Aktualitet Politikë Te gjitha

Kriza politike/ Raportuesi për Shqipërinë në KE kërkon përgjegjësi edhe nga qeveria: Do vij vetë në Tiranë


Qeveria gjermane prej javësh ka përcjellë kritika për opozitën, për djegien e mandateve. Por raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm Christian Schmidt mendon se qeveria gjithashtu ka përgjegjësi për krizën.

“Kjo nuk është normale. Parlamenti jeton nga debati. I takon qeverisë që të garantojë bashkëpunimin parlamentar”, tha ish-ministri gjerman për DW. Schmidt është që nga fillimi i vitit raportues për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm në Bundestag, njëri nga komisionet që vendos për çeljen e negociatave në BE.

Schmidt tha për DW se së shpejti planifikon të vijë vetë në Shqipëri për t’u informuar vetë për gjendjen. “Veçanërisht dua të shoh se sa përfshihet opozita në procedurat parlamentare”, theksoi ai.

Vendimi i Gjermanisë për çeljen e negociatave do të varet nga progres-raporti i Komisionit të Bashkimit Evropian që do të publikohet më datën 29 maj. Por për të dhënë miratimin përfundimtar në Këshillin e BE-së, më 19 qershor, Gjermanisë do t’i duhet që të marrë aprovimin e Bundestagut.

Cakaj Roth

Në një takim me deputetë nga komisioni i Bundestagut për Çështje të Bashkimit Evropian, ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj kërkoi mbështetjen e deputetëve gjermanë për negociatat. “Vendimi pozitiv i Këshillit në qershor do t’i japë një hov të ri jo vetëm proceseve të reformave brenda vendit, por do të shërbejë më së miri për të krijuar një sinergji të re bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe do të forcojë stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë”, tha kreu i diplomacisë shqiptare, sipas një deklarate për shtyp të Ministrisë së Punëve të Jashtme./ DW/ Tiranapost.al. E.B