Aktualitet

Kriza politike, Meta: Palët nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën, duhet dialog!

Kriza politike, Meta: Palët nuk bëjnë dot pa

Nuk kam asnjë instrument kushtetues për t’ju imponuar zgjidhjen palëve. Këtë tha dje presidenti Meta I ftuar në emisionin në RTSH ku foli për krizën politike dhe tha se palët dueht të tregojnë vullnet dhe dialogu ka rëndësi.

 “Palët janë pak a shumë të testuara. Një palë thotë do ta çojmë opozitën për skrap. Pala tjetër thotë që ne nuk ulemi të flasim me kryeministrin. Kështu që duhet të tregojnë vullnet dhe është e rëndësishme të dialogojnë” tha Meta i cili shtoi duke thënë se ka takuar kryetarin e Opozitës Bashën me kërkesën e tij për të sqaruar një çështje të raportuar në media. Meta theksoi se qëndrimi i tij është ai që mbetet.

“Mesazhet e mia kanë qenë të qarta prej kohësh. Të dyja palët nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën dhe duhet të bashkëpunojnë në interes të qytetarëve shqiptarë”.

Lidhur me zgjedhjet Meta tha se më shumë e shqetëson stabiliteti i vendit dhe interesi publik.

“Nuk ekziston asnjë arsye politike, ideologjike, familjare apo personale që ndikon në vendimet dhe në sjelljen time si President i Republikës. Nuk kam asnjë shqetësim dhe asnjë interes as për zgjedhjet e 30 qershorit dhe as për ato të vitit 2021. Për mua rëndësi ka stabiliteti i vendit dhe interesi publik”.

Sipas presidentit, zgjidhja e ngërçit është zbatimi i rregullave demokratike, zbatimi i reformës në drejtësi me transparencë, sipas ndryshimeve konsensuale kushtetuese dhe përmes zgjedhjeve gjithpërfshirëse. Meta pohoi se kemi të bëjmë me një krizë kushtetuese të thellë, duke kujtuar se kjo krizë i ka rrënjët në ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

“Kriza është kushtetuese dhe e thellë. Rrënjët i ka të hershme dhe burojnë që nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe vazhdojnë me ndryshimet kushtetuese të para 2 viteve. Mungesa e gjykatës kushtetuese funksionale dhe paraliza në tërësi e sistemit gjyqësor do të shohim se kriza është më e thellë, fillon që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008. Aty mund të gjejmë rrënjët e kësaj krize në tërësinë e saj që është ashpërsuar në këto dy vite dhe sidomos në dy muajt e fundit pas këtij akti të opozitës". / Referuar intervistës në RTSH/ Tiranapost.al. E.B