Aktualitet

Kryemadhi: Marrëveshja e detit, lojë e Ramës për të hequr vëmendjen nga dështimet

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e ftuar në emisionin “Arena” ka komentuar debatin e madh për marrëveshjen e detit me Greqinë dhe spekullimet që po bëhen me të. Ajo është shprehur se mendon që Rama e përdor çështjen e detit për të shpërqëndruar vëmendjen e opinionit publik nga Tahiri, reforma në drejtësi dhe shtimi i kriminalitetit në vend. Kryetarja e LSI parashikon se Rama do të justifikojë mos arritjen e një marrëveshjeje me Greqinë me protestat që mund të zhvillohen në Shqipëri kundër saj.

“Prej vitesh diskutojmë për marrëveshjen e detit. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Mendoj se kjo është lojë e Ramës. Ndodhemi në të njëjtat kushte si marrëveshja që bëri PD ku shkoi deti për miratimin e Shqipërisë në NATO. Kjo mund të jetë një lojë e rradhës që Rama bën me fqinjët. Ai e bën për të larguar vëmendjen nga Tahiri, dështimi i reformës në drejtësi dhe ekstradimi apo situatën me krimin e organizuar dhe trafiqeve të drogës dhe armëve, apo edhe me eksodin e shqiptarëve.

E gjitha është lojë që Rama e përdor për të krijuar një lloj histerie patriotike përsa i përket marrëveshjes së detit. Duhet parë se çfarë qëndrim mbajnë italianët dhe turqit për vendimin. Mund të jetë një lojë politike, por pas disa muajsh nëse bëhen protesta, Rama mund të thotë që për shkak të protestave nuk e firmos këtë marrëveshje. Këtë gjë e bëri edhe me armët kimike, ku luajti dhe e përdori. Tani shpërqëndron publikun dhe më pas nuk bën marrëveshje.”- është shprehur Kryemadhi. K.H/ tiranapost.al