Aktualitet

Kronika e një vdekje politike të paralajmëruar për sot në 18:00

Basha mbledh grupin sot në 18:00 dhe na ndërmendet Marquez me kronikën e një vdekjeje të paralajmëruar.

Lulzim Basha pastër e qartë nuk ka më asnjë rrugëdalje që do e çonte partinë që drejton në zgjedhjet parlamentare. Sot në orën 18:00 Basha do të mbledhë grupin parlamentar në një përpjekje për të hedhur kushtrimin e 13 majit. Tani çdo rrugëzgjidhje e PD e çon dhe e lë atë vetëm në rrugë.

Basha është i parashikueshëm tashmë në çdo lëvizje pasi hapur strategjia e tij ka qenë faktorizimi dhe rritja e figurës së tij e cila u desh të sakrifikojë partinë. Ai çka nuk është i parashikueshëm mbetet grupi parlamentar.

Edhe pse ka disa zëra aty brenda të cilët nuk ndajnë të njëjtin vokacion me zotin Basha, nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajnë sot në një mbledhje që Partinë Demokratike nuk e çon kurrkund. A mjafton të thuash sot vetëm që nuk je dakord me zotin Basha? Epo mirë atëherë, meqë s’ka as statut as parti eja vdesim në orën 18:00!

P.S: U menduam gjatë të zgjidhnim një foto dhe ishte e vështirë të gjenim fytyrën e sotme të Partisë Demokratike. Në një foto montazh vendosëm një foto të PD-së parti dhe një të PD-së çadër dhe rrugë./Mira Kazhani, Tiranapost.al