndërkohë që do të adresojmë edhe godinat specifike në Lezhë, apo në pikat e tjera që përbëjnë rrezikshmëri.

Paralelisht po punojmë, do të kërkojë edhe kjo kohën e vet, për gjithë projektin e riparimit, që është një projekt gjigand më vete, njësoj si të ndërtosh edhe një lagje tjetër nga e para, sepse ka shumë godina të dëmtuara që kërkojnë riparim.

Përsa i përket pjesës të pastrimit, po nga ky Program do të financojmë të gjithë pastrimin, sepse janë me qindra mijëra, në mos miliona ton mbetje që do të duhet të evakuohen. Kemi vendosur që ta përdorim gjithë sasinë e mbetjeve të Durrësit për të mbyllur përfundimisht fushën e kancerit në Porto Romano dhe për ta transformuar në një park të madh publik. Po studiojmë mundësinë e përdorimit të mbetjeve në zonën e Krujës, në Thumanë, por ndoshta edhe duke futur një sasi nga Durrësi, për të mbyllur më në fund atë kancerin tjetër mbi lëkurë, të guroreve që kanë turpëruar të gjithë ne. Jemi i vetmi vend në botë që mund të kthejë në gurore dhe mund të sakatojë peizazhin e një vendi të shenjtë. Ai është vendi ynë më i shenjtë në histori, Kruja.

Duhet ta përsëris edhe këtu, sepse menjëherë sapo u bë njoftimi nga Komision Europian, alokimi i 15 milionë eurove, u shpërnda informacioni i shoqëruar me një lajm të rremë se kaq ishte, kjo ishte Europa. Jo, 15 milionë euro janë të nxjerra me urgjencë jashtë kanaleve të zakonshme, tani për këtë fazë. Janë 15 milionë euro të nxjerra nga portofoli i Komisionerit për Fqinjësinë dhe Zgjerimin dhe ndërkohë që janë në proces, qoftë shqyrtimi i kërkesës tonë për të mbledhur të gjitha fondet IPA të Shqipërisë dhe për t’i vendosur në një zë për rindërtimin, qoftë mekanizmi i ndihmës në rast fatkeqësisht i Bashkimit Europian.

Paralelisht është vënë në vijë edhe kërkesa e bërë qysh ditën e parë për një konferencë të madhe donatorësh, sepse në këtë rast do të ishte mirë që vendet e BE-së, por jo vetëm ato, të jepnin një kontribut veçmas arkës së buxhetit europian. Besoj se këtë e kemi arritur, duke iu referuar gjithmonë deklaratës së bërë nga Presidentja e re e Komisionit.

Ndërkohë na duhet të fillojmë të financojmë fazën e tanishme, na duhet të financojmë akomodimin në hotele, sipas marrëveshjes së bërë nga ministri i Turizmit.

E dëgjova edhe këtu, e kam dëgjuar edhe gjatë gjithë ditëve, lloj-lloj budallallëqesh për ministrat. Unë kam zënë shumë vend në ekran e nuk e them fare për modesti, por po të mos ishin të gjitha ata që shikoni mbrapa, nuk do të ishte bërë dot as 1/10 e punës që është bërë. Realiteti nuk është ai që tregon televizori, realiteti nuk është ai që secili percepton nga ekranet, nga portalet e nga kanalet. Realiteti është ai që është në territor. Nuk është as përgjegjësia dhe as detyrimi i askujt nga anëtarët e kabinetit, volumi i paraqitjeve në televizor të secilit prej tyre, por, nëse ministrja e Shëndetësisë nuk do kishte qenë non stop, ditë-natë, në krye të detyrës, sigurisht që nuk do kishim pasur maksimumin në raport me motivimin, me mbështetjen, me inkurajimin e njerëzve atje.

Në rast se ministrja e Mbrojtjes që, sapo është bërë nënë, nuk do kishte qenë non stop në krye të detyrës, pavarësisht insistimit të mjekëve për të mos qenë atje gjatë gjithë kohës, sigurisht që do kishte munguar burimi kryesor i shembullit dhe i motivimit. Jo se nuk do kishte funksionuar shëndetësia apo emergjencat, se nuk funksionon kështu, por ama ka qenë një super energji e vënë në dispozicion nga gjithë qeveria.

Në rast se ministri i Brendshëm nuk do kishte qenë në krye të detyrës, nuk do kishte patur mundësi qeveria të përcillte përmes tij gjithë atë motivim.

Në rast se ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk do kishte qenë non stop, 24 orë dhe nuk do kishte pushuar në makinë, - jo në shtëpi, - dy orë sa për të vazhduar punën, sigurisht që nuk do kishim pasur mundësi të karikonim e të motivonim njerëzit e kështu me radhë, që të mos i numëroj të gjithë, deri tek zëvendëskryeministri që ka qenë non stop.

Prandaj mirë është që gjërat t’i shohim siç janë. Nuk kemi bërë ndonjë mrekulli, nuk kemi pasur as perfeksion dhe as një punë që nuk ka pasur të meta. Dëgjova një këtu, - Ralfi më duket, se nga Ralfi na vinë këto direktivat, - që kishte parë konfuzion. Tani, nëse një tërmet që mori me vete një popull të tërë, nuk do shkaktonte një situatë me intensitet aq të lartë emocionesh dhe sigurisht, edhe me një lloj kaotizmi në fillim, atëherë ne nuk do ishim një shtet mbi këtë rruzull, do ishim ndonjë shtet model në ndonjë planet tjetër.

Po, ka pasur raste abuzimi me ndihmat, se ato që kanë dalë në televizor nuk kanë qenë me aktorë filmash, por ato abuzime - po ju shtoj unë edhe nja 30 të tjera që nuk kanë dalë në televizor, - e dini sa janë në raport me ndihmat që kanë ardhur? As 1% e tyre. Janë episode, por, nëse episodet merren e kthehen në këngë e në valle nëpër ato tendat televizive, ku ata që ishin prekur realisht nga tërmeti dukeshin njerëz normalë e ata që tërmeti vetëm sa i kishte tundur pak nga karrigia nga poshtë-lartë, dukeshin sikur ishin çmenduar, natyrisht që mesazhi është i keq dhe natyrisht, të gjithë ata që e ndjekin këtë situatë nga matanë kufijve tmerrohen. Një dekurajim, mërzi, një çorodi tek njerëzit, që në televizor kërkonin të shikonin çfarë po ndodh në vendin e tyre, çfarë po ndodh me familjet e tyre, me lagjen e tyre, me të afërmit e të njohurit e tyre dhe shikonin hajdutë xhepash. Sikur ishin hajdutët e xhepave që kishin marrë situatën e territorin në kontroll e jo 5000 njerëz; policë, ushtarë, zjarrfikës, mjekë, infermierë, njerëz të shtetit. Pastaj edhe klithmat për “nuk paska doreza”, “kapele”, “çizme” e histori qensh.

Për më tepër që faktet janë fakte! Ka pasur 900 e kusur të plagosur dhe mbi 300 njerëz kanë hyrë në kategorinë e atyre që ishin realisht në rrezik. Po ata që ishin nën gërmadha, kush i nxori pjesën më të madhe? I nxorën këta që klithnin nëpër tendat e medias, apo i nxorën njerëzit e këtij shteti? Misioni i parë nga jashtë ka ardhur në kohë urgjente, por ka ardhur vonë. Ishte errësuar në Shqipëri kur ka mbërritur misioni i parë dhe ishte 38 numri i të shpëtuarve. Kush i nxori ata, këta me telat e mikrofonave? Apo i thithën me objektivin e kameras? Apo i nxori Ralfi, duke kërkuar matrapik? I nxorën njerëzit e shtetit.

E natyrisht, në operacionet e tjera duhej një supersofistikim që ne nuk e kemi, është e kotë ta mohojmë. Nuk e kemi, por ky është rasti edhe për ta përmirësuar më tutje gjithë strukturën tonë të forcave që janë për reagimin e menjëhershëm. Na duhet që ta adresojmë këtë në ligj.

Edhe këtu e tha dikush, - nuk e mora vesh kush, por ngaqë naltmadhninë e dëgjoj me shumë vëmendje gjithmonë, kam përshtypjen që ishte një klithëm e naltmadhnisë - që po fshihen provat. Cilat prova po fshihen? Po pastrohen gërmadhat në Durrës e po fshihen provat? E keni gabim shumë. Është fotografuar gjithçka. Është fotografuar kur ka ndodhur menjëherë. Është fotografuar gjatë procesit, është fotografuar edhe mbrapa e aty ku janë pastruar janë marrë edhe kampionët e betonit e të tullave e të gjitha me radhë që merren në këto raste dhe po bëhen dosjet gati.

Edhe këtu pati klithma për arrestime, pse nuk janë arrestuar akoma. Ndërkohë që kjo është një klithmë e përgjithshme e tendave mediatike, që kërkonin arrestime që ditën e parë. Natyrisht, duan arrestime se nuk ju punon themeli. Në vend që ditën e parë, ditën e dytë, e ditën e tretë, ditën e katërt e ditën e pestë t’i kthenin ato sallonet e tyre në sallone energjish pozitive, të qetësonin njerëzit, të bënin verifikim të pesëfishtë të pseudoekspertëve që sillnin aty, të garantonin 100% që kush futej aty të thoshte një fjalë të mençur e jo budallallëqe, u futën në garë se kush gjen më shumë delirantë për t’i marrë dhe donin arrestime ditën e parë, donin faturën e dëmeve ditën e dytë.

Ndërkohë që vende të tjera, që kanë kaluar në këto situata, duan gjysmë viti, në rastin më të mirë, të nxjerrin faturën. Madje donin edhe shtëpi ditën e parë, ndërkohë që fqinjët tanë, që janë me një histori fatkeqësisht plot me tërmete, kanë akoma nëpër kabina njerëzit e tërmetit të 2009-s. Në shumë nga vendet që po na ndihmojnë ka reagime nga komunitete që akoma presin, - nuk po përmend emra, por emra të vendeve më të mëdhenj të Europës, - kompensime e dëmshpërblime nga histori që kanë ndodhur vite përpara dhe shkruajnë nëpër profilet e kryeministrave e të presidentëve, “çfarë Shqipërie do ndihmoni, ne këtu po presim dhe akoma nuk kemi marrë”. Kurse këta pa varrosur akoma të vdekurit duan arrestime, duan dëmshpërblime, duan shtëpi, i duan të gjitha, ngaqë i kanë marr qyl gjërat në jetë vetë.

Por e sigurt është që të gjitha ndërtimet, jo ato të shemburat, por edhe ato që janë në riparim, janë në proces hetimi, ditë-natë. Jo tani, po që nga ora e parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka angazhuar grupin e posaçëm të Policisë Kriminale për të filluar menjëherë me mbledhjen e provave dhe tani po punojnë bashkë me prokurorinë për të evidentuar të gjitha. Janë dosje të tëra që janë marrë dhe vazhdojnë të merren nga bashkitë përkatëse, për të bërë analizë. Por duhen edhe ekspertët e ndërtimit brenda. Gjithë Instituti ynë i Ndërtimit është në terren ditë-natë.

Kam dëgjuar shumë “s’kemi shtet ne dhe vijnë të tjerët”.

Shikoni misionet e kërkim - shpëtimit në Itali. Italia ka një nga trupat më të mira në botë për kërkim-shpëtimin. Shikoni në tërmetet e Italisë, sa misione kërkim-shpëtimi kanë shkuar në Itali, - që italianët i japin mësim botës, - nga Japonia, Kanadaja, Izraeli, BE-ja nuk diskutohet, nga Australia, Zelanda e Re, sepse asnjë vend nuk ka luksin dhe kapacitetin të mbajë një trupë të atillë në numër për një moment të tillë, nëse ky moment është aq shkatërrues. Asnjë!

Jo më larg sesa në takimin e Novisadit, unë e kam diskutuar këtë gjë, që të krijohet një mekanizëm ballkanik i të gjitha vendeve të Ballkanit, për të patur një rrjet të integruar të trupës së emergjencave civile. Një trupë që, kur ndodh diku, vihen të gjithë në lëvizje, por jo me vullnetarizëm thjesht, por me detyrim në bazë të angazhimeve të marra nga çdo shtet dhe nga çdo parlament, siç e ka BE-ja. Kur ndodh diçka në BE, ata vihen në lëvizje të gjithë, me detyrim. Janë një. Kurse këtu jo. Dhe thonë “pse nuk i bëjmë vetë këto”, se “nuk ka shtet këtu”, “të gjithë e kanë mendjen të vjedhin”.

Po pati mundësi, lërini këto histori që të vini këtu dhe të vazhdoni me muhabete rrugësh “me vjedhje”. Lërjani paraardhësve tuaj. Mbajeni me nder këtë kohë që keni këtu në Parlament. Shtrëngohuni dhe mbajeni me nder. Mos u bëni njësoj si ata, që të mos kuptohet dallimi se dilni më keq, se ata flisnin më mirë se ju. Shumica prej jush ka problem me vendosjen e kallëzuesit në vendin e duhur. Të paktën mbajeni me nder këtë pjesë, silluni këtu, siç silleni nëpër shtëpitë tuaja dhe mos na rrokanisni kokën, “vodhi, nuk vodhi”. Janë fjali të tmerrshme për një parlament. Pavarësisht se këtu janë bërë si buka që ha.

Në vitin 2020, ne e shohim si vit të rindërtimit dhe të vazhdimit të zhvillimit ekonomik dhe social. Ne do ta bëjmë dhe do ta dëshmojmë me vepra që kjo është e duhura, në mënyrë që ata që kanë nevojë për mbështetje ta marrin mbështetjen, ata që kanë nevojë për strehë ta marrin strehën, se ka edhe shumë aspekte të tjera që nuk i preka këtu e që ka të bëjë me financimin e fazës së tranzicionit nga hoteli në shtëpi. Nuk do rrinë në hotel deri sa të bëhet shtëpia. Duke filluar nga janari do fillojnë të spostohen në apartamente që do t’i marrim ne me qera për ta. Nga ana tjetër, fokusimi tek ata të mos kthehet në një torturë për pjesën tjetër, se solidariteti shqiptar është vërtetë një gjë madhështore, por e ka afatin e shkurtër. Po ta kishim patur solidaritetin afatgjatë, do ishim si Izraeli, por e kemi solidaritetin me intensitet të madh, në një kohë të shkurtër dhe e kemi edhe një karakteristikë, që bëhemi shumë të urtë dhe i lutemi Zotit, kur Zoti na duket si varkë për të kaluar lumin e rrëmbyer. Kur jemi matanë i themi Zotit, ta futa dhe kësaj radhe, shihemi herën tjetër. Më vjen keq, por kjo është e vërteta.

Kështu që na ndihmoni ju këtu. Ju jeni pasojat e tërmetit të opozitës. Ra opozita, gërmadhat jeni ju. Ata nuk e di ku janë. Në kuptimin e mirë të fjalës. Mos mi merrni për keq këto gjëra, se unë i kam me shumë dashamirësi. Por ju lutem shumë, në këtë fazë, pak përmbajtje nga fjalori i përditshëm.

/ Tiranapost.al. E.B